Ndriçim Xhepa: Preferencat e mia për personazhet realistë dhe refuzimi i rolit hero
Aktori i madh i skenës dhe ekranit shqiptar Ndriçim Xhepa, sot është një nga emrat më të dashur për publikun, i cili e vlerëson për rolet, personazhet e shumta që ai ka sjellë para tij, duke interpretuar plot talent. Në këtë intervistë ai tregon mbi rolet e
shumta që ka interpretuar në teatër e kinema përgjatë karrierës së tij, shumë prej të cilave vazhdojnë që të mbeten të dashura për publikun dhe sot e kësaj dite. Gjithashtu në vijim të kësaj interviste ai trajton dhe disa nga problemet e sotme të teatrit dhe të filmit shqiptar, e veç të tjerash, aktori i njohur tregon dhe për personazhin e ri që ai luan në premierën më të fundit në TK, kolonelin gjerman Fritz Von Schwabe në dramën Darka e gabuar. Për herë të dytë në një vepër të Kadaresë e rishtazi me rolin e një gjermani, aktori rrëfen për përvojën e fundit si protagonist në dramatizimin e romanit të Ismail Kadaresë. Ndonëse kanë kaluar disa ditë nga premiera Artisti i Merituar Xhepa, rrëfen për këtë eksperiencë që e ka rikthyer edhe në një bashkëpunim të ri me regjisorin Fatos Haxhiraj pas 20 vitesh.
-Së fundi erdhët në skenën teatrore me veprën Darka e gabuarshkruar nga Ismail Kadare me regji nga Fatos Haxhiraj. Si ishte interpretimi juaj në këtë vepër?
Prezenca ime në këtë shfaqje, si koloneli gjerman Fritz Von Schwabe vjen si pasojë e disa aspekteve kryesore. E para është forma artistike dhe ajo miqësore, se unë i pata dhënë një miratim paraprak regjisorit Fatos Haxhiraj, për arsyen e thjeshtë që njëkohësisht mbart dhe komunikimin e hershëm, sa artistik aq dhe miqësor që unë kam me regjisorin. Unë para shumë vitesh kam bashkëpunuar me të dhe këtu po flas në ditët kur unë sapo kisha ardhur në Teatrin Kombëtar dhe deri në vitin 1990 kur ai u largua në Itali. Brenda një 10 vjeçari unë kam pasur minimalisht rreth pesë angazhime në role kryesore në shfaqje të ndryshme që ai ka vënë si regjisor. Veç atyre ky bashkëpunim ka rezultuar sa artistik, miqësor dhe i respektueshëm, sa i takon raportit regjisor-aktor. Duke mos harruar dhe një element, që aktivizimi i parë në një rol kryesor, pavarësisht në një dramë modeste siç ka qenë një vepër pas provimit të fundit të një dramaturgu shkodran Ferid Halluni, e kam pasur në vitin 1982 nga regjisori Fatos Haxhiraj. Dhe duke pasur parasysh këtë raport profesional dhe miqësor nuk kishte pse të mos e pranoja rolin, por duke pasur parasysh dhe respektin nuk kisha pse të mos isha me figurën e kolonelit gjerman tek Darka gabuar, duke qenë se ishte dhe një vepër e Kadaresë dhe kjo është dhe një arsye tjetër. Unë veprën e tij e kam lexuar para një viti sapo ajo doli në qarkullim dhe ngelesha në kujtesën një vjeçare timen me një impresion shumë pozitiv të veprës, sa në veçantinë e tij si roman, por dhe aq në inkuadrimin e të gjithë veprave të Kadaresë, pra një vepër me vlerë, tepër pikante dhe specifike e futur në atë qytet siç është Gjirokastra dhe hedhur kjo për dramatizim për skenë nga Fatos Haxhiraj. Unë mendova se e vepra e një emri të madh siç është Kadareja e bashkangjitur me një emër të madh regjisori, ndaj të cilit unë kisha ato raporte që i përmenda pak më lart, ishin këto arsyet që unë të isha në këtë vepër të Teatrit Kombëtar.
-Çfarë patë të veçantë tek roli i kolonelit gjerman?
Përshtatshmëria lidhet me shumë gjëra, si brumi i romanit apo dhe ai dramaturgjik që tashmë ishte i gatshëm nga dramatizimi i Fatosit, njëkohësisht edhe nga një vizion i gjerë që ekziston në kokën e shumë krijueseve të skenës dhe ekranit, dhe në timin personal. Nga një arsenal i tërë trajtesash personazhesh, filmash dhe rolesh në skenë, të cilët në këtë rast tek unë nuk ka pse të mos kalojnë, pse të mos jenë, pra është një arsenal i tërë figurash të personazheve naziste, të trajtave dhe ngjyrave të ndryshme, dhe të gjitha këto normal që do të kalojnë nëpërmjet qenies tënde dhe në këtë rast timin personal. Njëkohësisht duke pasur parasysh se këto figura kalojnë në një laborator tashmë 30 vjeçar, bën punën e vet dhe eksperienca skenike e personazhit. Pra janë këto arsye që brumosin njëra tjetrën dhe japin rezultatin që konkludojnë me atë kolonel, që po ndiqet nga spektatori i skenës.
