Poeti dhe qyteti
I.
Shifrat janë abstrakte, sidomos kur flitet për viktimat - 8 mijë të vrarë në Srebrenicë, 11 mijë gjatë rrethimit të Sarajevës, prej tyre 1601 fëmijë. Dimensoni i krimit mund të kuptohet e, ndoshta, edhe të ndjehet vetëm duke e bërë të zëshme klithmën e qetë të viktimave. Në vitin 1993, kur qindra granata përplaseshin kundër Sarajevës si pika vdekjeprurëse shiu, Izet Sarajlic-i nga qyteti i rrethuar i shkruante mikut të tij dhe poetit gjerman Hans Magnus Enzensberger se “Izeti juaj është tmerrësisht i lodhur nga humanizmi evropian”. Në këtë gjendje shkrimtari Izet Sarajlic-i i ka ngritur një përmendore trishtimi qytetit të Sarajevës. Shtëpia botuese zvicerane “Waldgut” së fundi ka ripublikuar në një fletore poezitë e shkruara nga Sarajlic-i gjatë rrethimit të Sarajevës. Janë vargje të thjeshta, të cilat ndikimin e zhvillojnë dalëngadalë dhe me efekt tronditës; fjalë të drejtpërdrejta, një lakoni rrëmbimtare.
II.
Kur u rrethua qyteti dhe kur njerëzit vriteshin duke pritur në radhë për bukë apo duke mbushur kovat me ujë në ndonjë burim ende të pabllokuar, askush nuk kishte kohë për shtazët shtëpiake. Në lagjen Koshevo të Sarajevës qytetarët ishin urdhëruar t’i lajmërojnë autoritetet nëse shohin ndonjë qen. Në vend që të ngordhnin mes rrënojave, ata do të vriteshin – sipas parimit: më mirë një fund i tmerrshëm se sa një tmerr pa fund. Në një poezi Sarajlic e krahason veten e tij me një qen shtegtar. “A të lajmërohem edhe unë?/ A nuk jam edhe unë/ një qen/ pikërisht shtegtar? // Unë as nuk e di/ në cilën valixhe/ dhe në cilin bodrum/ janë dokumentet e mia.”
III.
Sarajlic nuk është poet i ngushtësisë nacionale, as i egoizmit patriotik. Hans Magnus Enzensberger shkruante në vitet 90-të: “Izet Sarajlic ka qenë një poet jugosllav. Ndoshta ai edhe sot është i tillë, ndonëse ky vend nuk ekziston më. Nuk mund ta pyes. Nuk përgjigjet në telefon. Letrat nuk e arrijnë dot. Disi kam marrë vesh se ai ende është gjallë. Ai, siç kam mësuar, nuk dëshiron ta braktisë vendlindjen derisa jeta e fëmijëve dhe nipërve të tij është në rrezik. A thua e ka humbur buzëqeshjen, melankolinë e tij të lehtë, ironinë e tij kryengritëse? A thua ende shkruan poezi?”.
Në poezinë “Në 100-vjetorin e lindjes së Josip Brozit” Sarajlic-i nuk shkruan vargje himnizuese. Vetëm e nxit lexuesin të mendojë. “Pa marrë parasysh se si ka qenë/ ai ishte shefi/ i shtetit/ më të lumtur jugosllav”. Dhe në krahasim me kohën e errët të rrethimit të Sarajevës, Tito në sytë e qytetarëve të viktimizuar të Bosnjës vërtet duket si një figurë pozitive. Në pjesën e dytë të poezisë Sarajlic e shpjegon pse. “Në atë shtet/ njëfarë Vojislav Shesheli/ mundi të shkruajë/ doktoraturë/ Neve, ndërkaq/ ai në shtetin e tij/ nuk do të na linte të merrnim as frymë”. E vërteta:
Vojislav Shesheli, administratori i ëndrrave vdekjeprurëse serbomëdha, ka doktoruar në Universitetin e Sarajevës, me temën: “Karakteri i militarizmit dhe fashizimit”. (Njëherë, një ditë vere në Shkup, një shqiptar më ka treguar - dhe për një moment edhe më ka habitur - se kishte studiuar dhe banuar në një dhomë konvikti me Sheshelin në Sarajevë. Po, nejse, kjo është një temë tjetër. E përmenda vetëm për të treguar se nuk është rregull që një student detyrimisht të bëhet intelektual, shih rastin e Sheshelit, për shembull). Izet Sarajlici njëherë e ka shpjeguar këtë situatë me shembullin e Radovan Karagjicit. “Radovani vinte si poet i ri në shtëpinë time për të pirë kafe, ai ishte mjek i ekipit të famshëm të futbollit “Sarajeva”. Kush e ka menduar para vitit 1990 se ai do të shndërrohej në kriminelin më të madh të Bosnjës?”.
IV.
Deri më sot Parlamenti i Serbisë me asnjë rezolutë nuk i ka dënuar krimet në Bosnjë. Për ta minimizuar tragjedinë në Srebrenicë, një politikan serb këto ditë tha se atje ka ndodhur një “gjenocid lokal”. Ky është nocioni më i ri i cinizmit. Këtë situatë Sarajlic-i e shpjegon në poezinë “Pas plagosjes”: “Mbrëmë natën më ka vizituar Slobodan Markovic-i/ në ëndërr/ për të më kërkuar falje për plagët e mia/ Kjo ishte/ kërkimfalja e vetme serbe/ gjatë gjithë kësaj kohe/ dhe kjo ndodhi në ëndërr / nga një poet i vdekur”.
V.
Fletorja e Izet Sarajlic-it është përmbledhja e parë poetike për Sarajevën në luftë. Është një monument kryengritjeje kundër krimit, ndonëse nuk ofron asnjë shpjegim, asnjë interpretim – kjo fletore vetëm tregon se si lufta e thyen njeriun, por nuk arrin ta mposhtë, sidomos jo atëherë kur një ndjenjë e solidaritetit, një ndjenjë e përbashkësisë mes banorëve mban gjallë shpirtin e qytetit. Madje edhe kur ky qytet, Sarajeva, për çdo ditë goditet prej mesatarisht 329 granatave. Vonë, dikur pas luftës dhe para vdekjes (2002), Izet Sarajlic-i kishte thënë se fletorja me poezi për Sarajevën e rrethuar është një përmbledhje, të cilën do të dëshironte të mos e kishte shkruar kurrë. Nga njëra anë kjo është e vërtetë. Por, kjo nënkupton edhe dëshirën humane që lufta të mos kishte shpërthyer fare. E, luftën s’ndalin dot poetët. Nga perspektiva e sotme poezitë e Izet Sarajlic-it janë një dokument i pazëvendësueshëm mbi humnerën e përgjakshme në oborrin e Evropës.