E Diel, 1 Nëntor 2026

Luksemburg BE Trazirat mund te fusin ne krize bankat

Takimi i krerëve të Financave të bashkimit Europian përfundoi me shqetësimin që trazirat në tregjet financiare mund të përshkallëzohen në një krizë të sektorit të bankave. Bankat europiane u tronditën për të dytën ditë radhazi, pas një tërheqjeje të madhe të aksioneve. Për shkak të ekspozimit ndaj Greqisë dhe krizës së saj të pandalshme, aksionet e bankës franko-belge Dexia ranë me 38 për qind gjatë ditës dhe u mbyllën me humbje në shifrën 22,5 për qind.

Ministri gjerman i Financave, Volfang Shojble tha pas takimit të Ecofin se problemet me tregjet financiare nuk duhet të përfshijnë bankat. Sipas tij, ekziston një shqetësim madhor në këtë drejtim dhe shtetet anëtare të BE-së duhet të rrisin masat për të parandluar infektimin e tregjeve në vendet e tyre. Franca dhe Belgjika u zotuan të garantojnë financimin e bankave të goditura dhe të bëjnë ç’është e mundur të mbrojnë klientët dhe kreditorët.

Ndërkohë,  Zhan Klod Junker, kryetar i Eurogrupit sqaroi se ministrat diskutuan edhe përfshirjen e sektorit privat në paketën e dytë të shpëtimit me vlerë 109 miliardë euro, e cila mund të rezultojë e pamjaftueshme pasi Athina pranoi se nuk do të mund të arrijë objektivat e veta fiskale. Sipas marrëveshjes së korrikut, kreditorët privatë zotohen të blejnë 21 për qind të aksioneve për të lehtësuar borxhet e Athinës, ndërsa qeveritë e Eurozonës krijojnë lehtësi për pjesëmarrje vullnetare në paketën e shpëtimit.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›