E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Lufta në Ukrainë/ Situatë e tensionuar në Kherson, Rusia kryen zhvendosje masive të banorëve

Një operacion për largimin e banorëve të Khersonit dhe transferimin e shërbimeve administrative okupuese po zbatohet nga Rusia, duke përmendur “arsye sigurie” në funksion të ” sulmit ukrainas”.

 “Evakuohuni menjëherë. Do të ketë granatime të zonave të banuara nga Forcat e Armatosura të Ukrainës. Autobusët do të nisen nga ora 07:00 në Bregun e Majtë (bregu lindor i lumit Dnieper)”, është mesazhi që banorët e Khersonit kanë marrë në celularët e tyre nga administrata pushtuese.

Këtë lëvizje të Rusisë, Kievi e denoncon si “të detyruar dhe “lexon” pas tij një tërheqje të mundshme totale ushtarake ruse nga bregu perëndimor i lumit Dnieper.

Guvernatori i Khersonit i emëruar nga Kremlini, Vladimir Saldo , tha se janë 50,000 deri në 60,000 njerëz për t’u zhvendosur në bregun e majtë të Dnieper dhe në territorin rus, në një operacion të “koordinuar” që do të përfundojë brenda gjashtë ditësh dhe përfshin largimin e njëkohshëm të të gjithë zyrtarëve okupues dhe shërbimeve administrative.

“Askush nuk do të dorëzojë Kherson, por nuk është e dëshirueshme që banorët të jenë në një qytet ku do të zhvillohen operacione ushtarake. Ne presim një sulm dhe pala ukrainase nuk e fsheh”, tha ai në një fjalim televiziv.

Kherson, kryeqyteti i rajonit të rëndësishëm gjeostrategjik me të njëjtin emër, është qendra më e populluar që Moska ka kapur që nga dita e shtatë e pushtimit dhe është ndër katër rajonet e aneksuara ilegalisht nga Federata Ruse me dekret të Putinit.

Trupat ukrainase kanë përparuar në rajon javët e fundit, duke rimarrë fshatrat dhe tokat bujqësore përgjatë bregut perëndimor të lumit Dnieper, i njohur gjithashtu si Bregu i Djathtë.

Sulmet metodike të raketave dhe artilerisë ukrainase mbi urat përtej Dnieper kanë shkaktuar një dëm të madh në linjat e furnizimit të trupave ruse./ CNN.gr

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›