E Diel, 1 Nëntor 2026

Skenaristi: Si u krijua “Lulëkuqet mbi mure” dhe si mund të bëhej sot!

Prej vitesh publicisti Petraq Qafëzezi gjendet në Itali bashkë me familjen e tij. I pensionuar prej kohësh, me një kontribut të madh në fusha të ndryshme të artit shqiptar, ai ndan emocionet e tij, por edhe shumë e shumë gjëra që lidhen me aspekte të ndryshme të jetës sociale shqiptare. Ilir Çumani, aktiviteti i njohur i Jetimëve, ka mundësuar intervistën dhe më shumë se kaq predispozitën e Qafëzezit, që jetën e vet e ka nisur si jetim...
Si ju lindi ideja për librin, që më vonë u mbështet për skenarin e "Lulëkuqeve mbi mure"?
"Para se të shkruaja romanin 'Bonjakët' kisha botuar në shtypin letrar shumë poezi, dhe me dhjetëra tekste këngësh për festivalet e Radio-Televizionit shqiptar, ndërsa në prozë nuk kisha botuar as edhe një rresht me përjashtim të disa reportazheve, të cilat i kisha shkruar për gazetën "Zëri i Rinisë".
Idenë për të krijuar romanin, m'a dha shkrimtari i talentuar dhe shoku im i mirë Vath Koreshi. Kur rrinim bashkë ,unë, vazhdimisht, i tregoja episode nga jeta në strehën vorfnore para çlirimit dhe në jetimoret, siç u quajtën mbas çlirimit. Sepse ato momente, për fatin tim të mirë, nuk më ishin shlyer nga kujtesa dhe për ato pjesë jete kisha një transparencë për t'u pasur zili.
Në fillim shkrojta gati njëqind faqe, ashtu si më vinin ndërmend ngjarjet dhe pa pretenduar se po bëja ndonjë gjë të madhe, roman për shembull, ndërkohë ato që shkrojta ja tregova Vathit. Ai i lexoj dhe më tha:- Vazhdo kështu se po i tejkalon parashikimet e mija. Këto fjalë më dhanë zemër dhe vazhdova deri sa e përfundova. Pikërisht, mbas përfundimit, miku im më bëri një mori vërejtjesh, por pa më demoralizuar, kështu që m'u desh ta rifilloj edhe njëherë nga e para dhe mbas përfundimit , mbetëm të kënaqur të dy, dhe pa e botuar ende e dërgova në një konkurs që kishte shpallur Shtëpia Botuese "Naim Frashëri" dhe për çudinë time fitova çmimin e parë. Ky çmim ishte një kënaqësi e veçantë . Më vonë romani u botua dhe u ribotua tre herë dhe një herë në gjuhën greke".

Ky sukses mendoni se ndikoi edhe për filmin...
"Edhe për skenarin e filmit 'Lulëkuqet mbi mure' ishte po Vathi që më lidhi me regjisorin e talentuar zotin Dhimitër Anagnosti, i cili pasi e lexoj romanin më propozoj bashkëpunim , gjë që e prita me kënaqësi, mbasi ja njihja vlerat jo vetëm si regjisor por edhe si skenarist i mirëfilltë. Në fillim e shkrova unë ashtu siç dija dhe më pas e rikrijoj Dhimitri duke e sjellë në gjuhën e një filmi të mirëfilltë artistik. Si për skenarin , ashtu edhe për filmin fituam çmimin e parë".

Nëse s'do e kishte ngarkesën e nevojshme politike për kohën, ç'farë lloj linje alternative mund t'i jepnit romanit dhe skenarit?
"Ngjarjet e romanit zhvillohen në një periudhë që fillon nga viti 1938 deri më vitin 1948. Kështu që domosdoshmërisht do të ndjehej jehona e Luftës së Dytë Botërore dhe në veçanti e Luftës Nacional-çlirimtare. Ndryshimet që mund të bëja sot për këtë roman do të ishin të vogla, ndoshta më kryesorja do të ishte që para çlirimit, në jetimoren e Korçës na shërbenin murgeshat, të cilat tregonin një përkujdesje të veçantë për ne, gjë që nuk ndodhi, mbas çlirimit kur u vunë në këto institucione njerëz jo me shpirt të madh që të rimbushin sadopak zemrat tona me përkujdesjen e nënave që na mungonin, gjë për të cilat kishim shumë nevojë".

