E Martë, 3 Nëntor 2026

Luftë korrupsionit në Polici, Balla: Vetëpastrimit do i shkohet deri në fund

Policia e Shtetit vlerëson se bashkëpunimi i agjencive ligjzbatuese dhe denoncimet private po e lehtësojnë luftën kundër vatrave të krimit në vend.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i kushtoi të premten (11 gusht) një postim falënderues qytetarëve dhe medieve të ndryshme, të cilat i njoftojnë organet përkatëse..

Ministri Balla tha se Policia e Shtetit ka hyrë në një fazë vetëpastrimi.

“Vetëpastrimi i Policisë së Shtetit është një proces, i cili ka hyrë në një fazë të re dhe që do t’i shkohet deri në fund. Forcimi i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese dhe lufta e përbashkët për spastrimin e vatrave të krimit përballë dhe brenda vetë organizatës së Policisë së Shtetit, do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit.

Të gjitha fijet që rrjedhin informacion sensitiv duhet të priten, përfshirë këtu çdo lloj forme komunikimi me aplikacione të ndryshme të përdoruara nga krimi, të cilat duhet të hetohen plotësisht dhe personat e përfshirë përjashtim dhe vendosje para ligjit,” theksoi Balla.

Përmes ankesave dhe raportimeve nga individët, janë zbuluar raste të korrupsionit dhe shkeljes së Kodit Etik të Policisë, tha Balla, dhe ato janë trajtuar shpejt.

“Sot dua ta ripërsëris për çdo efektiv të Policisë së Shtetit, se lufta kundër korrupsionit nuk nis jashtë nesh, por fillon nga brenda radhëve tona.

Agjencia e Mbikëqyrjes së Policisë duhet të bëjë detyrën në nivelin e pritshmërive të Kryeministrit, të mijat si Ministër dhe të publikut, në çdo rast dhe menjëherë!“

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›