Lufta me Rusinë, Aleanca evropiane paketë të re të mbrojtjes ajrore për Ukrainën

Aleanca e mbrojtjes e disa vendeve evropiane, udhëhequr nga Britania njoftoi një paketë të re prej 116 milionë dollarësh të aftësive të mbrojtjes ajrore për Ukrainën.
Ministrat e mbrojtjes nga Forca e Përbashkët e Ekspeditës e cila përfshin Danimarkën, Estoninë, Finlandën, Islandën, Letoninë, Lituaninë, Holandën, Norvegjinë, Suedinë dhe Mbretërinë e Bashkuar morën vendimin të martën pas një takimi.
“Pajisjet, me vlerë 92 milionë paund (116 milionë dollarë), do të prokurohen në muajt e ardhshëm përmes Fondit Ndërkombëtar për Ukrainën (IFU) për të forcuar aftësinë e Ukrainës për të mbrojtur infrastrukturën e saj kritike kombëtare, popullsinë civile dhe personelin e vijës së parë.” tha qeveria e Mbretërisë së Bashkuar në një deklaratë, sipas CNN.
Paketa “do të sigurojë radarë për të ndihmuar në mbrojtjen nga sulmet ruse, si dhe armë dhe një sasi të konsiderueshme municioni”, thuhet në deklaratë.
Më herët, Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Antony Blinken, njoftoi një ndihmë të re sigurie prej 325 milionë dollarësh për Ukrainën.
/rtsh.al/