E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luftar Paja dhe Pëllumb Kulla, më të mirët në Kosovë

Pas shumë shfaqjesh, për një periudhe kohe prej një muaji në Fier, në skenën e Teatrit Kombëtar në kryeqytet dhe në skenat e disa prej teatrove në rrethe të ndryshme të Shqipërisë, trupa profesioniste e teatrit “Bylis” arriti të korrte sukses edhe në Festivalin Mbarëkombëtar të Dramës Shqipe, ” Flaka e Janarit”, në Gjilan të Kosovës. Komedia e mrekullueshme, e cila jo vetëm shkaktoi të qeshura në sallë, por edhe i bëri spektatorët dhe artdashësit kosovarë të mendojnë thellë për fatin e personazheve të një bote reale, të dhimbshme dhe me probleme, sidomos njerëzve të moshës së tretë në Shqipëri, nxori dhe aktorin më të mirë të këtij Festivali. Ai është Artisti i Popullit Luftar Paja. Realiteti shqiptar në këtë kohë ende në trazicion, i përcjellë mjeshtërisht nga pena e regjisorit dhe dramaturgut Pëllumb Kulla, vlerësoi këtë të fundit me çmimin si autori më i mirë i pjesëve shqipe të paraqitura në këtë event kulturor. Ndërsa trupa fierake me këtë pjesë arriti të rrëmbente nga juria e festivalit çmimin e Mirënjohjes. Komedia me brendinë e saj sa tragjike dhe komike ngërtheu spektatorin dhe artistët pjesëmarrës në sallën e Teatrit të Gjilanit. Edhe pse temperaturat ishin të ulëta, loja e kësaj trupe arriti të sillte ngrohtësi për artistët pjesëmarrës të tetë trupave që garuan me pjesët e tyre në këtë skenë festivali mbarëkombëtar. Në Festivalin “Flaka e Janarit” morën pjesë nga Shqipëria trupa teatrore e Durrësit, e Shkodrës dhe e Fierit, ndërsa nga Kosova trupa teatrore nga Prishtina, Gjilani, si dhe trupa teatrore nga Maqedonia. Drama satirë “Milioneri”, e cila mbart tashmë në vete tre çmime, ka si element të saj fatin e një protagonisti i cili ndërthuret me elemente tragjike, si vetë realiteti ku ai jeton, bardhë e zi. I vetmuar, me bashkëshorten e tij vdekur prej kohësh, me 2 fëmijë të shpërndarë “si zogjtë e korbit” në emigracion dhe me një pension qesharak, Shaqoja, i luajtur mjeshtërisht nga Artisti i Popullit Luftar Paja vendos t’i jap fund jetës duke pirë helm. Pikërisht këtu fillon edhe tragjizmi i tij. Në kohën më të padëshiruar dhe më të pamerituar atij i bie lotaria 250 milionëshe. Një galeri personazhesh “nxitojnë” t’i japin “ndihmë” për të mos vdekur. Vjen urgjent djali, nusja e djalit, miqtë dhe shokët e harruar, personeli i lotarisë, policia e deri te mjekët e urgjencës, të cilët “e qethin” deri në qindarkën e fundit. Si në një rrotacion të dhimbshëm, protagonisti ynë mbetet sërish i varfër, aty në pikënisjen e helmit. I mbetur sërish vetëm, veç djalit që kupton dhimbjen e atit, ai përpiqet sërish të çojë edhe njëherë përpjekjen e dështuar të të dhënit fund jetës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›