E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luhatjet e euros ekspertet Merrni kredi ne leke

Luhatjet e paparashikuara në tregun e monedhave si dhe pritshmëritë për të ardhmen rekomandojnë që të kihet kujdes në përzgjedhjen e monedhës për kredimarrësit. Sjellja e bankave ndaj klientëve është në të kundër të kërkesës, çka dhe e ka bërë disi të detyrueshme marrjen e huave në monedhë të huaj. 

"Kredia duhet marr në atë monedhë që ke dhe të ardhurat, sepse në fund fare është një kosto që duhet ta paguash nga të ardhurat, për individët paga që do të ketë në të ardhmen. Sepse kursi i këmbimit gjithmonë përbën risk. Për të qenë i sigurtë për të shmangur riskun e monedhës, luhatjes së vlerës së monedhës, është më e këshillueshme që kredia të merret në lek. Ne dimë që shumica e ofruesve i shesin këto produkte me euro dhe do sdo dhe klientët e tyre janë të detyruar dhe kreditë ti marrin në këtë valutë. Nuk është e përshtatshme për momentin por ndonjëherë është dhe tregu i tillë", tha Adriatik Kotorri, pedagog i Financës, Universiteti i Tiranës.

Që prej rreth një muaji leku ka shfaqur qëndrueshmëri dhe epërsi në tregun e këmbimit. E kundërta ka ndodhur me euron në tregun e huaj.

"Është ky stabilitet por është i përkohshëm, por po të zgjasi për një kohë më të gjatë, mbetet për tu parë. Nuk ka arsye të mendojmë që euro do rritet apo do ulet në vazhdim, muajt në vazhdim në afat të shkurtër, as të mendojmë për ndonjë luhatje të vetë vlerës së lekut", vijon Kotorri.

Aktualisht një euro vlerësohet me 140 lekë e 54 qindarka, kurs ky pothuajse i pandryshuar që prej mesit të shtatorit. E kundërta ka ndodhur me monedhën jeshile, ku vlera në fillim të tetorit ishte mbi 106 lekë. Sot një dollar, me kursin e bankës së Shqipërisë këmbehet me 102 lekë e 70 qindarka.  

Florian Papadhimitri

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›