E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Përjashtimet tatimore, Malaj: Asnjë ndryshim për profesionet e lira dhe biznesin e vogël deri në 2029-n

TIRANË, 11 dhjetor /ATSH/ Ministri i Financave Petrit Malaj bëri me dije se nuk do të ketë asnjë rishikim të përjashtimeve tatimore për profesionet e lira dhe biznesin e vogël deri në vitin 2029.

Gjatë një konference për mediet sot, ministri Malaj theksoi se është parashikuar në strategjinë afatmesme që të bëhet një rishikim i të gjitha përjashtimeve tatimore apo normave të reduktuara tatimore përgjatë periudhës janar-qershor 2025, por nuk përfshin bizneset e vogla dhe profesionet e lira.

Gazetarja: FMN ka sugjeruar që të rishikohen përjashtimet tatimore ndaj bizneseve, kryesisht ndaj bizneseve të vogla që janë pa taksa dhe profesionistët e lirë, ndërkohë në strategjinë afatmesme ju e keni parashikuar një gjë të tillë deri në qershor 2025. A do të ketë një rishikim para premtimit të dhënë që është vitit 2029 për bizneset e vogla dhe profesionistët e lirë?

Ministri Malaj u përgjigj se; “Kemi parashikuar në strategjinë afatmesme të të ardhurave që do të të bëjmë një rishikim të të gjitha përjashtimeve tatimore apo normave të reduktuara tatimore për gjatë periudhës janar-qershor 2025. Këto përjashtime tatimore do të rishikohen në dy plane, plani i parë do të jetë nëse këto përjashtime kanë dhënë ato benefite ekonomike për të cilat u dhanë, dhe plani i dytë i rishikimit ka të bëjë më pjesën nëse përjashtimet e dhëna janë në linjë me direktivat e BE-së.

Nëse pas analizës që ne bëmë do të vlerësojmë se për përjashtime të caktuara do të duhet të qëndrojnë, sepse i kemi marrë ato benefite do të vazhdojnë të qëndrojnë dhe për ata përjashtime të cilat nuk kanë dhënë benefitet e duhura ekonomike dhe që bien ndesh edhe me direktivat e BE-së, ato do të rishikohen përkatësisht. Për pjesën e profesioneve të lira dhe biznesit të vogël besoj ka qenë i qartë edhe kryeministri, deri në vitin 2029 nuk do të ketë asnjë lloj ndryshimi”, tha ministri Malaj.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›