Sa e vështirë ka qenë për të shpalosur idetë në atë kohë dhe ku qëndron ndryshimi në kohët tona?
"Nuk është e lehtë që në një sistem diktatorial të jesh ai që je në të vërtetë, që të jesh brenda konstruksionit tënd shpirtëror, pra që të jesh vetvetja. Kjo as që mund të mendohet, prandaj ka pasur edhe letërsi steriotipe dhe klishe, sepse shpesh herë kur përballeshe me një personazh negativ, në fillim të romanit e dije, apriori, që ky,do të ndryshonte, në fund të tij, nga forca e kolektivit dhe nga mësimet e partisë. 

Megjithatë, mendoj se ka pasur më shumë cilësi artistike, paçka se duhej të paguaje haraçin politik. Në kohën e demokracisë ka më shumë liri shprehje, më shumë liri mendimi, dhe më shumë hapësira, por nga mungesa e barrierës artistike, kanë vërshuar një mori romanesh dhe gjini të tjera , shumica e të cilave nuk kanë asnjë vlerë artistike. Këtu do të përjashtoja letërsinë dokumentare, që shumë nga ish të përndjekurit politik kanë shkruar libra dhe kanë bërë shumë mirë, mbasi është e domosdoshme që brezat që vijnë të dinë se si ka qenë sistemi totalitar dhe çfarë mënyra kanë përdorur për të ushtruar pushtetin despotik të tyre. 

Ndërsa për letërsinë e mirëfilltë, sot, më duket si shumë poshtëruese mënyra e shpërndarjes së librit. Mendoni për një moment lodhjen dhe mundimin për të krijuar një roman,a po gjini tjetër, gjetjen e sponsorit ose për të përballuar shpenzimet e botimit nga buxheti i krijuesit. Dhe kur libri përfundon, duhet të shkosh në shtypshkronjë me një makinë ose me një taksi për të marrë sasinë e librave që ke bërë kontratën, këto do ti futësh nëpër thasë dhe pastaj duhet të bredhësh kioskë më kioskë për të lënë një sasi dhe për të bërë pazar për çmimin e shitjes . A ka poshtërim më të madh që i bëhet krijuesit? Mendoj se jo!"

A ju duket që shoqëria shqiptare është tejet indiferente sot me jetimët?
"Kjo pyetje mund të shtrohej pak si ndryshe: A ju duket se qeveritë shqiptare tregojnë kujdes të veçantë për këtë kategori shoqërore, a po janë tejet indiferente për jetimët? E them kështu, mbasi, në shoqërinë e sotme shqiptare, vetëm një përqindje tepër e vogël kanë të ardhura dhe mund të jenë në gjendje që të kontribuojnë edhe për probleme sociale dhe, natyrisht nëqoftëse do t'a bëjnë këtë ,do të bëjnë shumë mirë se do të ndjenë në shpirtin e tyre një lehtësi përpara zotit, që kanë bërë një vepër humane. Por barrën kryesore, për mendimin tim, duhet ta ketë shteti, i cili jo me lekët e xhepave të tyre, por me kontributin e taksapaguesve të krijojnë kushte për mirërritjen e jetimëve dhe për krijimin e mundësive, që ata të integrohen në jetë me parametra lehtësuese dhe prioritare. Ndërsa për sa i përket pjesës dërmuese të shoqërisë, në qoftë se ata nuk janë në gjendje të përballojnë jetën brenda familjes së tyre, është logjike që s'kanë mundësi të jenë një mbështetje për jetimët. Unë them shpesh, që në pallatin ku jetoj, lus Zotin që të nëntëmbëdhjetë familjet, që jemi në një shkallë, të jenë më të pasura se familja ime, sepse kështu edhe mua mund të më japin diçka".

Ju shkon ndërmend të bëni një roman sërish për jetimët në kohën tonë?
"Të them të drejtën, nuk më shkon ndërmend të shkruaj një skenar për jetimët e ditëve tona, mbasi kjo krijimtari nuk është në natyrën time. Tjetër arsye është dhe fakti që nuk jam aspak në dijeni se si jetojnë fëmijët sot në shtëpitë e jetimëve". 

(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në suplementin MILOSAO të Gazeta Shqiptare) 

(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›