Bamiri rrëzohet me 94 vota

Neni 90 i Kushtetutës mund të jetë një “kërcënim”, i cili mund të detyrojë kreun e shtetit, Bamir Topin, të gjunjëzohet në përplasjen e fundit me kryeministrin Sali Berisha. Bazuar në këtë nen, kreu i shtetit mund të shkarkohet për shkelje të rënda të Kushtetutës. Pika dy e nenit 90 të Kushtetutës thotë: “Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë”. Pikërisht në debatin e fundit mes presidentit Topi dhe drejtuesve të mazhorancës flitet për shkelje të Kushtetutës. “Argumenti në fjalë”, u shpreh kreu i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Fatos Beja, por edhe përfaqësuesi demokrat në këtë komision, Pal Dajçi. Mosrespektimi i Kushtetutës, duke mos u konsultuar me Kuvendin, u tha se do të ishte pjesë e asaj çka do të hidhej më pas në raportin, që Komisioni i Ligjeve do të hartonte për dekretet. Nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti, e shikon këtë mundësi si një hapësirë që Berisha t’i bëjë presion Topit. Por anëtari socialist i këtij komisioni, Besnik Dervishi, e shikon të pamundur ndërmarrjen e kësaj nisme nga mazhoranca në rastin konkret. “Mund të bëhet kërkesë për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Kjo përcaktohen në nenin 90 të Kushtetutës. Por në rastin konkret, nuk kemi të bëjmë me shkelje të Kushtetutës apo të ligjeve. Të mos konsultohesh me kryeministrin është shkelje kushtetuese?!” - i tha “Korrierit” Dervishi. Por edhe sikur mazhoranca ta ndërmarrë kërkesën për shkarkim, shanset për të marrë votat e kërkuara duken të vogla. Neni 90, pika 2, sqaron edhe procedurat që duhet të ndiqen për këtë rast. Propozimi për shkarkimin e presidentit mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit, pra 35 deputetë. Numri në fjalë duket i arritshëm, por pengesa bëhet edhe më e madhe kur vjen puna për të realizuar objektivin. Propozimi i 35 deputetëve duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij, pra 94 anëtarë. Ky numër votash duket gati i pamundur. Në rastin e ndryshimeve kushtetuese, që kërkonte të njëjtën shumicë të cilësuar votash, demokratët së bashku me socialistët, por edhe një pjesë të mirë të partive të vogla morën 115 vota për kalimin e paketës. Në rastin konkret, votat e PS-së dhe e partive të tjera të majta duhet të jenë kundër. Ata e kundërshtuan vërtet mënyrën sesi u zgjodh Bamir Topi president, por në rastin konkret janë krah presidentit dhe i kërkojnë atij të mos bëhet “vegël” e kryeministrit. Madje edhe vetë votat e PD-së, pavarësisht se mund t’ua kërkojë Berisha, vështirë se mund të jenë në unison, edhe pse në rastin e ndryshimeve kushtetuese, shumë nga mbështetësit e Bamir Topit, pavarësisht kundërshtive të para, “ulën kokën” në momentin e votimit. Gjithsesi, hapësira ligjore ekziston, e nëse vërtet mazhoranca mendon se është presidenti ai që ka shkelur Kushtetutën, e sikundër vetë kryeministri ka folur për shtet ligjor, atëherë nuk mbetet gjë tjetër, veçse fillimi i procedurave.
Neni 90
1. Presidenti i Republikës nuk ka përgjegjësi për aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij.
2. Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij.
3. Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra.