Mesi: Sezonin e tjetër do të fitojmë gjithçka
Ylli i madh argjentinas i futbollit botëror dhe i Barcelonës, Lionel Mesi, ende në këtë moment nuk e ka harruar dështimin e skuadrës së tij në Champions, në edicionin e fundit në radhë, që ka shpallur për fitues në mënyrë të paparashikueshme dhe të papritur për shumë njerëz, Chelsin e Roberto Di Mateos. Fituesi i “Topit të Artë”, tre herë radhazi, mendon ende për eliminimin e padrejtë, sipas tij, të Barcelonës në gjysmëfinale të këtij kompeticioni nga anglezët e Chelsit. Siç dihet tashmë, edhe pse e dominuan këtë përballje të dyfishtë me londinezët, si në kryeqytetin anglez, edhe në “Kamp Nou”, katalanasit u eliminuan me rezultatin e përgjithshëm 3-2. “Nuk e fitova titullin kampion në Spanjë, ashtu edhe Champions Ligë, por duhet të them se më ka mbetur më shumë peng dështimi në trofun e fundit. Jam shumë i zemëruar për mënyrën se si u larguam në gjysmëfinale të Champions Ligës, sepse ishte një eliminim i pamerituar në favor të Chelsit. Zhgënjimi personal është më i madh, sepse humba një penallti në ndeshjen e kthimit”, është shprehur argjentinasi për mediat spanjolle. Më tej, duke analizuar performancën individuale në sezonin që u mbyll, Lionel Mesi ndihet i plotësuar: “Jam shumë i kënaqur me sezonin tim, por kjo del në plan të dytë aktualisht. Ashtu siç e thashë më lart, kemi mbetur të pakënaqur me mënyrën se si u eliminuam në gjysmëfinale të Champions Ligës nga Chelsi. Na ka mbetur peng mosfitimi i Championsit, sepse ishim shumë afër këtij objektivi sezonal”. Sezonin 2011-2012 skuadra e Pep Guardiolës, i tërhequr tashmë nga stoli i blaugranëve, e mbylli me një trofe, fitimin e Kupës së Mbretit, pak për oreksin e Barcelonës dhe ambicieve të saj. Gjithsesi, për Mesin ky fakt përbën një shtysë më tepër që edicionin pasues Barcelona të ketë “të korra” më të mbara. “Ne do të luftojmë për të fituar më shumë tituj në sezonin e ardhshëm, ndërsa me ekipin kombëtar do të përpiqemi të sigurojmë një vend në Kampionatin Botëror”, ka përfunduar argjentinasi komentin e tij në një konferencë për mediat. Ndërkohë, duhet të theksohet se ylli argjentinas, Lionel Messi është gjallë, mirë, dhe aktualisht po qëndron në Argjentinë. Këtë e konfirmoi edhe babai i tij, Horge Mesi, i cili ka akuzuar rëndë “FOX Sport” për lajmin e rremë, se ka vdekur Lionel Mesi, pas problemeve me zemër. “Ky është tmerri i mediave. Një lajm i trishtuar dhe i rremë ka lënduar familjen tonë. Mediat po bëjnë çdo gjë për të shitur lajme në emër të fëmijës tonë. Të tilla media kërcënojnë shoqërinë e shëndoshë. Kërkojmë nga ata që të japin një sqarim më të hollësishëm për atë që kanë shkruar”, është shprehur Horge Mesi, babai i Leo Mesit në një televizion argjentinas, në të cilin ishte bashkë me gruan e tij, nënën e Mesit dhe vajzën e tij.