Lufta mes miliarderëve, politika dhe shtetit të korruptuar
Tiranë- Prej disa ditësh mediat janë vënë në garë për të publikuar deklarimet e pasurive të zyrtarëve të lartë. Deputetë, ministra, gjykatës, ushtarakë, drejtues të institucioneve të pavarura etj, kanë treguar milionat që kanë në banka, vilat, aparatamentet, makinat.
Gazetat, sipas përkatësisë, me qeverinë apo me opozitën, janë angazhuar të publikojnë, ca pasuritë e njërës palë e ca pasuritë e palës tjetër. Ca shkruajnë për miliarderët e PS-së dhe ca për miliarderët e PD-së dhe qeverisë. Nuk dihet me saktësi nëse ata kanë thënë apo jo të vërtetën, por edhe nga sa kanë thënë, mjafton të na tregojnë se deri ku ka shkuar niveli i korrupsionit.
Përtej kontekstit me të cilin komentojnë gazetat deklaratat e pasurisë së zyrtarëve të lartë, ajo që bie në sy është se shumë prej tyre, të djathtë apo të majtë, në pushtet apo në opozitë, janë pasuruar shumë brenda një viti apo brenda fare pak vitesh.
Deklarimet dhe argumentet për të justifikuar milionat e shtuara apo pasuritë e patundëshme, janë vërtet qesharake. Deputetë, ministra, anëtarë të KLD-së e gjykatës të lartë, deklarojnë se kanë marrë dhurata. Dhurata nga të afërmit e tyre jashtë vendit, nga 10 mijë deri në 100 mijë Euro. Dhurata një apo disa apartamente, në Tiranë apo zona të çmuara turistike, dhuratë makina super të shtrenjta
Padyshim që ne të gjithë e dimë se ky është një mashtrim. Pasi askush, në asnjë rrethanë dhe për asnjë arsye nuk të bën dhurata kaq të majme. E aq më shumë nga njerëz të afërt që jetokërkan jashtë vendit, e ku padyshim punojnë si emigrantë. Vetëm nëse ata do të jenë anëtarë të karteleve të drogës në Kolumbi dhe Meksikë që të jenë kaq dorëlëshuar, sa të bëjnë dhurata kaq të shtrenjta.
Këto deklarime dhe zelli për të akuzuar njëri-tjetrin për klube miliarderësh tregon se politika shqiptare ka në gjirin e saj vërtet miliarderë, nga të dyja palët. Nuk është mëkat që në politikë të ketë njerëz të pasur, por problemi është se këta njerëz, ose janë bërë të pasur gjatë kohës që janë marrë me politikë, ose i kanë shtuar e po i shtojnë pasuritë e tyre vrullshëm pasi iu futën politikës.
Këto deklarime dhe mashtrimet që shoqërojnë këto deklarime pasurie, janë një tregues se niveli i korrupsionit është në përmasa alarmante. Ai ka përfshirëe njerëz të të gjithë grupimeve, në qeveri dhe opozitë, në institucione të varura dhe të paravura, në organet e drejtësisë dhe ato që duhet të kontrollojnë drejtësinë.
Ky është edhe shkaku përse njerëzve iu është neveritur kjo politikë. Përse, në një sondazh të fundit të platformës IDEA, shumica e pjesëmarrësve në anketë mendonin se drejtimin e vendit nuk duhet ta ketë më as PD e as PS, por as edhe partitë vogla, të reja e të vjetra, që kanë dalë nga këto dy kampe.
/IDEA/