Lulëzim Basha dhe Olldashi si fadromistë
Pasi ka tentuar të marrë urime me të ftuar në zyrë, qofshin këta diplomatë apo artiste të kapura mat nga protokolli, Lulëzim Basha po përpiqet të tërheqë vëmendjen me një gjest force, prishjen e ndërtimeve abuzive në Tiranë. Dje u njoftua për një ndërtesë tek 21 Dhjetori, ndërsa dhjetëra lokaleve tek Liqeni u ka shkuar nga një letër për tu njoftuar prishjen e tyre. Edhe pse në Tiranë nuk ka pasur ndërtime abuzive, prej 8 majit, ndërsa shqiptarët ndiqnin tragjikomedinë e përmbysjes së rezultatit në tavolinë, duket se një pjesë kanë menduar ta shfrytëzojnë atë për ndërtime pa leje. Por shkaku përse Basha po ndërmerr këtë fushatë, më shumë se sa kontrolli mbi territorin, ka të bëjë me makthin që ai ka nga mospranimi i qytetit për të. I kompleksuar nga vjedhja e mandatit të Tiranës, nga njollosja ndërkombëtare e zgjedhjeve, nga distanca e diplomatëve dhe opinionit kombëtar e ndërkombëtar, ai po e harxhon muajin e parë në zyrën e kryetarit të Bashkisë për të riblerë tashmë autoritetin që nuk ia dha fitorja. Duke përdorur protokollin e Bashkisë ai fton përditë diplomatë të rangut të ulët e të lartë (kush ti pranojë), për ti shkuar në zyrë, artiste që u bie rruga nga Tirana dhe që fare papritur e shikojnë veten në ekran sikur mezi kanë pritur të shikojnë Bashën kryetar, qytetarë të frustruar, që i tregojnë kryetarit letra dhe halle qyteti, dhe një medie e tërë që i qurravitet pas nga halli që kanë pronarët e tyre, shumica ndërtues, për leje të reja. Dhe në këtë makth të madh të mospranimit të autoritetit të tij si kryetar bashkie, Basha ka vendosur të hedhë një hap të ri, hapin e demonstrimit të forcës. Duke u prezantuar si njeriu që ka në dorë qytetin, ai po përpiqet të tregojë pushtetin e tij që nuk e beson dot dhe vetë që e ka.
Nuk e di fare kush e ka atë pallat që po prish, por ma merr mendja se ndonjë demokrat entuziast ka shtuar ca kate, ndërkohë që ka qenë i bindur se Basha po e merr mandatin në tavolinë. Por Lulëzim Basha nuk po ja prish për të rregulluar Tiranën, por për të vazhduar fushatën e pranimit të tij si kryetar bashkie në Tiranë.
Ndryshe nga Basha, Shpëtim Gjika në Vlorë dhe Sokol Olldashi në Tiranë, nuk po veprojnë ndaj një ndërtimi tmerrësisht abuziv në Ujin e Ftohtë në Vlorë. Investitori i këtij ndërtimi, Lulëzim Basha, në emër të vjehrrit të vet po ndërton në mënyrë abuzive dhe të kundërligjshme një kompleks pallatesh mbi det, dhe askush nuk po vepron. Prokuroria ka nisur hetimin si vepër penale, por shpreson me sa duket ta shkëmbejë nderin e mos-hetimit me ndonjë gjë tjetër nga pushteti. Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, nuk ka kompetencë të dërgojë fadroma, por vetëm letra, pasi ndërtimi është mbi det dhe nuk është më kompetencë e Bashkisë, por e Ministrisë së Transportit. Ministri i Transportit, Sokol Olldashi, të cilit i ka ngelur topi në fushë të tij, po e përdor mosveprimin e tij për të riparuar krisjen që i është prodhuar me Berishën pas pazarit në kryesi për të eliminuar figurat e vjetra të partisë dhe për tu shfaqur si një dyshe fallco me Bashën në krah. I përdorur nga Basha pikërisht për të hequr qafe rivalët e tij realë në PD dhe për ta kompromentuar si ministër selektiv në punën e tij, Olldashi tashmë nuk ka as fuqinë dhe as hallin që ka Lulëzim Basha kur dërgon fadroma të prishë ndërtime abuzive. Halli i Bashës në këtë operacion është të pranohet si kryetar bashkie qoftë dhe duke përdorur forcën, kurse halli i Olldashit është të pranohet si aleat fallco i Bashës, qoftë dhe duke shkelur ligjin dhe duke lejuar një kompleks pallatesh abuzive mbi ujë në Ujin e Ftohtë në Vlorë. Është pikërisht kjo diferenca reale mes Bashës dhe të tjerëve në PD dhe inferioriteti real mes tij dhe qytetarëve të Tiranës. Basha është inferior me Tiranën dhe përpiqet të përdorë forcën për tiu imponuar, ndërsa në parti është i fortë dhe i plotpushtetshëm, aq sa pushteti i është nënshtruar dhe nuk guxon të zbatojë as ligjin kur bëhet fjalë për abuzime publike të tij siç është ndërtimi në Ujë të Ftohtë në Vlorë. Në të njëjtën situatë Olldashi është gjendur dhe vitin e kaluar kur Ilir Meta ndërtoi pa leje me shpejtësi një vilë dykatëshe në Gji të Lalzit dhe fadromisti i tij, Gjergj Bojaxhiu, shkonte të pastronte tokën e Fevziut dhe Zamirit nga fshatarët, por jo bregdetin nga ndërtimi pa leje i zëvendëskryeministrit. Edhe sot forca tregohet ndaj njerëzve pa pushtet, që ndoshta abuzojnë për shkak të pafuqisë së shtetit për tu plotësuar nevojat e tyre dhe tolerohen pikërisht ata që po abuzojnë në çdo qelizë me pushtetin. Ai që ka ndërtuar një banesë katërkatëshe në Tiranë apo dy kafe tek Liqeni, është vite drite larg me abuzimin e Lulëzim Bashës mbi pikën më të bukur turistike të Shqipërisë, në Ujë të Ftohtë në Vlorë. Mjafton ky shembull për të treguar sa jo sinqerisht e ka Lulëzim Basha prishjen e një ndërtimi abuziv në Tiranë, kur vetë po ndërton një përbindësh në det. Atij i duhen fadromat për tu imponuar si pushtet i paligjshëm dhe jo për të treguar se është njeri i ligjit. Ai po poshtëron jo vetëm njerëzit e thjeshtë pa pushtet, por dhe ata që kanë gjithë pushtetet për të zbatuar ligjin mbi të.
