Mjekët në protestë, kundër largimeve nga puna për motive politike
Sindikata e Shëndetësisë apel Qeverisë: Ktheni në punë mjekët e larguar për politikë
Në formë proteste Sindikata e Shëndetësisë ka ngritur dje shqetësimin e largimeve masive nga puna për arsye politike, të mjekëve profesionistë. Në të njëjtën kohë ata kanë kërkuar më shumë investime në spitalet publike të vendit, sidomos për ato në rrethe. Sipas sindikatës, shteti ka kohë që i ka lënë pas dore spitalet publike, ku mungojnë aparaturat, medikamentet dhe ku mjekët nuk vlerësohen.
Apeli
“Ne i bëjmë thirrje shtetit që institucionet e veta shtetërore ti furnizojë, ti fuqizojë. Pushohen punonjësit për bindje politike. Më vjen keq që pushohen 50 punonjës përnjëherësh në spitalin e Lushnjes. Më vjen keq që në disa vende ska asnjë lloj furnizimi, si në rastin e Bulqizës, qytet minatorësh. Atje s’ka as kirurg, as reanimator, as aparate reangeni dhe shteti ka treguar prej vitesh një mosinteresim total”, tha Petrit Frangu, përfaqësues i Sindikatës së Shëndetësisë.
Protesta
Këtë të hënë më 22 prill, në të gjithë Evropën Juglindore sindikatat e shëndetësisë protestojnë për të drejtat e pacientëve dhe mjekëve. Sindikata shqiptare veç shqetësimeve, iu drejtua me një kërkesë zyrtare Ministrisë së Shëndetësisë që të garantojë kthimin në detyrë të mjekëve të larguar për shkak të bindjeve politike. Këto javët e fundit ndërrimi i drejtuesve të spitaleve është shoqëruar me lëvizje masive në radhët e punonjësve, kjo jo vetëm në Tiranë por dhe në rrethe. Madje, ka pasur raste kur punonjës të cilët janë në prag të daljes në pension (jo vetëm në spitale), u janë bërë kontrata të përkohshme pune, teksa vendet e tyre janë zënë nga punonjës të rinj që kanë ardhur me rekomandim për të marrë një kontratë të plotë pune.
Largimet
Këto përplasje duket se do të jenë të pranishme sa herë do të ndërrohen drejtuesit për hakmarrje politike. Ndërkohë që janë pacientët dhe dhjetëra buxhetorë, ata që i vuajnë pasojat e këtyre ndryshimeve. Pacientët përballen me cilësinë e ulët të shërbimeve të ofruara nga mjekë joprofesionistë, ndërsa kryefamiljarët që pushohen nga puna, mbeten pa të ardhura.