Eurogrupi, 110 miliardë euro për tre vjet
Ministrat e Financave të zonës euro kanë arritur një marrëveshje mbi një plan ndihmash për Greqinë, e barabartë me 110 miliardë euro për tre vjet. Kështu bëjnë me dije burimet diplomatike. Ndihma, ashtu siç ishte parashikuar, do të mbulohet në masën dy e treta nga vendet e Eurozonës (rreth 80 miliardë), ndërsa pjesa tjetër do të merret përsipër nga FMN-ja. “Jam i bindur se tregjet do të reagojnë pozitivisht ndaj marrëveshjes së arritur”, theksoi Paul Thomsen, kreu i misionit të FMN-së, që ka negociuar në Athinë me qeverinë e Giorgio Papandreu-t. Thomsen, ashtu siç citojnë mediat greke, ka nënvizuar se Athina mund të jetë e detyruar për masa të reja nëse të dhënat makroekonomike do të ndryshojnë. Për sa u përket ndihmave, Thomsen ka siguruar se financimet do të vijnë para 19 majit. “Eurogrupi vendosi në unanimitet të aktivizojë planin e ndihmave për Greqinë”, tha presidenti i ministrave të Eurozonës, Jean-Claude Juncker. Ai konfirmoi gjithashtu se plani është dhe vetëm për 2010-n Eurozona do të paguajë 30 miliardë euro. Një tjetër mbledhje mes ministrave të Financave të BE-së do të mbahet të premten. Ajo do t’i hapë rrugë përfundimisht paketës së ndihmave.
Ndërkaq, Kryeministri grek, Jorgo Papandreu, u shfaq në televizion të dielën në mëngjes për t'i thënë kombit se marrëveshja do të përfshinte sakrifica të mëdha, duke përfshirë edhe angazhimin për të ulur pagat e sektorit publik dhe pensionet. Pikat kryesore të këtij programi janë rritja e taksës mbi vlerën e shtuar, rritja e taksës së duhanit, alkoolit dhe karburantit, rritja e moshës mesatare të pensionit në 63.4 vjeç, si dhe heqja e pagës mujore të 13 dhe të 14 në administratën publike. Deri në vitin 2012 janë të nevojshme masa kursimi në një vëllim prej 30 miliardë eurosh. Borxhi i Greqisë do të arrijë deri më 2013-n, në 140%. Vetëm në fund të vitit 2014 ekonomia greke do t'u rikthehet ritmeve pozitive të zhvillimit.
Në mbledhjen e qeverisë të dielën në mëngjes, bëri të ditur se nevoja financiare e Greqisë është rreth 60 miliardë euro në vit.
Papandreu tha se kjo periudhë vuajtjesh do t'i japë Greqisë një hapësirë të re, e cila do të bëjë që vendi të ecë përsëri me këmbët e veta. Përndryshe, tha ai, vendi përballet me falimentim.
“Greqia ka nevojë për një ndihmë financiare prej 60 miliardë eurosh në vit. Askush nuk mund ta imagjinojë dimensionin e borxhit që qeveria e mëparshme ka lënë. Ju premtoj që në fund të mandatit tonë 4-vjeçar vendi do të ketë shpëtuar nga falimentimi”. Nga ana tjetër, Komisioni Europian tha se planet greke janë "një paketë solide dhe e besueshme". Mendohet se paketa e ofruar do të ketë vlerë prej 160 miliardë dollarësh për tre vjet. Ekspertët kanë paralajmëruar se kriza e borxhit grek mund të përhapet edhe në vende të tjera të zonës euro, si pasojë e efektit domino. Presidenti i Komisionit Europian, Manuel Barroso, tha të dielën se masat e negociuara me Greqinë janë "solide dhe të besueshme". “Ndihma për Greqinë është mjaft e rëndësishme për stabilitetin e euros”, tha ai. Politikat e varfra fiskale të qeverisë së mëparshme greke e kanë lënë vendin me një borxh prej 115 për qind të prodhimit të përgjithshëm bruto. Në fillim të kësaj jave, agjencia “Standard and Poor’s” e uli vlerësimin për Greqinë. Kriza e borxhit grek duket se është sfida më e madhe me të cilën po përballet Eurozona deri tani. Disa analistë paralajmërojnë se nëse vendet anëtare të Eurozonës nuk veprojnë shpejt dhe me vendosmëri, bashkimi monetar mund të shpërbëhet. Por edhe pse marrëveshja është vlerësuar pozitivisht nga Komisioni Europian, Kancelarja Merkel e ka vënë theksin te nevoja për të riparë rregullat, duke parashikuar pezullimin e së drejtës së votës për vendet që nuk respektojnë angazhimet financiare. Shtetet e Eurozonës, të cilat shkelin limitin e deficitit buxhetor të vendosur nga Bashkimi Europian, do t'u hiqet përkohësisht e drejta e votës në Bashkimin Europian. Me Gjermaninë është dakord edhe Franca.