Kaos në dogana, bllokohen dhjetëra trajlera
Një urdhër i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, fut në kaos kompanitë e transportit dhe importeve
Maunet presin tre ditë në port, për të marrë lejen e transitit për në Tiranë
Një urdhër i ri i Drejtorit i Përgjithshëm të Doganave duket se ka futur në kaos shumë kompani që importojnë mallra. Urdhri i ri, kërkon që çdo kontejner që hyn në Doganën e Durrësit dhe që me sistem transiti duhet të dërgohet për zhdoganim për në Tiranë, apo për rieksport për në Kosovë, duhet të shoqërohet nga makinat e Antikontrabandës Doganore. Por sasia e mjeteve dhe njerëzve në disponim të Antikontrabandës është shumë e vogël, e për pasojë, kontejnerët duhet të presin ditë të tëra që t'u vijë radha të shoqërohen. "Kam tre ditë që pres të transferoj kontejnerët nga Durrësi për në Tiranë dhe nuk e bëj dot për shkak se nuk ka shoqërues të disponueshëm nga Antikontrabanda", - deklaroi një biznesmen që prej disa ditësh pret radhën për transitim. Burime nga dogana bëjnë të ditur se urdhri për shoqërimin ka ekzistuar edhe më parë, por zbatimi i tij qe lënë pas dore për pamundësi reale të Antikontrabandës për të shoqëruar çdo maune me mallra. Për më tepër, në rastin e kontejnerëve që kalojnë transit nga Durrësi për në Kukës dhe Kosovë, koha e pritjes është shumë më e madhe. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z.Përparim Dervishi nuk pranoi të komentojë problemin, por tha se "gazetarët duhet të merren me punët që u takojnë".
Transiti
Ka një numër të pafundmë praktikash doganore që nuk mund të kryhen në doganat kufitare dhe, për këtë arsye, transferohen për në Doganën e Tiranës. Kur importon një makinë p.sh., dhe vjen nga Hani i Hotit, ke katër orë kohë për t'u paraqitur në doganën e Tiranës, pas çastit të vulosjes së dokumenteve. Afati është më i madh për mallrat që importohen nga Greqia përmes Kapshticës dhe që duhet të kalojnë me sistem transiti mbi 200 kilometra rrugë. Sistemi i transitit është konsideruar gjithmonë si një metodë e lehtë për futje mallrash kontrabandë. Maunet që kalojnë nga pika kufitare për te dogana e brendshme, mund të shkarkohen pjesërisht për të paguar taksa vetëm mbi një pjesë të mallit të importuar. Për të shmangur këtë problem, është vendosur shoqërimi nga zyrtarë të doganave të udhëtimit.
Nga porti i Durrësit hyjnë çdo vit mbi 3 milionë tonë mallra dhe mbi 10 mijë kontejnerë. Shumica dërrmuese e kontejnerëve duhet të kalojnë transit rreth 30 kilometra autostradë për t'u përpunuar në Doganën e Tiranës. Praktika e re e autoriteteve është shoqërimi i të gjitha këtyre mallrave, por, ndërkohë, mjetet dhe njerëzit në disponim për shoqërimin janë shumë të paktë. Për pasojë, në Doganën e Durrësit, kompani të ndryshme importi kanë tre ditë që presin radhën e shoqërimit, për të përshkruar 35 kilometra rrugë.