Lugina e Preshevës, hakmarrja serbe për Kosovën
Nëse do të kthehej në vendim, ai do të ishte shkatërrues për Luginën e Preshevës, pasi do të prekte 90 % të administratës vendore në Bujanoc dhe një të tretën e trupës arsimore në Luginën e Preshevës. Sipas Halimit, ky veprim i autoriteteve të Serbisë, lidhet me periudhën kur filluan përgatitjet për planin operativ të qeverisë serbe, lidhur me Kosovën, në pritje të pavarësisë së paralajmëruar të Kosovës
LUGINA E PRESHEVËS - Riza Halimi, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik në Luginën e Preshevës, është i vetmi deputet shqiptar që përfaqëson shqiptarët e Luginës në parlamentin e Serbisë. Një ndër problemet kryesore që shqetësojnë aktualisht shqiptarët e Luginës së Preshevës, është paralajmërimi për mosnjohjen e diplomave për studentët që janë shkolluar në “Universitetin e Prishtinës”. Deputeti shqiptar thotë se, vendimi i Beogradit për të mos njohur diplomat që vijnë nga Kosova, edhe nëse këto janë me vulë të UNMIK-ut, nuk është ende i zyrtarizuar nga qeveria e Serbisë, por hapat që kanë marrë qeveritarët e Serbisë në këtë drejtim, përbëjnë shqetësim. Nëse do të kthehej në vendim, ai do ishte shkatërrues për Luginën e Preshevës, pasi do të prekte 90 % të administratës vendore në Bujanoc dhe një të tretën e trupës arsimore në Luginën e Preshevës. Sipas Halimit, ky veprim i autoriteteve të Serbisë, lidhet me periudhën kur filluan përgatitjet për planin operativ të qeverisë serbe lidhur me Kosovën, në pritje të pavarësisë së paralajmëruar të Kosovës. Halimi thotë se ka kërkuar shpjegime, lidhur me këtë problem nga kryeministri Mirko Svjetkoviç, por ende nuk ka marrë përgjigje zyrtare. Përfaqësuesi i shqiptarëve në organin legjislativ serb thotë se ai vazhdimisht kërkon sqarime nga qeveria apo ministrat përkatës, por ato keqpërdoren nga grupi i Partisë Radikale në Parlamentin e Serbisë. Megjithëse, sipas Riza Halimit, parlamenti është i vetmi vendpër sensibilizimin e çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Lidhur me votën e tij në parlamentin serb, Riza Halimi thotë se, është pjesë e opozitës. Ai pohon se ka marrëdhënie të mira me qeverinë e Tiranës, por lë të nënkuptohet se, këto marrëdhënie, nuk janë të njëjta me qeverinë e Hashim Thaçit.
Zoti Halimi, jeni i vetmi shqiptar në Parlamentin e Serbisë. Sa mundësi keni ju si deputet i shqiptarëve, për të shprehur problemet e zgjedhësve tuaj?
Mundësitë janë të shumëllojshme dhe interpelancat janë një lloj mundësie që jam përpjekur ta shfrytëzoj. Më pas edhe deklaratat në seancat parlamentare.
Sa dëgjohen deklaratat tuaja?
Mund të them që mundësitë që qeveria të ndikohet për zbatimin e kërkesave tona, kanë qenë shumë të pakta.
Cilën forcë politike përkrahni në parlament me votën tuaj?
Edhe mandatin e kaluar, edhe tash jam pjesë e opozitës. Gjer më tani shumica paralamentare, nuk ka pasur ndonjë votim për të zgjidhur problemet tona. Si rrjedhojë, përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, nuk mund të jenë pjesë e shumicës parlamentare dhe pjesë e qeverisë. Nuk është ndërmarrë asnjë veprim që të na bindë se qasja e strukturave shtetërore në Beograd ndaj çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës, ka ndryshuar.
Si funksionon bashkëpunimi i pushtetit vendor në Luginën e Preshevës, i përfaqësuar nga shqiptarët me qeverinë e Serbisë?
Ky bashkëpunim, prej vitit 2001, tentohet të bëhet përmes Trupit Koordinues. Por në të vërehen pasojat të luftës dhe diskriminimit shumëvjeçar ndaj shqiptarëve. Është kërkuar ndihma nga ndërkombëtarët dhe kemi arritur të bindim OSBE-në dhe KFOR-in, kur është dashur të bëhet qetësimi i zonës së sigurisë tokësore. Në fillim, Trupi Koordinues, kishte një funsionim normal e të suksesshëm, por gjer në vitin 2004, u paraqitën bllokada të ndryshme. Të shohim ç’do të ndodhë në të ardhmen.
Keni ndërmend të ndërmerrni ndonjë veprim për këtë?
