Lulëzim Basha JEP LEJE për një kullë te re tek lulishtja e Vëllezërve Frashëri
Ndërtimi 16 katësh i jepet një biznesmeni të afërt me grupin Basha- Balliu, në kundërshtim me ligjin urbanistik shqiptar dhe Konventën e Vjenës për sigurinë e diplomatëve
Tema
Lulëzim Basha po i hap rrugë ndërtimit të një kulle të re 16 kate në krah të lulishtes së Vëllezërve Frashëri në bulevardin kryesor të Tiranës. Ndërtimi, i cili ka tentuar të nisë vite më parë, është pezulluar pasi leja e tij është dhënë në shkelje të ligjit urbanistik lidhur me distancat si dhe në kundërshtim me Konventën e Vjenës, e cila parasheh masat e sigurisë për ndërtesat e trupit diplomatik. Ndërtesa në fjalë varros nën beton ambasadën e Zvicrës në Tiranë, duke shkelur çdo normë urbanistike dhe sigurie, si dhe mbingarkon me një projekt tërësisht jashtë standardi një nga cepat e vetëm të ngelur pa ndërtuar në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Pas ndërtimit qëndron kompania Teknoprojekt, pronë e biznesmenit të ndërtimit Pinguli, i cili në këtë investim është ortak me motrën e një anëtari të Gjykatës së Lartë.
Ndërtimi i objektit të ri u kontestua nga prefekti i Tiranës, Ministria e Punëve Publike dhe nga pronarët kufitarë të pronës, të cilët filluan procedime të ndryshme gjyqësore dhe administrative me deklarimin e pavlefshmërisë së lejes së ndërtimit si dhe pezullimin e punimeve.
Historia spekulative e ndërtimit
Procedura në bazë të çështjes ka si objekt vlefshmërinë e lejes së ndërtimit të datës 22.12.1998 për ndërtimin e një kulle 16 katëshe nga shoqëria Teknoprojekt në pronën e familjes Mullai.
Në gusht 1999, kur punimet e ndërtimit kishin filluar, prefekti i Tiranës urdhëroi pezullimin e punimeve pasi godina ishte e një rëndësie te tillë, e cila nuk mund të lëshohej nga KRrT, por nga KRrTRSH.
Edhe pse në 12 janar të vitit 2000 Prefekti i Tiranës anuloi vendimin e tij për pezullim të punimeve, më 20 janar 2000 Ministria e Punëve Publike urdhëroi pezullimin e punimeve deri kur KRrTRSH të shprehej në lidhje me vlefshmërinë e lejes së ndërtimit.
Kontestimi mbështetej në faktin se leja e ndërtimit ishte bazuar në ligjin urbanistik të vitit 1993, i cili në momentin e dhënies së lejes- dhjetor 1998- nuk ishte në fuqi. Ligji i ri urbanistik, i cili hyri në fuqi në tetor 1998, përcaktonte kushte të tilla, të cilat sipas Prefektit dhe Ministrit të Punëve Publike e bënin të pamundur marrjen e lejes së ndërtimit të një godine 16- katëshe në qendër të Tiranës nga ana e KRrT.
Me 9 Shkurt 2000 KRrT nuk e sqaroi situatën, por me një letër drejtuar Bashkisë së Tiranës i kërkoi kësaj të fundit të shprehej në lidhje me vlefshmërinë e lejes së ndërtimit të shoqërisë Teknoprojekt.
Kjo situatë administrative në lidhje me vlefshmërinë e lejes së ndërtimit u shoqërua me konfuzionin e krijuar nga tre procese gjyqësore, të cilat kishin në thelb të njëjtin qëllim: vlerësimin e vlefshmërisë së lejes së ndërtimit sipas pretendimeve të ndryshme të subjekteve, të cilët filluan procedimet gjyqësore.
Kështu, prej 2000-2001 gjykatat vendase morën në shqyrtim vlefshmërinë e lejes së ndërtimit të vitit 1998 në kuadrin e një procesi me objekt kundërshtimi i urdhrit të pezullimit të punimeve, nxjerrë nga prefekti i Tiranës. Në këtë procedurë si gjykata e rrethit gjyqësor Tiranë, ashtu edhe Gjykata e Lartë në vendimet e tyre arsyetuan pavlefshmërinë e lejes së ndërtimit, bazuar në një ligj, i cili në kohën e vendimmarrjes nuk kishte fuqi ligjore (ligji urbanistik i vitit 1993 u shfuqizua me anë të ligjit të ri urbanistik të vitit 1998, i cili hyri në fuqi më 25.10.1998). Gjykata e Lartë gjithashtu theksoi se organi administrativ që e ka lëshuar aktin mund të kryejë në bazë të ligjit interpretimin e bazës ligjore dhe kështu të legjitimojë vendimmarrjen e tij.