-Keni një karrierë të gjatë në teatër, çfarë vendi zë ky personazh në karrierën tuaj?
Shikuar thjeshtë zë një vend të veçantë, një vend në arsenalin e një morie rolesh prej 40 rolesh në teatër, ai zë vendin e vet, por rëndësi ka që është i veçantë dhe pikant. Rëndësi ka që është absolutisht jo i ngjashëm me tjetrin. Unë si natyrë, si aktor në përzgjedhjen e roleve që bëj i jap rëndësi asaj që një figurë e pranuar sot të jetë ndryshe, të jetë në një kohë, situatë, raport apo gjendje emocionale tjetër nga personazhi që ke prekur më parë. Po ta krahasojmë kolonelin nazist, nuk mund të gjendet gjë e përbashkët me Astrovin që unë bëra më parë tek Xhaxha Vaja, po ashtu nuk mund ti gjendet gjë e përbashkët me rolin që unë pata tek Korbi i bardhë, roli i biznesmenit me regji nga Mihal Luarasi, apo dhe në role të tjera. Pra unë kushtoj rëndësi që të jesh i freskët dhe i veçantë në sytë e spektatorit nga një personazh tek tjetri. Këtë e bëj edhe duke pasur parasysh personazhin edhe refuzimet që bëj.
-Arsyet që ju disa role i refuzoni?
Pra refuzimet që bëj janë edhe për arsye se personazhi që më afrohet ngjan diku me një tjetër. Refuzimet nuk janë të pakta, por të shumta dhe unë i bëj për këtë arsye që të mos ngjajnë me njëri-tjetrin. Një arsye është dhe të mos lodhesh kot pa arsye, një arsye tjetër që i refuzoj është që edhe të mos i bezdisesh njerëzve që të të shohin çdo tre muaj, një arsye tjetër është dhe të mos bëhesh rob i honorarëve që nuk janë shumë, të mos bëhesh rob i lekut, ku çdo tre muaj të pranosh një rol për arsye se duhet të marrësh një honorar.
-Teatri Kombëtar mbërriti në 65 vjetorin e tij. Si e shikon sot këtë institucion, por dhe atë tetarë në rrethe?
Do të duhej që të flisje shumë për këtë, për të kapur të gjithë aspektet se çfarë e lartësojnë apo duhet të zgjidhen nga problematikat që ka sot teatri shqiptar. Teatri në 65 vjet ka pasur punën, investimin, pasionin e vet, ka pasur lodhjen e vet të padiskutueshme, ashtu siç vazhdon ta ketë edhe sot e kësaj dite nga gjenerata të ndryshme. Pra në këto vite të tij kanë kaluar 4-5 gjenerata aktorësh dhe tashmë po vijnë gjenerata të reja, që po çojnë këto 10 vjeçarë të tjerë të tij .Unë do të thosha që mbi të gjitha në TK ka qenë prezent pasioni dhe dëshira e madhe për të pasur këtë institucion, sa përcjellësh emocionesh tek spektatori, mesazhesh, argëtimi, mbushjesh të aktivitetit shpirtëror të njerëzve. Po të gjykojmë brezat e regjisorëve, që kanë punuar në këtë institucion si shqiptarë dhe të huaj apo të gjithë këtë arsenal aktorësh që kanë kaluar dhe po kalojnë në këtë institucion, apo dhe skenografët e kostumografët, dramaturgët etj, përpërlitja, përpjekja, pasioni, lodhja, kam përshtypjen nuk ka qenë fort në unitet më impenjimin që duhet të kishte shteti i djeshëm dhe ky i sotmi në raport me teatrin. E para duke filluar që nga godina, shtëpia e teatrit. Sot kryeqyteti ynë Tiranë ekziston pas 65vitesh, që është krijuar teatri me godinën e cila fatmirësisht është ndërtuar në kohën e pushtimit fashist, dhe jemi pra pas 65 vitesh po me këtë godinë, me atë strukturë ndërtimore, ku e djeshmja dhe e sotmja e shtetit shqiptar nuk ka pasur vëmendjen më minimale që ta dinte ta ngishte dhe ta freskonte këtë teatër. Për veten e saj dhe për këtë popull, kjo është një arsye që flet në mënyrë të fortë se çfarë ka qenë vëmendja karshi këtij institucioni, që vërtetë nga gjenerata të tëra krijuesish është punuar me pasion. Prandaj ne themi sot se në teatër mund të luhet në mënyrë normale, në muajt tetor, nëntor, deri nga gjysma e dhjetorit, dhe më pas në mars e prill deri nga gjysma e majit pa filluar vapa. Pra 4-5 muaj normal punohet në këtë institucion dhe pjesa tjetër në këtë teatër është e pamundshme. Nga të gjitha qeveritë duhet të ishte menduar më seriozisht për