E Diel, 1 Nëntor 2026

Trojka rikthehet në Athinë për monitorim

Gazeta Shqip

Kontrolli financiar

Raporti i ndërkombëtarëve do të përcaktojë nëse Greqisë do ti jepen ndihma të reja

Përfaqësuesit e Trojkës, të përbërë nga ekspertë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bashkimit Europian dhe Bankës Qendrore Europiane, pritet të jenë në Athinë brenda këtyre ditëve për të vlerësuar gjendjen financiare të vendit dhe reformat e kryera, nga të cilat varen edhe marrëveshjet me ndërkombëtarët për këstet e tjera të kredisë. Kjo është vizita e parë e tyre që prej tetorit të vitit 2011. Nga raporti i shumëpritur i kontrollorëve financiarë, do të përcaktohet nëse Greqisë do t’i jepen ndihma të reja dhe nëse programi aktual i kursimeve duhet të korrigjohet, ashtu si dëshiron qeveria e koalicionit në Athinë. Vizita ishte programuar që në ditët e para të zgjedhjes së qeverisë së re, por ishte shtyrë, për shkak të gjendjes jo të mirë të disa prej anëtarëve të kabinetit, mes të cilëve Kryeministri Antonis Samaras dhe ministri i Financave, Vassilis Rapanos, që dha dorëheqjen vetëm pak ditë më parë. Trojka nuk deshi të përzihej në fushatën e gjatë elektorale greke muajt e kaluar dhe për këtë arsye, kishte bërë të ditur se nuk do të shkonte në Greqi përpara se të merrte mandatin një qeveri e re e aftë për të vepruar. Në një intervistë televizive, Panayiotis Roumeliotis, ish-përfaqësuesi i Greqisë në Fondin Monetar Ndërkombëtar, është shprehur se përfaqësuesit e Trojkës do të mbërrijnë në Athinë me rregulla të mirëpërcaktuara: të bëjnë presion mbi qeverinë greke për reformat strukturore dhe mbi të gjitha ato më urgjentet, si reduktimi i numrit të punonjësve të administratës publike, privatizimet, apo edhe mbylljen e enteve shtetërore të panevojshme. Nga ana tjetër, qeveria greke do të dojë të diskutojë për pranimin e Greqisë në vendimet e ndërmarra në samitin e fundit të Brukselit për Italinë dhe Francën, dy vende në krizë të madhe financiare, si dhe shtyrjen e afatit për kryerjen e reformave që ndërkombëtarët kërkojnë me të paktën dy vjet. Tani kushtet janë përmirësuar, sepse në Europë është e qartë ajo që thuhej në Greqi prej më shumë se dy vjetësh, d.m.th. që vetëm masat e kursimit nuk mund të bëjnë gjë tjetër veçse të përkeqësojnë situatën, tha zëdhënësi i qeverisë Simos Kedicoglou. “Sigurisht, shtoi ai, edhe ne duhet të tregojmë se jemi të gatshëm të ndryshojmë dhe promovojmë reformat strukturore. Qeveria e re greke e filloi mandatin me premtimin se do të rinegociojë kursin aktual të kursimeve dhe do të zbusë pasojat e tij sociale. Pjesës më të madhe të grekëve kjo i duket e natyrshme, pasi papunësia ka arritur një nivel rekord prej 23% dhe recesioni gjithashtu është në një nivel shumë të lartë prej 7% në tremujorin e tretë 2012. Por Trojka, nga ana e saj, pritet të tërheqë vëmendjen se reformat e premtuara prej kohësh nga Greqia kanë mbetur në vend. Anëtari i bordit ekzekutiv të Bankës Qendrore Europiane, Jorg Asmoussen, bëri të ditur se kjo bankë është e gatshme për të diskutuar pikat e veçanta të kushteve të programit të ashpër të masave në Greqi, por shpjegoi megjithatë se objektivat e programit, domethënë stabilizimi i buxhetit dhe rifitimi i kompetivitetit, nuk lejohet të preken. Qeveria e re nuk duhet të humbasë më kohë, duke u përpjekur të shmangë apo të lehtësojë programin e kursimeve. Ajo duhet të përqendrohet më shumë te mjetet që të maksimizojë efektin e reformave, tha ai. Ndërkohë, kryetari i Partisë Syriza, Aleksis Tsipras, njëkohësisht edhe lider i opozitës, e akuzon Kryeministrin Samaras se ai është përkulur tashmë para Trojkës, pasi nuk flet më për rinegociim të programit të kursimeve, siç kishte premtuar në fushatë. Nga ana tjetër, sipas informacioneve në mediat greke, qeveria ka para vetëm deri në fund të korrikut apo në fillim të gushtit, pastaj vendi nuk do të jetë më i aftë të shlyejë detyrimet.

Vizita - Përfaqësuesit e Trojkës, të përbërë nga ekspertë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bashkimit Europian dhe Bankës Qendrore Europiane, pritet të jenë në Athinë brenda këtyre ditëve për të vlerësuar gjendjen financiare të vendit

Kontrolli - Kjo është vizita e parë e tyre që prej tetorit të vitit 2011. Nga raporti i shumëpritur i kontrollorëve financiarë, do të përcaktohet nëse Greqisë do t’i jepen ndihma të reja dhe nëse programi aktual i kursimeve duhet të korrigjohet

Lehtësimet - Nga ana tjetër, qeveria greke do të dojë të diskutojë për pranimin e Greqisë në vendimet e ndërmarra në samitin e fundit të Brukselit për Italinë dhe Francën, dy vende në krizë të madhe financiare, si dhe shtyrjen e afatit për kryerjen e reformave

Trojka rikthehet në Athinë për monitorim burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›