Malaj: Brenda dhjetorit përcaktojmë bonusin e pranverës për pensionistët

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj tha sot në një dalje publike për gazetarët, se pritet që të ketë një rishikim të buxhetit brenda muajit dhjetor, ku do të përcaktohet edhe masa e bonusit të pranverës për pensionistët.
“Rishikimi i buxhetit pritet të ndodhë gjatë fundit të këtij viti. Ky është një Akt Normativ shumë i rëndësishëm, pasi pritet të bëjmë një rivlerësim të ecurisë ekonomike, por ky akt është i rëndësishëm për ne, sepse me të do të përcaktojmë edhe bonusin e pranverës për pensionistët”, tha ministri.
I pyetur nga gazetarët për nivelin e pagave në sektorin privat dhe mungesën e reflektimit në to, krahasuar me pagat e sektorit publik, Malaj tha se: “Nëse do të bëjmë një krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2024 me atë të vitit 2023 kemi një rritje me rreth 5,3% të nivelit të pagave. Sektori privat po e reflekton këtë trend rritës në paga dhe do të jetë i detyruar ta ndjekë, në rast se do të mbetet konkurrues në tregun e punës”, theksoi ministri i Financave.
/r.e/a.f/