E Shtunë, 31 Tetor 2026

Britani, zgjerohet harta e protestave të dhunshme, Kameron: Do rikthejmë rendin

10-08-2011 / Gazeta 55

Policia e Londrës do të dislokojë mbi 13 mijë trupa policore në qytet gjatë 24 orëve të ardhshme për t’u bërë ballë trazirave dhe për të ruajtur rendin, ndërkohë që kryeministri britanik ka deklaruar se efektivët e policisë mund të arrijnë në 16 mijë në kryeqytet

Shtrihen edhe në Mançester e Bristol trazirat që nisën të shtunën në Londër, bëjnë të ditur mediat britanike, që citojnë burime policore. “Në Mançester shumë automjete janë dëmtuar dhe u është vënë zjarri, ndërkohë që në Bristol një grup prej rreth 150 të rinjsh po përleshet me policinë”, raportoi BBC, e cila u referohet burimeve nga “Scotland Yard”. Ndërkohë, dje u zhvillua një takim i komitetit të krizave, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Dejvid Kameron, i cili ndërpreu urgjentisht pushimet. Kryeministri britanik Dejvid Kameron, pas një takimi që zhvilloi me Shefin e Policisë Metropolitane dhe Sekretarin e Brendshëm të vendit, u zotua se do të merren të gjitha masat e nevojshme për të rivendosur rendin dhe për të ndalur incidentet që i cilësoi si të pështira: “Këto janë akte kriminaliteti, të cilave duhet t’u përgjigjemi dhe t’i ndalim. Ndjej dhimbje të madhe për familjet që kanë vuajtur, për njerëz të pafajshëm që u është djegur shtëpia nga vandalët për bizneset e shkatërruara nga plaçkitjet. Askush nuk duhet ta verë në dyshim se ne qëndrojmë në anën e qytetarëve që respektojnë ligjin… Policia Metropolitane më ka siguruar se krahasuar me 6 mijë policët që ishin dislokuar mbrëmë në Londër, sonte do të kemi rreth 16 mijë. Do të sjellim përforcime nga pjesë të tjera të vendit”. Këtë deklaratë Kameron e bëri gjatë një konference të shkurtër ku njoftoi edhe një mbledhje urgjente të Parlamentit të enjten. “Do të bëjmë ç’të jetë e mundur për të rikthyer rendin dhe qetësinë”, tha Kameron. Vala e dhunës dhe plaçkitjeve që ka pushtuar lagje të tëra në Londër është përhapur tani edhe në tre qytete të tjera të mëdha në Britani. Autoritetet po përpiqen të vënë nën kontroll situatën, pas shpërthimit të trazirave më të rënda që nga vitet 1980. Në Londër, grupe të rinjsh vazhduan aktet e vandalizmit për të tretën natë radhazi, duke u vënë zjarrin ndërtesave dhe makinave, duke plaçkitur dyqanet dhe duke qëlluar policinë me shishe e objekte të tjera. Në zonën Hakni të Londrës, vandalizmi rezultoi në një skenë masive shkatërrimesh. Policia është përpjekur të largojë me forcë njerëzit nga rrugët. Megjithatë, në shumë zona trazirat kanë vazhduar thuajse pa asnjë sfidë nga forcat e rendit. Vandalët kanë qenë të lirë të plaçkisin dyqane e të uzurpojnë banesa. Për momentin nuk shihet një kauzë e vetme që i bashkon trazirat, megjithëse në disa raste incidentet lindën gjatë protestave kundër shkurtimit të shpenzimeve qeveritare. Këto shkurtime do të sjellin uljen e asistencës sociale dhe mbylljen e dhjetëra mijëra vendeve të punës brenda vitit 2015. Protestat filluan të shtunën me një demonstratë paqësore në Londër, që më pas mori karakter të dhunshëm. Pjesëmarrësit po protestonin kundër qëllimit me armë zjarri të një banori të Londrës nga policia, në rrethana të paqarta. Që nga ai moment, afro 400 vetë janë arrestuar dhe 69 të tjerë janë shpallur fajtorë për vepra penale. Pritet që në ditët në vazhdim, këto shifra të rriten.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›