E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Zgjedhjet prodhuan katër kriza të rënda

Dokle: Vetëm transparenca dhe dialogu i hapin rrugë zgjidhjes

Opozita shqiptare deklaroi dje se një vit pas zgjedhjeve parlamentare të përgjithshme, vendi po vuan katër plagë të rënda të cilat janë: Demokracia në kthetrat e autoritarizmit, ekonomia në falimentim, institucionet e së drejtës nën litarin e qeverisë dhe Parlamenti në ngërç permanent. Namik Dokle, numri dy i legjislativit shqiptar dhe një nga drejtuesit kryesorë të selisë rozë, ka bërë bilancin njëvjetor të situatës në vend. Kur ka kaluar një vit nga zgjedhjet e 28 qershorit 2009, Partia Socialiste ka shprehur shqetësimin për ngërçin politik në vend. Në një deklaratë për shtyp, deputeti Namik Dokle tha se “qëndrimi bllokues i mazhorancës për një vit, po e çon demokracinë në kthetrat e autoritarizmit, ekonominë në falimentim, institucionet në litarin e qeverisë dhe Parlamentin në ngërç permanent”. Sipas opozitës, “Europa kërkon konsensus, opozita ka bërë hapa të jashtëzakonshëm drejt konsensusit, duke vlerësuar mbi të gjitha interesat e vendit, por qeveria vazhdon të mbajë peng votën e lirë në kutitë e mbyllura!”. Partia Socialiste i bëri thirrje Kryeministrit Berisha të pranojë transparencën dhe dialogun dhe t’i hapë rrugë demokracisë.

Duke cituar rezolutën e Parlamentit Europian, deputeti i PS-së, tha se kjo rezolutë kërkon një sistem drejtësie të pavarur, “ndërsa mazhoranca i heq edhe gurin e fundit, duke i imponuar votim të hapur dhe presion politik ekstrem mbi organet më të larta të së drejtës. Rezoluta europiane bën thirrje që të përmbushen kriteret e Kopenhagës, pa të cilat nuk ka integrim, mazhoranca e trajton demokracinë si një tavolinë kompekai, në të cilën korrupsioni po gërryen shtetin dhe çdo familje shqiptare që paguan dëmet katastrofike të familjes qeveritare”, vijoi Dokle.

Por drejtuesi i lartë i opozitës ka shkuar edhe më tej, duke u ndalur në situatën në hapësirën e informacionit, ku ka deklaruar se “mediat janë nën presionin e politikave editoriale, që burojnë nga zyrat e pushtetit”. Dokle i është referuar edhe deklaratës së Fules, por edhe diskutimit të pritshëm në Parlamentin Europian, kur ka deklaruar se “projektrezoluta e Komisionit të Jashtëm, që do t’i paraqitet për miratim Parlamentit Europian dhe së fundi dhe komisioneri i Zgjerimit, me dashamirësi të admirueshme, bëjnë thirrje që Shqipëria të mos cenojë axhendën europiane të saj. Por qeveria shqiptare dhe Kryeministri i saj po luajnë shurdhërinë më të keqe, duke mos dashur të dëgjojnë”.

Një vit pas 28 qershorit, sipas opozitës Shqipëria është bërë objekt i shqetësimit të ndërkombëtarëve, duke u kthyer në një problem për partnerët tanë dhe jo një faktor zgjidhjeje dhe stabiliteti. Nënkryetari i Kuvendit, Namik Dokle, deklaroi dje, duke iu referuar draftit të miratuar në Komitetin e Jashtëm të Parlamentit Europian se “rezoluta europiane nënvizon se zgjedhjet e zhvilluara para një viti dështuan në qëllimin për të rritur besimin në procesin elektoral, ndërsa mazhoranca nuk pranon të bëjë asnjë hap për garantimin e besimit në zgjedhjet e ardhshme, duke mos pranuar transparencën e zgjedhjeve të kaluara. Rezoluta europiane shtron domosdoshmërinë për një sistem drejtësie të pavarur, ndërsa mazhoranca i heq edhe gurin e fundit duke i imponuar votim të hapur dhe presion politik ekstrem mbi organet më të larta të së drejtës. Rezoluta europiane bën thirrje që të përmbushen kriteret e Kopenhagës pa të cilat nuk ka integrim, mazhoranca e trajton demokracinë si një tavolinë kompekai, në të cilën korrupsioni po gërryen shtetin dhe çdo familje shqiptare, që paguan dëmet katastrofike të familjes qeveritare”. Sipas socialistëve: “Kjo situatë e padurueshme duhet të marrë fund njëherë e mirë dhe vendi ynë të futet në axhendën dhe jetën e mirëfilltë europiane. Opozita ka qenë dhe do të jetë e gatshme të japë kontributin e saj, duke mos u tërhequr nga kauza e lirisë dhe demokracisë”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›