Lufta ndaj informalitetit, Malaj: Bizneset kanë reflektuar pozitivisht

TIRANË, 11 dhjetor /ATSH/ Ministri i Financave Petrit Malaj tha sot se shumë shpejt do të kemi rezultate konkrete në lidhje me luftën kundër informalitetit.
Gjatë një konference për mediet, ministri Malaj theksoi se të gjitha bizneset private kanë reflektuar pozitivisht pas njoftimeve të lëshuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
“Për sa i përket informalitetit ne jemi në një proces i cili po ndiqet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Të gjitha bizneset private kanë reflektuar pozitivisht në vijim të njoftimeve që ka lëshuar drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe së shpejti do të kemi dhe disa rezultate konkrete dhe gjykoj që të dyja nisma paralelisht, presioni pozitiv që po bën qeveria në aspektin e rritjes së pagave në sektorin publik, sikundër edhe lufta kundër informalitetit, do të japë një rezultat pozitiv për sektorin privat. Sektori privat duhet të ndjekë të njëjtin trend që po ndjek sektori publik, nëse do të mbetet konkurrues në ekonominë shqiptare”, tha Malaj.
Malaj theksoi se Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka operuar në tri faza në luftën kundër informalitetit.
“Në fazën e parë u bën me dije subjekteve që duhet të reflektojnë paga reale në listë pagesat e deklaruara. Ka patur një njoftim të dytë për ato biznese që nuk e kanë reflektuar pagën reale të tyre, pas këtij njoftimi ka pasur një listë të subjekteve që janë konsideruar me risk në sektorë specifikë më të cilët po komunikohet individualisht dhe po u bëhet me dije se do të jetë objekt vlerësimi nga ana e drejtorive rajonale tatimore. Pas të gjitha këtyre hapave në përgjithësi bizneset kanë reflektuar pozitivisht dhe unë besoj se pasi të përfundojmë edhe fazën e tretë do të kemi rezultate konkrete për nismën që ka marrë qeveria”, tha Malaj.
/r.e/a.f/