Në çdo rast është e rëndësishme të theksohet se edhe pse në pjesën arsyetues të vendimeve gjykatat shprehen qartë për pavlefshmërinë e lejes së ndërtimit, të dyja gjykatat në diapozitivin e vendimeve nuk parashikojnë deklarimin e pavlefshëm të lejes së ndërtimit.
Nga 2001-2003 një set i dyte procedurash gjyqësore u zhvillua, të cilat u filluan nga ambasada zvicerane, pronari kufitar i godinës së re, me objekt pavlefshmërinë e lejes së ndërtimit të objektit të ri. Në këtë procedure, në 2002, gjykata e rrethit gjyqësor Tirane, pa bërë referencë në procedurën e mëparshme gjyqësore, vendosi pavlefshmërinë e lejes se ndërtimit pasi bazohej në një ligj të shfuqizuar në kohën e vendimmarrjes. Në 2003, Gjykata e Apelit Tiranë, në bazë edhe të arsyetimit të Gjykatës së Lartë në vendimin e vitit 2001 i kërkoi KRrT, si organi kompetent, të shprehej në lidhje me vlefshmërinë e lejes së ndërtimit. Në 18.06.2003 KRrT me një letër të zv/kryetarit të saj drejtuar gjykatës, pranoi vlefshmërinë e lejes së ndërtimit nga këndvështrimi i këtij organi dhe e la në diskrecion të gjykatës të shprehej në lidhje me objektin e gjykimit. Në vendimin e saj Gjykata e Apelit prishi vendimin e gjykatës se rrethit me arsyetimin se kërkesa ishte depozituar jashtë afatit ligjor si dhe ne arsyetimin e saj u shpreh për vlefshmërinë e lejes së ndërtimit. Në dispozitivin e vendimit gjykata nuk u shpreh për vlefshmërinë e lejes se ndërtimit apo rifillimin e punimeve. Në vendimin e saj Gjykata e Lartë konfirmoi vendimin e Gjykatës se Apelit duke rrezuar pretendimet e kërkuesit, ambasada zvicerane, për mungese legjitimiteti. Në vendimin e saj Gjykata e Lartë nuk u shpreh në lidhje me vlefshmërinë e lejes së ndërtimit.
Një set i tretë procedure gjyqësore, e cila në thelb kishte deklarimin e pavlefshmërisë e lejes së ndërtimit, ishte procedura e filluar në 2005-2009, e cila u fillua përsëri nga pronari kufitar i godinës së re, ambasada zvicerane, këtë herë me objekt cenim prone nga ndërtimi i ri pasi nuk respektoheshin parametrat ligjor të distancave me pronat e tjera.
Ne 2005 gjykata e rrethit gjyqësor vendosi mosrespektimin e distancave ligjore në ndërtimin e godinës së re duke urdhëruar edhe pezullimin e punimeve. Gjykata në vendimin e saj u bazua në arsyetimin e vendimit të Gjykatës së Lartë të 2001.
Ne 2007 Gjykata e Apelit prishi vendimin e shkallës së parë pasi sipas gjykatës objekti i ri nuk ekzistonte dhe si i tillë nuk mund të cenonte momentalisht pronat kufitare. Gjykata e Larte konfirmoi vendimin e Apelit.
Deri me sot punimet për ndërtimin e godinës 16 katesh janë pezulluar për një afat te pacaktuar dhe se tre procedura gjyqësore nuk u shprehen asnjëherë në forme përfundimtare në lidhje me vlefshmërinë ose jo të lejes së ndërtimit.
Qeveria spekulon me vendimin e Strasburgut për pasiguri juridike
Gjykata e Strasburgut, e cila ka gjykuar rastin në fjalë, ka arritur në përfundimin se subjektit i është krijuar pasiguri juridike për shkak të vendimeve të ndryshme të qeverisë dhe bashkisë. Gjykata deklaroi shkelje të të drejtës së ankuesve për një proces te rregullt pasi principi i si