E Diel, 1 Nëntor 2026

Lul Berisha, Gjykata: avokatët po neglizhojnë

Gjykata e Krimeve të rënda pritet të marrë masa ndaj avokatëve të Lul Berishës të cilët po zvarrisin çështjen. Ata kanë kërkuar paraqitjen në gjykatë të tyre për të proceduar lidhur me akuzën për bandën e Lul Berishës.

Dosja penale me 17 të pandehurit e bandës së Lul Berishës dhe rivalëve të tij, tashmë ndodhet në duart e pesë gjyqtarëve të Krimeve të Rënda, të kryesuar nga Gurali Brahimllari, i cili ka caktuar datën 5 korrik për fillimin e procesit gjyqësor.

Rreth 20 vajza nga Durrësi, Shijaku e Tirana, të njohura si mikeshat e anëtarëve të bandës së Durrësit pritet të jenë të parat dëshmitare të akuzës në procesin që po starton në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Në pritje të hapjes së shqyrtimit gjyqësor ndaj 17 të pandehurve, mësohen të tjera detaje nga dosja. Mësohet se vajzat dëshmitare shoqëroheshin me të pandehurit, gjatë kohës që funksiononte banda. Sipas burimeve nga organi i akuzës mësohet se vajzat do të tregojnë edhe para gjykatës lëvizjet që kanë bërë miqtë e tyre, që tashmë ndodhen në pranga,në datat kur kanë ndodhur vrasjet për të cilat ata akuzohen. "Vajzat kanë dhënë dëshmitë e tyre gjatë fazës së hetimit para prokurorëve dhe këto dëshmi do t'i mbështesin edhe para gjykatës, për të bindur gjykatën për vrasjet e kryera nga të pandehurit, njëkohësisht për të vërtetuar dëshminë e të pandehurit Adriatik Coli",-pohuan dje të njëjtat burime.

Duke iu referuar materialeve që ndodhen në dosjen hetimore, para gjykatës do të paraqitet edhe një vajzë me inicialet V.J, e cila është përdorur si "karrem" në një vrasje në vitin 2000 e më pas është mbajtur peng për 18 muaj, në një banesë në Tiranë. Rrëmbimi i vajzës ka ndodhur në shtator të vitit 2000, kur policia e Durrësit arrestoi Klodian Saliun si të dyshuar për veprat penale të "vrasjes me paramendim në bashkëpunim" të Viron Currit dhe Arjan Pajës, si dhe plagosjen e Marsel Sotirit. Lidhur me arrestimin dhe dyshimin e Saliut për vrasje, dy të pandehurit Indrit Taullai në bashkëpunim me Indrit Doklen përgatitën një plan për nxjerrjen nga burgu të "shefit" të tyre Klodian Saliut, duke marrë dhe mbajtur peng për një periudhë 18- mujore vajzën me inicialet V.J. Kjo e fundit ishte dëshmitarja okulare e vrasjes së Viron Currit dhe Arjan Pajës si dhe plagosjen e Marsel Sotirit. Sipas dosjes, të pandehurit e kanë izoluar në banesën e Indrit Dokles vajzën, me qëllim qëtë shmangte dëshminë e saj para organeve kompetente dhe si rrjedhim për t'iu shmangur dënimit "shefi" i tyre Klodian Saliu. Pas lirimit të Saliut nga burgu për mungesë provash e dëshmish, vajza është lënë e lirë, por ajo është kërcënuar vazhdimisht për moskallëzimin e ngjarjes.

Të gjitha këto fakte, sipas prokurorisë, janë zbardhur falë pendimit të njërit prej "vrasësve" më gjakftohtë të bandës, të pandehurin Adriatik Coli. Gjithashtu, në listën e përpiluar nga akuza për të dëshmuar janë edhe shumë familjarë të viktimave, të afërm të tyre, punonjës policie, ish-policë, kalimtarë të rastit, të cilët kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes, ekspertë balistikë, ekspertë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, hetues të policisë, familjarë të të pandehurve dhe një sërë emrash të tjerë, që pritet të thirren nga organi i akuzës. Prokuroria e Krimeve të Rënda, pas hetimeve disamujore përpiloi kërkesën për gjykim dhe e dorëzoi pranë gjykatës, duke ngritur akuza mbi 17 të pandehurit e kësaj "bande" të ndarë në dysh. Mbi 17 të pandehurit rëndojnë akuza të vrasjes së 8 personave, rrëmbimin e një femre për 18 muaj, vrasjet e mbetura në tentativë ndaj 5 personave dhe "armëmbajtjes pa leje".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›