Feri arbitër
Institucionet e kulturës administrohen në dy forma ekstreme: ose të kontrolluara plotësisht nga lart si nga një tutor ose janë jashtë çdo kontrolli të dikasterit qendror në ato raste kur kreu i tyre është i paprekshëm sepse është politik. Kësaj kategorie të dytë, po aq të rrezikshme sa e para, në mos më shumë, i përket posti i kryetarit të qendrës Kombëtare Kinematografike, mënyrës se si vendos dhe administron idetë Xhevdet Feri, i cili shijon nga një mandat si kryetar qendre në kohë udhëheqjeje të djathtëve. Ky është i dyti, për të. Tetë vjet Feri në ballë të punëve të kinemasë.
Pasi dështoi me festivalin veror të filmit, me pjesën shqiptare të festivalit, Feri që dallohet për elokuencën demagogjike në emër të politikave kulturore (kujtojmë angazhimin e tij në gjoja reformën për Teatër) ndihet i pavarur (emërimi apo shkarkimi i tij është kompetencë e kryeministrit) deri në arbitër të çështjeve për të cilat duhen marrë vendime kolegjiale.
Kështu rezulton të ketë vepruar për përfaqësimin e Shqipërisë në garën e madhe ndërkombëtare kinematografike të Oscarit.
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, i pyetur nga “Shekulli” mbi të vërtetën e firmës së tij për zgjedhjen e “Trishtimi i zonjës Shnajder” i Milkanit, përmes telefonit u përgjigj: “Nuk kam firmosur asnjë shkresë për përfaqësimin e Shqipërisë në Oscar. Nuk do të gjeni asnjë shkresë që të mbajë emrin tim në lidhje me këtë çështje. Tek unë si ministër ka ardhur një letër nga Qendra Kombëtare Kinematografike me sugjerimin e kryetarit të saj Xhevdet Feri. Unë kam kërkuar vendimin e bordit, por kam parë në këtë shkresë vetëm firmën e Ferit. Unë nuk mund të mbështesja veçse një vendim bordi”. Ministri i Kulturës, për të cilin Feri është shprehur se ai vetëm ka kompetencën (!) për të zgjedhur filmin përfaqësues për tek gara e Oscarit, mendon se kjo situatë është krijuar nga vetë kineastët, klanet, moskuptimet dhe xhelozitë mes tyre.
Pango ka pohuar se deri në ditët e fundit është kontaktuar nga dy kineastët Milkani dhe Koçi për të marrë prej tij një përgjigje. Përgjigjja e Pangos njeh si vendim të drejtë atë që merr bordi i specialistëve të kinemasë.
Qendra e Ferit i vari në qafë medaljen e filmit më të mirë shqiptar regjisorit Fatmir Koçi, por Feri individ ka tjetër mendim: filmi më i mirë është ai i Milkanit. Me fjalë të tjera, Feri e kthen një institucion që mendohej demokratik, në fazën preracionale ku ato që vendosin janë dëshirat dhe qejfet personale.