Datëlindja e Kadaresë festohet në një shtëpi hua
Gjirokastritët- kanë festuar datëlindja e Kadaresë në një shtëpi të marrë hua. Në 75-vjetorin e lindjes së korifeut të letrave shqipe, Ismail Kadare, një grup intelektualësh gjirokastritë, miq të shkrimtarit, kanë festuar nën moton “Datëlindje në një shtëpi hua”, duke kërkuar kështu në mënyrë simbolike dhe rinisjen e punimeve për restaurimin e shtëpisë së tij të lindjes, në Gjirokastër. Kërkesa e tyre u është drejtuar publikisht drejtuesve të pushtetit lokal, mediave si dhe përfaqësuesve të UNESCO-s, gjatë aktivitetit “Datëlindje në një shtëpi hua”, zhvilluar në përvjetorin e lindjes së shkrimtarit. Në shenjë simbolike për bllokimin e punës për restaurimin e banesës së lindjes së Kadaresë, miqtë e tij i zhvilluan festimet e përvjetorit të shkrimtarit në banesën e gurtë të Skënduljave. “Veprimtaria, të cilës i vumë për emër ‘Datëlindje në një shtëpi hua’, klasifikohet prej nesh në rastet kur aktet intelektuale janë kontestim, mospranim dhe një lloj opozite”, - pohohet në deklaratën e përbashkët të publikuar nga miqtë e Kadaresë.
Sipas kësaj deklarate, vonesa e pajustifikuar në ndërtimin e shtëpisë së shkrimtarit dhe për më tepër mospërdorimi i fondeve të ngrira prej dy vjetësh, për ta është e papranueshme, veçanërisht kur ky fond administrohet nga UNESCO. “Ky grup intelektualësh, aq sa e shpreh ai ndërgjegjen e qytetit, dëshiron të dëshmojë gjithashtu se nuk duhet të ketë asnjë mosmarrëveshje midis qytetit dhe shkrimtarit të madh që ka lindur”, pohohet në deklaratën e përbashkët të intelektualëve gjirokastritë, miq të Kadaresë. Sipas përfaqësuesve të firmës restauruese, e cila po zbaton projektin për kthimin në identitet të banesë së gurtë, punimet janë ndërprere për shkaqe pronësie. Puna për restaurimin e saj nisi pas djegies së shtëpisë së gurtë nga një zjarr aksidental. Gjatë viteve të fundit në banesën e Kadaresë janë investuar rreth 200 mijë dollarë, ndërkohë që UNESCO, nëpërmjet një financimi me të njëjtën vlerë, synon të përfundojë plotësisht restaurimin e banesës së gurtë dhe shndërrimin e saj në një qendër për nxitjen e kulturës dhe turizmit në Gjirokastër. Në shtëpinë e shkrimtarit të shquar Ismail Kadare ka përfunduar tashmë faza e parë e punimeve me një investim prej 10 milionë lekësh të Ministrisë së Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve. Kjo fazë përfshinte ringritjen e godinës pas shkatërrimit nga djegia. Pasi u përzgjodh firma që do të merrej me restaurimin (fazën e dytë të projektit), nga UNESCO, me një financimi me vlerë 165 000 USD, puna ka mbetur në vend. Gjatë fazës së parë të punimeve në shtëpinë e Kadaresë janë bërë disa zbulime të rëndësishme për historinë dhe vjetërsinë e ndërtesës, si harqet e kamares së çardakut dhe të hyrjes së shkallëve në pjesën ballore, si dhe zbulimi i një pllake me të dhënat tipologjike për banesën, me dy mbishkrime, njëri në gjuhën turke, "Viti 1677".