E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luftëtari, heshtja është flori

Nga  SOKRAT PAPADHOPULLI

Trajneri Dede ka pohuar se futbollistët e ekipit gjirokastrit e kanë të ndaluar të flasin për mediat, të paktën përkohësisht

E marta është konsideruar ditë ters dhe kjo u vërtetua edhe dje, kur stafi i Luftëtarit ka vendosur që të paktën përkohësisht futbollistët e këtij ekipi të mos japin intervista për shtypin. Këtë vendim e ka konfirmuar vetë trajneri Nevil Dede. Mundet që kjo zgjidhje të jetë në përputhje me parimin, që thotë se shpesh heshtja është flori. Ndërkaq, ky ekip vazhdon përgatitjet për ndeshjen me Vlorën në fushën e saj.

Për shkak të motit të vështirë procesi stërvitor është bërë në pallatin e sportit të qytetit dhe në fushën e futbollit Lefter Millo të Derviçanit , 4-5 kilometra në jug të Gjirokastrës, por edhe pak në stadium, ku dje u luajt ndeshja e kontrollit me të rinjtë. Luftëtari ka disa futbollistë, të cilët sapo kanë ardhur nga superliga, ose janë me kombëtaren U-21, ku mund të përmenden Devolli, Nora, Çaço, Nino, Hithi, Baci dhe Mersini, që përbëjnë gardën e tij.

Po ashtu, ka edhe të tjerë futbollistë cilësorë, edhe pse mund të kenë sezone pa luajtur në superior, ose nuk kanë luajtur fare atje. Nga vendasit kanë njëfarë përvoje superlige Sinani, Shalari, Bistri, Gaxhaj, Stoja dhe Zholi, të cilët kanë qenë në përbërje të ekipit të sezonit 2006-2007, kur Luftëtari luajti për herë të fundit në këtë kategori. Pjesë e ekipit në atë kohë ishte edhe Braho, i cili edhe më pas luajti me ekipe të tjera të superiores.

Vlora Të shtunën Luftëtarit i duhet të fitojë në Vlorë, sepse të mërkurën, pra pas një jave, pret Kukësin dhe gjithë gjasat janë që ky ekip do të fitojë në fundjavë. Kështu, ekipi gjirokastrit duhet të bëjë çmos për të pasur avantazhin e 3 pikëve në finalen me kuksianët.

Luftëtari, me 4 fitore 1 barazim dhe 2 humbje në transferta, do të ndeshet me Vlorën, që në shtëpi ka regjistruar 3 fitore, po aq barazime dhe 1 humbje. Këta janë treguesit e deritanishëm dhe gjirokastritët pretendojnë të kthehen me 3 pikë nga Vlora, gjë që është e mundshme.

Me rikthimin e Devollit dhe Norës është konstatuar një rritje në lojën e futbollistëve vendas që kanë qenë edhe sezonet e mëparshme në përbërje të ekipit, por edhe blerjet  janë më cilësore se herët e tjera. Pra, Luftëtari është ndër ekipet më të afta dhe më të kompletuara të kategorisë së parë. Dhe, nëse heshtja është vërtet flori, po e tillë është edhe fitorja.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›