E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Paralajmërimet ruse, Ministri i Mbrojtjes i Izraelit: Nuk do të dërgojmë armë në Ukrainë

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit , Benny Gantz , tha këtë të mërkurë se vendi nuk do t’i japë armë Ukrainës, deklaratë që vjen dy ditë pas paralajmërimit të Moskës kundër dërgimit të pajisjeve izraelite në Kiev.

Megjithatë, ai përsëriti angazhimin e Izraelit për të vazhduar ofrimin e ndihmës humanitare për Ukrainën.

“Politika jonë për Ukrainën nuk do të ndryshojë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Perëndimin dhe të qëndrojmë pranë tij, ne nuk do t’i ofrojmë sisteme armësh Ukrainës“, tha Gantz gjatë një konference me ambasadorët e Bashkimit Evropian.

Ish-presidenti i Rusisë dhe nënkryetari aktual i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Dmitry Medvedev , paralajmëroi të hënën, se Izraeli nuk duhet të dorëzojë armë në Ukrainë, duke thënë se kjo do të “shkatërronte” marrëdhëniet me Rusinë.

“Izraeli duket i gatshëm t’i dorëzojë armët regjimit të Kievit. Është një masë shumë e pamatur. Do të shkatërrojë të gjitha marrëdhëniet ndërshtetërore midis vendeve tona”, tha ai në një postim në llogarinë e tij të aplikacionit Telegram.

Ukraina i ka bërë thirrje më parë Izraelit që ta mbështesë kundër Rusisë, në një kohë kur autoritetet izraelite dhe ruse mbajnë marrëdhënie të ngushta.

Autoritetet izraelite deri më tani e kanë kufizuar bashkëpunimin e tyre me Ukrainën në ndihma humanitare dhe dërgesa të materialeve jovdekjeprurëse për të ruajtur marrëdhëniet e tyre me Moskën.

Izraeli është bërë gjithashtu një “strehë” për kundërshtarët e Kremlinit, madje edhe personazhe të famshëm rusë kanë shkuar atje pas pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt./ CNN.gr

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›