Lukas Papadimos, kush është kryeministri i mandatuar

Akademiku dhe ish zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore Europiane, Lukas Papadimos, u paraqit në pallatin presidencial dhe mori mandatin për krijimin e qeverisë me bazë të gjerë.
Gjatë paradites të së enjtes janë takuar me presidentin e vendit Karolios Papulias liderët politikë ku u vendos që Papademos të jetë kryeministri i mandatuar i Greqisë.
Lukas Papadimos, u lind më 1947 në Athinë. Pas përfundimit të Kolegjit të Athinës vazhdoi studimet e larta në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts-it (MIT) në SHBA, ku u doktorua për ekonomi.
Në periudhën 1975 - 1984 ishte pedagog i ekonomisë në Columbia University, dhe njëkohësisht punoi si ekspert ekonomik i Bankës federale (Federal Reserve Bank) të Shteteve të Bashkuara.
Në vitin 1988 u zgjodh pedagog i shkencave ekonomike në Universitetin e Athinës.
Me kthimin në Greqi, u emërua anëtar i këshillit të ekspertëve të ministrisë së ekonomisë kombëtare (1985 - 1988 dhe 1991 -1994).
U emërua zëvendësguvernator i Bankës së Greqisë në dhjetor 1993 dhe guvernator i saj më 1994. Të njëjtin vit u emërua anëtar i këshillit të Institutit Financiar Europian dhe ishte kryetar i nënkomisionit të politikës monetare dhe i komisionit të guvernatorëve të bankave qendrore të Komunitetit Europian.
Nga viti 2002 deri 2010 ishte zëvendësguvernator i Bankës Qendrore Europiane dhe pas largimi u emërua këshilltar pa pagesë i kryeministrit Jorgos Papandreu.
Që nga viti 2006 është anëtar i Akademisë së Athinës. Puna kërkimore dhe vepra e tij janë përqëndruar në çështje të teorisë dhe politikës së makroekonomisë, si strukturimi dhe funksionimi i tregjeve financiare, problemi i falimentimeve, eficenca e mjeteve të politikave monetare dhe ekonomia politike në Bashkimin Europian.