Ne si shqiptarë të Luginës së Preshevës, kërkojmë reformimin e Trupit Kordinues. Është jashtë çdo arsyeje të na imponohet programi i vitit 2001, i realizuar në kushte lufte. Tani ne komunikojmë me ministritë dhe me qeverinë, jemi pjesë e sistemit. Kështu, nëse bëhet një organ plotësues, për të hyrë në të, duhet të shohësh interesin tënd. Pa e parë veten aty, pa qenë pjesë aktive e atij organi, nuk ka logjikë të marrësh pjesë. Po presim të shohim, se sa e gatshme është qeveria të na bëjë pjesë aktive të Trupit Koordinues. Nënkuptoj që të jemi subjekt, dhe jo një objekt, me të cilin manipulon qeveria në Beograd.
Zoti Halimi, ç’mund të na thoni për paralajmërimet e qeverisë serbe për mosnjohjen e diplomave të lëshuara nga “Universiteti i Prishtinës”?
Gjatë korrikut, përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, u njoftuan me një shkresë ku thuhej se, diplomat e “Universitetit të Prishtinës”, qofshin ato me vulën e UNMIK-ut, nuk përputhen me sistemin e shkollimit të lartë në Serbi. Si unë, edhe pushtetet lokale në Preshevë dhe Bujanoc, i kërkuam Ministrisë së Arsimit shpjegime lidhur me këtë fakt. Gjithashtu kërkuam shpjegime për problemet që kanë pasur praktikantët në administratën e Preshevës dhe Bujanocit rreth organizimit të provimit shtetëror në Beograd. Kjo në fakt ishte edhe gjeneza e problemit. Kandidatët që janë paraqitur në nëntorin e vitit të kaluar për punësim në administratë të Bujanocit dhe Preshevës, nuk janë pranuar për t’iu nënshtruar testeve. Në mënyrë jozyrtare, atyre u është dhënë një përgjigje duke ju referuar dokumentit të nënshkruar nga ministrja MarjanaJovanoviç.
Me ndryshimin e kreut të ministrisë, nuk ndryshoi qëndrimi për këtë problem?
Jo, pasi qëndrimi i mëparshëm përsëritet edhe nga qeveria e Mirko Svjetkoviçit, respektivisht nga ministri i ri i Arsimit, Zharko Obradoviç. Në fakt, po të hysh në detaje, ky vendim ishte një masë paraprake për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Mund të kuptohet shumë mirë, nëse kihet parasysh se, për këtë, është kërkuar mendimi i Ministrisë serbe për Kosovën. Këtu kalohet në logjikën, për të cilën kritikohet shpesh qeveria në Beograd se, çështjet e Kosovës, shtrohen vetëm në aspektin e territorit, dhe jo të njerëzve. Tani edhe fakultetet e universiteteve joserbe në Kosovë, trajtohen si inekzistente. Ky është kualifikim shumë i rëndë, pasi në variantin e ministres Jovanoviç, ku thuhet se diplomat janë të pavlefshme dhe lihet hapësirë për të biseduar për ekuivalentim të diplomave. Ekuivalentimi duhet diskutuar për Universitetin e Prishtinës, por edhe Tiranës, Tetovës etj. Nga kjo del se qeveria e Serbisë e zgjeron problemin dhe pos çështjes së Kosovës, e lidh statusin me problemet dhe fatin e Luginës së Preshevës.
Çfarë hapash keni ndërmarrë ju si deputet për zgjidhjen e këtij problemi?
Kam kërkuar sqarime për këtë problem. Përgjigjja e vetme që kam marrë nga qeveria, është se kërkesën ia kanë dërguar Ministrisë së Arsimit, megjithëse ky është një absurditet. Nuk mund t’ia dërgosh një çështje për trajtim të mëtejshëm së njëjtës ministri që e ka krijuar problemin. Kërkuam me shkrim një takim me Ministrinë e Arsimit, por nuk janë treguar të gatshëm. Për mua, duhet të sqarohet a ka marrë apo jo qeveria vendim dhe a do të hapet procedura e ekuivalentimit të diplomave nga Kosova.
Si funksionojnë marrëdhëniet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës me Kosovën pas shpalljes së Pavarësisë?
Në fakt, kemi zhvilluar vetëm kontakte në nivele të larta. Dy vjet më pare, u kërkua hapja e një zyre në Kosovë, e cila do t’i trajtonte këto çështje, pa u varur nga takimet e nivelit të lartë. Kërkesën për arsimimin e studentëve të Luginës, e kemi paraqitur në Tiranë dhe Kosovë. Deri më tani kemi arritur të realizojmë një takim me kryeministrin Berisha, por jo me Thaçin.
Si politikan, cili do të ishte mesazhi për klasën politike në Luginëne Preshevës?
Unitet absolut nuk ka, megjithatë, të tentojmë të kemi unitet të shkallës më të lartë për çështjet strategjike, gjë që do të ishte në interes të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.