E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta për liri dhe besimi tek Amerika

Lajmërimi i disa javëve më parë se Shqipëria - një vend i vogël, me mundësi të kufi zuara - do të dërgonte 50 trupa të tjera të stërvitura mirë në Irak, ishte një surprizë për shumë vëzhgues, kur, në të vërtetë, nuk duhej të kishte qenë i tillë.
Shqipëria ishte një prej 4 vendeve të para në botë që dërguan trupa luftuese në operacionin "Liri për Irakun". Shqipëria është, ndoshta, vendi më proamerikan në botë. Që në fillim, ky vend e tregoi mbështetjen e tij për Shtetet e Bashkuara kur dërgoi 70 trupa komando, të cilat iu bashkuan përpjekjeve të Koalicionit të Vullnetit, për të sjellë paqe, stabilitet dhe zgjedhje të lira në Irak. Këto trupa të reja e rrisin në 120 numrin e ushtarëve shqiptarë që shërbejnë në Irak.
Në një vend me një popullsi prej vetëm 3.5 milionë, trupat shqiptare - lulja e rinisë së këtij vendi - përfaqësojnë atë çka Shqipëria ka më të mirë. Pse e bën Shqipëria këtë kur mund ta kishte evituar t'i përgjigjej thirrjes së Presidentit George W. Bush për mbështetje, ose kur mund të ishte mënjanuar, siç bënë të tjerët, kur situata u ashpërsua? Përgjigjja nuk është e vështirë. Kush beson tek liria, beson se duhet luftuar për të. Dhe kush beson në luftën për liri, beson tek Amerika.
Ndryshe nga shumë njerëz në Europë dhe gjetkë, populli shqiptar nuk e ka harruar se ç'do të thotë të jetosh në tirani dhe në shtypje. Shqiptarët, për mëse 40 vjet, kanë jetuar të nënshtruar nga forcat represive të komunizmit, duke jetuar si të burgosur, pa të drejta në vendin e tyre. Të etur për liri, shqiptarët e shihnin me frymëzim Amerikën në ato vite të errëta, dhe amerikanët nuk na braktisën.
Ne shqiptarët jemi një komb liridashës, që e dimë se ç'do të thotë të jetosh i shtypur. Kjo është arsyeja përse ne i mbështesim me gjithë zemër përpjekjet për të çliruar popullin irakian. Dhe, megjithëse ne jemi një vend i vogël, me një ushtri të vogël, ndihemi krenarë që qëndrojmë krah për krah me aleatët tanë në luftën për t'i dhënë fund mbretërisë së frikës në Bagdad.
Europa është një rajon i vogël dhe është e vështirë të mos ndeshesh me historinë në çdo hap që bën. Është gjithashtu e vështirë të evitohen kontributet historike të Shteteve të Bashkuara në mbrojtje të lirisë në këtë kontinent. Kudo në Europë - në Francëe, në Itali, në Belgjikë, në Holandë dhe në Luksemburg - ka varreza të mbushura me trupat e ushtarëve amerikanë që ranë në betejë për të çliruar Europën në të dyja luftërat botërore.
Edhe pse në ditët tona nuk është e modës të flitet për këtë, fytyra e Europës do të kishte qenë shumë e ndryshme sot po të mos kishin qenë amerikanët që dhanë jetën e tyre duke u përleshur në plazhet e Normandisë. Po të mos kishin qenë amerikanët, ka shumë mundësi që sot të mos kishte më Francë, apo Britani të Madhe, apo Belgjikë, ashtu siç i njohim ne këto vende sot. Po të mos kishin qenë Shtetet e Bashkuara, ka shumë mundësi që sot të mos kishim vende të lira në Ballkan.
Duke e angazhuar Shqipërinë në Koalicionin e Vullnetit, kryeministri shqiptar u kërkoi kolegëve të tij liderë të Europës të vizitojnë Normandinë për të parë me sytë e tyre se çfarë ishin të vendosura të bënin Shtetet e Bashkuara në emër të lirisë. Të gjithë duhet ta vizitojmë Normandinë. Ne duhet t'u bëjmë homazhe atyre amerikanëve trima, të cilët u përleshën në bregdetin e Omaha Beach duke dhënë jetën e tyre për lirinë e të tjerëve. Ajo që të habit, është se amerikanët janë gati ta bëjnë këtë përsëri.
Dhe padyshim ishte përpjekja e NATO-s, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo që i vuri fre diktatorit serb Slobodan Milosevic dhe fushatës së tij të pastrimit etnik në Kosovë, duke provuar para gjithë botës se në emër të lirisë, Shtetet e Bashkuara janë gati të luftojnë për lirinë e të shtypurve, pa dallim feje dhe besimi.
Kështu ndodhi edhe me Irakun. Rëndësia e përpjekjeve të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara për të çliruar Irakun dhe për të vendosur një qeveri demokratike për të parën herë në historinë e këtij vendi nuk mund të nënvleftësohet. Nuk është hera e parë që Shtetet e Bashkuara janë ndeshur me kamikazë dhe vrasës masash në kurthin e kulteve të tyre të vdekjes. Kamikazët japonezë gjatë Luftës së Dytë botërore u përpoqën të bënin me Amerikën të njëjtën gjë që terroristët po përpiqen të bëjnë sot në Irak. Kamikazët dështuan atëherë dhe, po kështu, do të dështojnë edhe terroristët sot. Japonia u bë një demokraci; kjo do të ndodhë edhe me Irakun.
Ndryshimi ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe terroristëve islamikë është ky: Terroristët eksportojnë vdekje. Amerikanët eksportojnë liri. Surpriza, pra, nuk është në vendimin e qeverisë shqiptare për të dërguar më shumë trupa në Irak. Surprizë do të kishte qenë nëse shqiptarët nuk do ta bënin këtë.
Artikulli i shkruar nga diplomati dhe sociologu i njohur Fatos Tarifa, ish-ambasador i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara (2001-2005), është marrë nga gazeta The Washington Times, 27 mars 2005 (Titulli origjinal: "Albania Stands with the U.S. in Iraq". Në atë kohë, Qendra për Diplomaci Publike në Universitetin e Kalifornisë së Jugut (University of Southern California Center on Public Diplomacy), e vlerësoi këtë artikull si më të cituarin e ditës në shtypin amerikan. Për rëndësinë që ka ky artikull, si edhe në dritën e deklaratës së kryeministrit të ardhshëm të Shqipërisë, z. Edi Rama, pak ditë më parë, në rrethanat e një sulmi ushtarak eventual ndaj regjimit diktatorial në Siri, të cilin qeveria shqiptare do ta mbështesë, e botojmë më poshtë të plotë.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›