Lugina vlerëson kushtëzimin e vizitave të zyrtarëve serb në Kosovë

Përfaqësuesit shqiptarë të Luginës së Preshevës e kanë vlerësuar lartë qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Kosovës, për kushtëzimin e vizitave të liderëve serb në Kosovë, me ato të liderëve kosovarë në Luginën e Preshevës.
Zyrtarët shqiptarë të Luginës, në deklaratat e tyre kanë thënë se reciprociteti është kërkesë e kamotshme e shqiptarëve të Luginës, duke vlerësuar se në rajon fatkeqësisht kjo masë është aktualisht çelës i zgjidhjes së problemeve dhe jo respektimi i të drejtave legjitime, raporton RTK.
Shqiptarët e Preshevës, Buajnocit dhe të Medvegjës, ndryshe nga fqinjët e tjerë kanë pranuar realitetin e ri në Ballkan, por të drejtat e tyre me dekada janë nëpërkëmbur. Ndaj si domosdoshmëri të kohës, kanë zgjedhur alternativën për kërkim të realizimit të të drejtave të tyre në shkallë reciprociteti me realizimin e të drejtave të serbëve në Kosovë. /Indeksonline/