E Shtunë, 31 Tetor 2026

Laçi fiton dhe kalon Tiranën në renditje

SHKRUAN: Jeton Selimi 29-01-2011 11:19

Festë kurbinase në përfundim të 90 minutave të luajtura në stadiumin e Laçit, ku vendësit kanë arritur t’u imponohen miqve nga Kruja, falë dy golave të kroatëve që kanë mbushur radhët e skuadrës së Nicës në këtë merkato. Që në shkëmbimet e para të topit, bardhezinjtë janë treguar agresivë, duke lënë të kuptohet se ajo e djeshmja, ishte dita e tyre. Në fillim ka shënuar qendërmbrojtësi kroat Buljan, në minutën e 17-të. Ka qenë një aksion perfekt i Vangjel Miles, që bën gjithçka mirë dhe e lejon shokun e tij të skuadrës që përballë portierit Halili të mos e ketë aspak të vështirë ta shtyjë topin në rrjetë. Goli i bën edhe më kërkues laçianët, ndërsa Kastrioti kërkon të mbrohet me shpresën për të rikuperuar diçka në pjesën e dytë të ndeshjes. Kur dukej se gjithçka do të mbyllej 1-0 përsa i përket fraksionit të parë, ka ardhur edhe goli i “KO”-së për krutanët. Dragiçeviç do të shënojë një gol mjaft të bukur, për t’u dhënë qetësinë e nevojshme të tijve, për të përballuar 45 minutat e dyta, minuta të cilat nuk kanë pasur agresivitetin e duhur nga Kastrioti për të ndryshuar diçka.

Të tjerat

Sa i takon ndeshjeve të tjera të javës së 18-të, ato do të luhen sipas këtij kalendari: Të shtunën, Skënderbeu do të presë në shtëpi Bylisin, një ballafaqim mes dy ekstremeve të tabelës së klasifikimit, ku korçarët duken të favorizuar, për mjaft arsye. Megjithatë, në futboll nuk flitet kurrë për gjëra të sigurta, kështu që do të jetë fusha e lojës, ajo që do të vendosë. Një ditë më pas, të dielën, do të luajë Flamurtari me Shkumbinin, në Vlorë, ku kuqezinjtë e drejtuar nga Gugash Magani duken të vendosur të marrin 3 pikët dhe të ruajnë kreun e klasifikimit. Po të dielën, në “Niko Dovana“, Teuta do të ketë mysafire Vllazninë e Shkodrës, e cila renditet në vendin e tretë të superligës dhe ka plot 11 ndeshje radhazi pa u mundur. Besa-Elbasani është sfida tjetër e kësaj jave, që do të luhet të dielën. Verdhezinjtë e drejtuar nga Gerti Haxhiu do të kenë përballë verdheblutë e fundit në renditje, që janë edhe më të rrezikuarit për të rënë një kategori më poshtë. Në të tilla pozita, të rrezikuara, ndodhet edhe Besa, me 15 pikë, kështu që maksimumi në këtë përballje direkte do të thotë shumë për të dyja palët.

Të hënën do të luhet ndeshja përmbyllëse e javës së 18-të, ku Tirana dhe Dinamo do t’i ftojnë tifozët në derbin kryeqytetas. Të dyja skuadrat kanë pozita kreu, me synime për t’u ngjitur sa më lart, ndaj ky 90-minutësh është mjaft grishës për sportdashësit, por edhe përcaktues për të ardhmen e luftës së secilës për titullin kampion.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›