Lufta për pjesën gri
A ka një element që do ti jepte ngjyrën e vet të gjithë fushatës së Partisë Demokratike? A ka vetëm një, apo shumë me fuqi të njëjtë dhe kështu përpjekja për të identifikuar një karakteristikë dominante të kësaj fushate është e kotë? Me një përfshirje analitike të një rendi të caktuar, mund të thuhet bindshëm se ajo synon kapjen e vëmendjes së elektoratit gri, por jo thjesht kapjen e vëmendjes. Me gjasë edhe paralizimin e asaj pjese të këtij elektorati që mund të votojë kundër. Para se të mbrojmë këtë përfundim, ia vlen që në një mënyrë thjeshtëzuese të ofrojmë identikitin e një votuesi të pavendosur. Ky identifikim në listën zgjedhore kombëtare ka vështirësi, për shkak se grupi gri i votuesve nuk është homogjen, pra nuk ka disa karakteristika të përbashkëta, sociale, krahinore, kulturore, arsimore, moshore etj. Po ashtu, identifikimi vështirësohet ngase në konkurrimin vendor ka një numër shumë të madh kandidatësh për anëtarë këshillash, të cilët vënë në lëvizje farefiset e tyre etj. Sigurisht votuesi gri nuk vjen nga ajo pjesë e individëve të cilët janë punësuar për shtetin apo për pushtetin lokal, ku si rregull përfshihen armatat elektorale të dy grupimeve kryesore. Ai mund të jetë prej asaj pjese të qytetarëve, të cilët vërtet shqyrtojnë ofertën e kandidatëve, para se të votojnë dhe nuk kanë lidhje organike me njërën apo tjetrën palë. Në kushte normale, votues gri është pjesë e një grupi vërtet elitar individësh të shquar, të cilët nuk kanë përkatësi ideologjike të ngurtë, dhe që nuk kanë problem të ndërrojnë mënyrën si votojnë nga njëra palë zgjedhje, në tjetrën. Por mbi të gjitha, votuesi gri duhet të gjendet më masivisht tek rinia, pra tek ajo pjesë e elektoratit, e cila voton për herë të parë dhe ka shumë motive për rebelim ndaj prindërve duke mos votuar si ata. Elektorati i ri pa bindje ideologjike, si rregull është i angazhuar në shkollim, ku studion modele të ndryshme qeverisjeje dhe mundohet ti përqasë ato me realitetin vendor. Elektorati i ri në moshë, nuk ka memorie personale të bëmave të liderëve, në veçanti Berishës, duke fiksuar tek ai personazhin energjik që do ti mundë kundërshtarët me të gjitha format dhe asgjë tjetër. Nuk po përfshijmë në këtë analizë, si pjesë të këtij elektorati, individin që vjen nga shtresat më të varfra të popullsisë, si romët etj., i cili nuk ka problem ta shesë votën. Ndaj tij operojnë dinamika të tjera…
Po ofrojmë më poshtë një listë cilësish të fushatës, të cilët të çojnë tek bindja se kjo fushatë është e orientuar më së shumti tek votuesi gri. Retorika që kreu i kësaj partie po ushtron në gjithë Shqipërinë (me përjashtim të Tiranës), është paqësore. 21 janari është harruar, megjithëse në mënyrë të fshehtë synohet të kultivohet bindja se, nëse ndodh diçka qetësiprishëse, ajo vjen prej opozitës që në vazhdim të 21 janarit kërkon ta marrë me dhunë pushtetin. Antitetikisht fushatës së opozitës se këto zgjedhje janë politike, d.m.th që synojnë të ndryshojnë tërësisht qeverisjen edhe në nivel qendror, nga Berisha po synohet të krijohet ideja se këto zgjedhje janë thjesht administrative. Për këto arsye, përveç bilancit vetëlëvdues prej kësaj partie, po ofrohen premtime astronomike, të cilat të fyejnë inteligjencën nëse i merr në konsideratë, por ama duke e mbajtur fushatën brenda karakterit të shpallur. Po flitet për qytetarin pa dallim partiak. Zoti Basha, si kandidati më i spikatur i PD-së, po zhvillon një fushatë tërësisht lokale, të distancuar nga PD-ja, duke e treguar me gisht rivalin e vet si njeri që nuk e ka mendjen tek qyteti, por tek dëshira për kryeministër. Përtej faktit që kjo mënyrë e të bërit fushatë është demaskimi më i mirë i qeverisjes së Partisë Demokratike që spaska bilanc për të afishuar, që spaska model për të mbrojtur, kjo fushatë synon të manipulojë pikërisht votuesin gri, i cili me siguri nuk gjendet tek shumica dërrmuese e intelektualëve të Inisiativës për Tiranën. Lufta me Facebook, është e orientuar pikërisht ndaj votuesit gri, lexo ndaj votuesit me moshë të re, që kalon shumë kohë në Facebook. Këtij votuesi i bëhet thirrje edhe nëpërmjet Çiljetës, e cila hapi fushatën e Bashës.
Dhe më në fund edhe dhuna që më së shumti vjen prej simpatizantëve të partive në pushtet, është e orientuar kah votuesi gri. Nuk e kam fjalën këtu për guriçkat në xhamin e makinës së zotit Blushi, për të cilën pati një ortek të shpërpjesëtuar deklaratash, debatesh, emisionesh TV-je, kronikash dhe analizash në letër të shtypur etj, megjithëse dhe ajo me gjasë ishte punë çiliminjsh, d.m.th votuesi gri. Nëse ti shikon motivet më të shpeshta të dhunës së deritanishme, ajo lidhet më së shumti me flamujt, të cilët janë mjetet më invadente të kësaj fushate. Vendosja e egër e flamujve të një partie tregon dominim hapësinor (si në kohën e Enverit, dhe jo si në një kohë pluralizmi), tregon fuqi, diçka që duhet të impresionojë pikërisht votuesin e ri, pjesë e votuesit gri. Dhuna për flamujt, e cila ka bërë më së shumti viktima të reja në moshë, synon kështu në mënyrë të vetëdijshme të frikësojë më së shumti votuesin gri, i cili nëse sheh se ska mjedis të sigurt për të votuar, as nuk e merr mundimin të shkojë para kutisë.
Më duket se ishin shumë elementët që u evidentuan në favor të cilësimit të fushatës së PD-së, si fushatë për të kapur votuesin gri. Nëse bindeni njëlloj si unë për këtë përfundim, mund të shtroni pyetjen: e pse ndodh kështu? Kjo është një përgjigje e vështirë, për të cilën duhet shumë analizë shumëplanëshe. Mbase pse besohet se në kushtet e polarizimit të krijuar pas 21 janarit, kampet rivale të votuesve janë të disiplinuara dhe do të votojnë besnikërisht, ndaj lufta duhet zhvilluar pikërisht në fushën gri. Mbase se besohet që diferenca midis kampeve është aq e vogël, (përfshi dhe bindjen se LSI-ja është konstante), sa votuesi gri do bëjë diferencën. Po a janë të arsyeshme, ose jo këto bindje, kjo është diçka krejt tjetër.
