Luka Toni, mes kujtimeve dhe rekordeve!
Luka Toni është kureshtar të shohë se si do ta përshëndesin tifozët e Fiorentinës, nëse ai do të jetë i pranishëm në formacionin që Bajerni i Mynihut do të nxjerrë në fushë për ndeshjen e sotme kundër ish-skuadrës së tij, Fiorentinës, e vlefshme për Ligën e Kampioneve. Në dy sezonet e kaluara te Fiorentina, kur Luka Toni dilte në “Artemio Franchi”, përshëndetej nga tifozët me shprehjen “Toni e furmini”, shprehje dialektore e italishtes standarde “tuoni e fulmini” (bubullima e vetëtima), një epitet vlerësues për golat e shumtë të ish-bomberit të ekipit ngjyrë vjollcë. Por sigurisht nuk mund të shpresojë një pritje aq të ngrohtë nga tifozët, nëse arrin të kalojë dëmtimin në brinjë. "Nuk e di, të shumtë janë njerëzit që më duan në Firence, - u shpreh 32-vjeçari për faqen uefa.com. - Por do të jem kundërshtar i Fiorentinës dhe, të them të vërtetën, nuk kam ide se si do të më presin. Jam kureshtar të shoh si do të më presin. Kam kujtime shumë të bukura," - shtoi Toni, i cili ka shënuar 47 gola me Fiorentinën në periudhën kohore 2005-2007, përpara se të transferohejnë Mynih. "Ishin dy vite të mrekullueshme të karrierës sime, kam bërë edhe 31 gola në vit, duke i thyer të gjitha rekordet. Kanë qenë dy vite që do t’i kujtoj gjithmonë. Në dy vite kam bërë gati 50 gola dhe kam kaluar momente të bukura me skuadrën, kështu që kam kujtime të mrekullueshme,” - përfundoi ish-sulmuesi. Pas largimit të Tonit, Fiorentina ka gjetur një tjetër golashënues të mirë, Alberto Xhilardinjon, i cili pas largimit nga Milani ka shënuar deri tani gjashtë gola në Serie A dhe tri në Ligën e Kampionëve–një gol në ndeshjet paraeliminatore dhe dy në fazën e grupeve. "Me Xhilardinjon kam raporte të mira, e njoh prej shumë vitesh dhe jemi miq, - u shpreh Toni, duke shtuar. - Jam i kënaqur që Fiorentina tregoi besim tek ai, pasi është golashënues i shkëlqyer. Mendoj se në Firence kanë bërë zgjedhjen e duhur.” Edhe pse është shpallur kampion bote me Italinë, Toni ka luajtur për herë të parë në Ligën e Kampioneve vetëm në sezonin e vjetshëm. "Kur luan në këtë kompeticion, ke shansin të përballesh me skuadrat më të forta. Më mungonte pjesëmarrja në Ligën e Kampionëve dhe jam i kënaqur që po marr pjesë në të. Por futbolli, në fund të fundit, mbetet futboll si në Ligën e Kampionëve, si në Kupën UEFA ashtu edhe në kampionat ose në botëror," - shprehet sulmuesi i kampionëve të Gjermanisë. Bavarezët kryesojnë Grupin F me katër pikë nga dy ndeshje, edhe pse në kampionat po vuajnë pak. "Nuk jemi ndër favoritët kryesorë për finalen e madhe, por fazën e grupeve sigurisht që duhet ta kalojmë. Pastaj ndeshjet janë me eliminim dhe duhet t’u kushtojmë rëndësi edhe episodeve të veçanta. Sido që të shkojë, ne do ta pranojmë çdo rezultat të fushës së blertë.”
Liga e Kampionëve
Sot
Mançester – Selltik
Vilarreal – Alborg
Bajern Mynih – Fiorentina
Steaua – Lion
Porto – Dinamo Kiev
Fenerbahçe – Arsenal
Zenit – Bate Borisov
Juventus – Real Madrid
Nesër
Çelsi – Roma
Bordo – Kluj
Inter – Anorthosis
Panathinajkos – Verder
Bazel – Barcelona
Shahtjar – Sporting
Atletiko – Liverpul
PSV – Marsejë