Luksemburg, kthesë në raportet BE-Ballkan
Në Luksemburg përfundoi mbrëmjen e djeshme takimi i ministrave të Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian dhe kolegëve të tyre nga vendet e Ballkanit perëndimor, në “Forumin BE-Ballkan”. Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për politikë të Jashtme dhe Siguri, Ketrin Eshton, e cila edhe ka kryesuar këtë takim, ka thënë se ishte një takim jashtëzakonisht pozitiv dhe takim që shënoi një kthesë në raportet e BE-së me vendet e Ballkanit perëndimor, sepse secili shtet, në një mënyrë apo në tjetrën, po bën hapa drejt perspektivës europiane. Edhe komisioneri për Zgjerim, Shtefan Fyle, ka thënë se arrestimi i gjeneralit Ratko Mlladiq në Serbi, sikurse suksesi i Kroacisë në përmbyllje të negociatave për anëtarësim, shënojnë një kthesë në procesin e zgjerimit të BE-së dhe se gjatë vitit, mund të priten vendime të rëndësishme edhe për vendet tjera të rajonit të Ballkanit. Përfaqësuesja e Lartë, Ketrin Eshton, ka theksuar se moment i rëndësishëm është edhe dialogu që po zhvillohet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me lehtësimin e BE-së dhe është shprehur se së shpejti priten edhe rezultatet konkrete në këtë dialog. Nga burimet diplomatike mësohet se është përmbushur edhe një kërkesë e Serbisë që së pari të flasë përfaqësuesi i UNMIK-ut në takim, e më pas ministri i Kosovës. Në Bashkimin Evropian kanë theksuar se takimi i së hënës pati karakter joformal, sipas Formulës së Gimnikut, që do të thotë se nuk kishte simbole shtetërore. Po ashtu, në BE kanë pohuar se rëndësia e takimit është edhe kuptimi se situata në rajonin e Ballkanit është gjithnjë e më e qetë, ndonëse në disa shtete situata duket paska më ndryshe dhe ka ngecje në aspektin politik. Këtu veçohet Shqipëria me problemet e brendshme që ka me procesin zgjedhor, pastaj Bosnjë Hercegovina, e cila ende nuk ka krijuar qeveri në të gjitha nivelet, si dhe dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës për të zgjidhur disa çështje praktike. Në takim mori pjesë edhe ministri i jashtëm i kosovës Enver Hoxhaj.