E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta për ujin

Numri i banorëve në planetin tonë po rritet në mënyrë dramatike. Njëkohësisht, për shkak të ndryshimit të klimës, shkretëtirat po zgjerohen, akullnajat po shkrijnë. Për këtë arsye, ekspertët tërheqin vërejtjen për luftën për një element të domosdoshëm për jetë: ujin.

Para 20 vjetësh një planifikues ushtarak izraelit u pyet se a ishte grindja për ujin e pijshëm ajo, që nxiti luftën në Liban në vitin 1982. Përgjigjja e tij:”Pse të hyhet në luftë për ujë? Me paratë që paguan për të luftuar një javë, mund të blesh pesë aparatura për të shndërruar ujin e njelmët në ujë të pijshëm”.

Ka tashmë qindra vjet që shtet luftojnë për minerale të rralla, siç janë ari, nafta dhe diamantet. Deri me tani, uji rrallë ka qenë një nga arsyet për fillimin e ndonjë lufte. Por kjo mund të ndryshojë shumë shpejtë. Në fillim të këtij viti u publikua një raport, hartimi i së cilit u kërkua nga State Departamenti amerikan, në të cilin u theksua se në periudhën afatmesme do të shtohet dukshëm rreziku nga luftërat për ujë.

Fajtorë për këtë zhvillim janë para se gjithash dy faktorë: shtimi dramatik i popullsisë dhe ndryshimet klimatike.

OKB-ja vlerëson se deri në vitin 2040, numri i banorëve të planetit tonë do të rritet nga 7 miliardë, sa ka sot, në nëntë miliardë. Atëherë, rezervat e ujit të pijshëm do të mbulojnë vetëm 70 për qind të nevojës. Për shkak të shkrirjes së akullnajave dhe zgjerimit të shkretëtirave mund të vijë deri te mungesa e ujit në rajonet me popullatë të dendur. Me fjalë tjera: uji do të bëhet po aq i vlefshëm se edhe ari dhe nafta dhe si pasojë, do të ketë edhe luftëra për ujë.

“Gjatë viteve të kaluara rreziku i një lufte për ujë është shtuar dukshëm para se gjithash në Lindjen e Afërt dhe Azinë Jugore”, thotë hulumtuesi i konflikteve, Ashok Svain, nga Universiteti Uppsala në Suedi. Izraeli ka tashmë disa dekada që grindet me fqinjët dhe me palestinezët për ujin e pijshëm nga baseni i Jordanit. Edhe pse shpërndarja e ujit është rregulluar me marrëveshjen paqësore të Oslos, në vitin 1994, dy palët po akuzojnë njëra-tjetrën se po shpenzojnë më shumë ujë se sa duhet.

Por potenciali më i madh për konflikt në rajon vjen nga lumenjtë Tigri dhe Eufrati. Qeveria e Turqisë planifikon që të ndërtojë 22 penda në juglindje të vendit, për ujitje dhe prodhim të energjisë, nëntë prej tyre tashmë janë kryer. Kjo nuk e gëzon aspak Irakun fqinjë. “Pendët e Turqisë kanë kufizuar dukshëm rrjedhën e lumenjve Tigri dhe Eufrat. Për shkak të problemeve të brendshme, Iraku deri me tani nuk ka mundur të kundërshtojë më seriozisht Turqinë në lidhje me këtë çështje. Por sa po të stabilizohet situata në Bagdad, do të shtohet edhe potenciali për konflikt me Turqinë”, thotë Svain.

Edhe situata në il është e ngjashme. Etiopia, vend ky i cili vuan nga thatësia, para ca kohësh nisi një projekt për ujitje me ujë nga Nili. Në të kaluarën, ish-presidenti i Egjiptit, Hosni Mubarak, është kërcënuar edhe më luftë:”Çfarëdo kufizimit i Nilit do të detyronte Egjiptin të hyjë në konflikt, për të mbrojtur të drejtat dhe jetët tona”.

Për aq kohë sa Kajro përballet me probleme të brendshme, Adis Abeba nuk ka arsye për t’u brengosur. Por sa po të përfundojë lufta për pushtet në Egjipt, eskalimi i konfliktit është më se i besueshëm. 30 për qind e egjiptianëve jetojnë nga bujqësia, e cila do të ishte e pamundur pa ujin nga lumi Nil.

Edhe bujqësia e Pakistanit varët nga një lum i vetëm: nga Indusi. Për këtë arsye qeveria pakistaneze me gjithë fuqinë po tenton të parandalojë projektet e armikut të përbetuar, Indisë, për të ndërtuar penda në këtë lum. Deri me tani pa sukses.

Më tutje në lindje, etja e Kinës për ujëra të lumenjve po bëhet një problem gjithnjë e më i madh. Në këtë vend jeton 20 për qind e popullatës së botës, por Kina ka vetëm tetë për qind të rezervave të ujit të pijshëm në botë. Për të furnizuar me rrymë industrinë e saj me rritje të shpejtë, Pekini në kuadër të planit të vet pesëvjeçar po vazhdon ndërtimin e pendëve në lumenjtë Mekong, Salven dhe Brahmaputra. Shtetet tjera më poshtë lumenjve po e përcjellin me brengë këtë projekt. Vietnami frikësohet se pendat mund të kufizojnë lumin Mekong, ndërsa India është e mendimit se pendët në lumin Brahmaputra mund të rrezikojnë furnizimin e popullatës së vet me ujë.

“Uji është molla e re e sherrit mes Indisë dhe Kinës”, thotë hulumtuesi i konflikteve dhe ish-këshilltari i qeverisë së Indisë, Brahma Chellaney. “Projektet kineze rrezikojnë interesat e shteteve që gjenden më poshtë lumenjve. Por asnjë shtet tjetër nuk do të humb më shumë se India”, thotë ai.

Në Kinë ka tashmë disa vjet që qarkullon plani për të ndryshuar rrjedhën e lumit Brahmaputra, në mënyrë që ai të mos rrjedhë më drejtë Indisë, por të ujitë tokat në Kinë.

Teknikisht është vështirë të realizohet ky projekt, por kryeministri i Indisë, Manmohan Singh, mbetet i brengosur dhe e konfronton Kinën vazhdimisht me këtë problem.

Potenciali për konflikt në Brahmaputra mbetet i madh, ngase ndarja e ujit nga lumi nuk është e rregulluar me asnjë marrëveshje mes dy shteteve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›