E ardhmja e Partizanit svaret nga Mbrojtja, por nga Ministria e Ekonomisë
Dikasteri i mbrojtjes ka përpiluar të gjithë dokumentacionin për krijimin e shoqërisë së re aksionare, dokumentacion që i ka kaluar Ministrisë së Ekonomisë
Për Partizanin thuhet se po kalon ditët e fundit në varësi të Ministrisë së Mbrojtës, pasi për punë ditësh, klubi pritet të dalë në shitje. Sipas shefit të kabinetit të ministrit të Mbrojtjes, Mentor Beqja, dikasteri i ushtrisë e ka bërë gati të gjithë dokumentacionin, që ka të bëjë me regjistrimin e sh.a-së, materiale të cilat i kanë kaluar Ministrisë së Ekonomisë.
Pra, e ardhmja e Partizanit varet nga Ministria e Ekonomisë, e cila do të merret me regjistrimin në QKR, si dhe me ankandin që ka të bëjë me shitjen. Gjithsesi, Ministria e Mbrojtjes do të vijojë mbështetjen e skuadrës deri në momentin që do të përfundojë shitja.
Ne si Ministri e Mbrojtjes kemi bërë gati të gjithë dokumentacionin në Ministrinë e Ekonomisë për çështjen e regjistrimit të sh.a.-së. Prej disa ditësh e kemi dërguar dokumentacionin në Ministrinë e Ekonomisë dhe është ky dikaster që merret me këtë punë. Besoj se është çështje ditësh dhe Ministria e Ekonomisë do ti çojë dokumentet në QKR, ku shpresojmë se do të regjistrohet dhe sh.a-ja.
Më pas është thënë se ajo do të dalë në shitje, por Ministria e Mbrojtjes nuk merret me blerës apo shitës. Me këtë çështje merret Ministria e Ekonomisë. Në momentin që krijohet sh.a.-ja, gjithkush është i lirë të investojë në bazë të të gjitha rregullave dhe ligjeve në fuqi,- u shpreh për dje për mediat shefi i kabinetit të Ministrit të Mbrojtjes, Mentor Beqja.
Gjyqi me Xhanin Prej më shumë se një viti, ministria është në proces gjyqësor me shoqërinë e administruar nga Albert Xhani, i cili së fundi ka akuzuar ministrinë si shkatërrimtaren e Partizanit. Gjithsesi, dikasteri në fjalë nuk kërkon të merret me akuzat e Xhanit, pasi për ata, ai e bën këtë gjë për të tërhequr vëmendjen.
Gjithçka që ka të bëjë me çështjen e tokave dhe pronave ka qenë dhe është kompetencë e Komisionit të Verifikimit dhe Kthimit të Pronave, jo e dikasterit të mbrojtjes. Sipas Beqajt, gjyqi me shoqërinë e Xhanit, i cili vijon në Gjykatën e Apelit, nuk ndikon në krijimin e shoqërisë së re aksionare, pasi ai proces ka lidhje thjesht me logon e skuadrës.
Nuk ka asnjë lidhje krijimi i shoqërisë së re aksionare me procesin gjyqësor që ministria ka me zotin Xhani. Gjyqi është për logon dhe procesi ka kaluar në Apel. Nëse Gjykata e Apelit vendos që logoja ti kalojë ministrisë, atëherë ajo do ti bashkangjitet sh.a.-së që po krijohet. Gjithsesi, për këtë duhet të presim vendimin,- përfundon Mentor Beqja
Të kuqtë, sot përballë Olimpikut
Ndonëse ka shumë zhurmë rreth së ardhmes së Partizanit, stafi teknik i vijon me përkushtim përgatitjet, pa u influencuar nga lajmet që vijnë jashtë fushës. Me ardhjen e Rezart Mahos dhe pothuajse të Klodian Asllanit, Partizani ndihet akoma më gati për pjesën e dytë, gjithsesi pritet edhe një mesfushor. Sot është planifikuar që Partizani të kryejë një tjetër ndeshje miqësore, ku në orën 14:00 do të jenë përballë Olimpikut. Takimi do të luhet në Yrshek dhe Partizani vjen në këtë test pas fitores 3-0 që arriti javën e shkuar me Mamurrasin.
