E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luftimet ne Libi Gadafi fiton terren ndaj rebeleve

Luftime të ashpra raportohen nga qyteti lindor i Libisë, Brega, ndërsa forcat besnike të Muamar Gadafit avancojnë ndaj pozicioneve të kryengritësve. Koloneli dhe forcat që e mbështesin nuk kanë pasur asnjë ndikim nga presioni ndërkombëtar në rritje ndaj regjimit të Tripolit. Përkundrazi, ata kanë vazhduar ofensivën, duke shtypur me zjarr kryengritjen. Ka qenë radha e qytetit të Bregas për të përjetuar bombardimet me artileri të rëndë. Burime ushtarake pranë regjimit thonë se qyteti është në duart e forcave qeveritar. Kryengritësit në Libi kanë ditë që tërhiqen nën zjarrin e tankeve dhe avionëve luftarakë. Të shtunën, ata u tërhoqën edhe nga qyteti port i Ras Lanuf.

Televizioni Al Xhazira tha se një kameraman i tij është vrarë në një pritë në afërsi të qytetit Bengazi.  TV nuk e specifikoi se kush qëndron pas vrasjes e as ditën e sulmit. Kjo është vdekja e parë e një njeriu të shtypit, e cila raportohet nga një media e huaj në Libi.

Ndërkohë, Lindja e Mesme vazhdon të përjetojë trazira, edhe pse jo në përmasat e Egjiptit dhe Tunizisë. Në Bahrein, policë më unifromë kanë përdorur gaz lotsjellës dhe shkopa gome kundër protestuesve që kishin bllokuar rrugën kryesore për në kryeqytetin e vendit. Në Jemen, dhjetëra njerëz janë plagosur në përleshjet me policinë, e cila ka qëlluar me plumba të vërtetë dhe ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protetsuesit e opozitës.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›