E Diel, 1 Nëntor 2026

Trukimet, ja si Sculli shantazhonte Toni-n për fotot intime me femrat

Gjykata në Romë dha dje vendimet e parë në lidhje me skandalin e basteve të shpërthyer pak muaj më parë ku përfshihej edhe kapiteni i skuadrës së Atalantës dhe ish-futbollisti i kombëtares italiane, Cristian Doni. Gjykata gjeti fajtor Doni-n dhe e dënoi atë me 2 vjet larg futbollit profesionist, 1 vit e 8 muaj pezullim u dha për lojtarin Gervasoni, 16 muaj për Pederzolin, ish-lojtarë të skuadrave që luajnë në Serinë B të kampionatit italian. Ndërkohë, Atalanta u penalizua me 2 pikë, çka do të thotë që bergamaskët do ta nisin sezonin e ardhshëm me -2 pikë, Groseto u penalizua me -6 pikë dhe -2 pikë Modenës. Ndërkohë, mbetet në fuqi arresti me burg për ish-kapitenin e Lacios, Stefano Mauri dhe Omar Milanetto-n.
Ja si Sculli shantazhonte Toni-n
Hetimet për trukimin e ndeshjeve të kampionatit italian deri në vitin 2011 sa vijnë e zbardhin akoma më shumë skemën mashtruese. Në një raport të hetuesve e të publikuar nga mediat italiane, flitet se si sulmuesi i Xhenoas, Giuseppe Sculli dhe i konsideruari si truri i gjithë skemës, boshnjaku Safet Altiç tentojnë të detyrojnë Luca Toni-n, në atë kohë lojtar i Xhenoas për të bashkëpunuar me ta në fiksimin e ndeshjeve. Nga përgjimet telefonike të Sculli-t del në dritë biseda mes tij dhe Altiç e datës 3 maj 2011, kur sulmuesi i Xhenoas i flet boshnjakut për se kishte në dorë letrat e duhura për ta bindur Toni-n, që ata e thërrasin Pepperone. Sculli e Altiç flasin për disa foto intime të lojtarit shtatlartë me disa vajza. Nëse Toni nuk bashkëpunonte, Sculli kërcënon se do tia dorëzojë ato bashkëshortes së tij, Marta Cecchetto. Nga hetimet e deritanishme del qartë roli kryesor i Altiç në fiksimin e ndeshjeve. Boshnjaku kishte kontakte të vazhdueshme telefonike me Sculli por edhe me lojtarë të tjerë të Xhenoas, si Milanetto-n, Criscito-n dhe Kakha Kaladze.

Rënie dhe në kuotat e basteve të luajtura

Skandalet, bie pasioni për futbollin

Instituti Datamonitor ka krye një sondazh në Itali, për të analizuar çfarë mendojnë njerëzit pas skandalit të radhës së basteve në vend. Në përfundim shifrat janë alarmante, duke konfirmuar se pasioni për sportin më popullor ka rënë, ndërsa sjellja e tifozëve ndaj futbollit ka ndryshuar me 54 për qind. Si tifoz çfarë reagimi keni pas skandalit të basteve?, ishte një nga pyetjet e bëra pas operacionit Neë Last Bet, në të cilin janë përfshirë edhe lojtarë të Serisë A, të Kombëtares italiane dhe drejtues sportivë. 21.4 për qind e të intervistuarve i janë përgjigjur kësaj pyetje se e prisnin diçka të tillë dhe nuk u çuditën, ndërsa 62.7 për qind shprehu neveri dhe shfaqi shenja zmbrapseje. Përveç faktit që sipas statistikave sjellja ndaj futbollit ka ndryshuar me 54 për qind, 51.5 për qind e tifozëve të marrë në pyetje kanë deklaruar se pas hetimit nga Prokuroria e Kremonës, futbollit italian nuk i kanë mbetur më vlera. Skandalet kanë ndikuar mbi të gjitha të pasioni i mbështetësve, pasi 45,2 për qind e të intervistuarve ka pranuar se tashmë nuk ndihet më tifoz i dashuruar me skuadrën e tij. Ky është një konfirmim se imazhi i markës së futbollit italian ka marrë një goditje të rëndë, e cila mund të ndikojë kryesisht te financat e klubeve. Trendi negativ mund të reflektohet edhe në sektorin e basteve dhe ky fenomen është vënë re edhe në skandalet e mëparshme. Në vitin 2011, efektet negative nga skandali i basteve kanë bërë që gjatë vitit të kaluar kuota e basteve të ishte 3 miliardë e 849 milionë euro. Në Itali janë luajtur 547 milionë euro më pak, e thënë me statistika shifrat e basteve kanë qenë 12.4 për qind më të ulta se në vitin 2010, kur ato arrinin 4 miliardë e 396 milionë euro.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›