Lulëzim Basha me dash, Dritëro Agolli me telefon
Sa herë që në vendin tonë ka momente festimesh të rëndësisë së veçantë, instikti i genit m’a shpie mendimin gjithmonë te poeti Jeronim De Rada, te vargjet e tij: Në qiell Engjëjt bënin veç gostinë e tyre.
Ia kam gjetur shpjegimin kësaj prirjeje për te De Rada krejt natyrshëm, si njeriu që orientohet prej busullës në drejtim të Veriut. Aparati orientues në rastin tim kanë qenë referencat e shpeshta që i kanë bërë poetit disa nga emrat e mirënjohur të kulturës shqiptare. I është referuar Konica, Noli, Çabej, Poradeci, Kadare, etj.. Me sa duket ata me vështrimin e tyre referues te De Rada na kanë treguar se ku është Veriu ynë historik e kulturor.
Porsa pashë gostinë që festonte celebrimin e kryebashkiakut Basha me dashin e kurbanit të shkuar nën thikë, mendja fluturimthi më shkoi te Faik Konica. Nga bashkëkohës të tij është sjellë një fakt shumë interesant për një bisedë të bërë mes Konicës dhe Nolit.
Konica kishte nisur të hidhte në letër idetë e tij mbi të ardhmen me orientim perëndimor që duhej të merrte populli shqiptar dhe në këtë kontekst do shkruante edhe një pamflet – satirë idea e të cilit ishte: Gjithë ministrat e qeverisë shqiptare bëhen synet në ditën e Bajramit. Mirëpo kjo mbeti në nivel ideje, bisede pasi ligji i nxjerrë nga mbreti Zog për ndalimin e mbajtjes së perçeve në rrugë e bëri që të ndryshonte mendim duke e nuhatur këtë orientim properëndimor.
Konica m’u kujtua menjëherë kur pashë në TV momentet e ceremonisë, gostisë së kurbanit që bënin kurban dervishët e Bashës në trotuarin përpara Bashkisë së Tiranës. Nuk mund të më largohen nga mendja fytyrat e atyre burrave tironas që dukeshin të lumturuar në këtë ditë kurorëzimi fitoreje të Lulëzim Bashës, skifterit të tyre tokësor. Me vështrime që shprehnin dëshirë (ah e shkreta moshë që nuk ua lejonte që ta bënin ata atë punë) për të qenë çdonjëri në rolin e djalit që mbante dashin për brirësh ata më dukeshin si ata burrat që rrinë rreth e rrotull sazexhinjve e që dëfrejnë për bërjen e djalit synet. Ndërsa djali që pozonte me thikë në dorë me kokën e tij, por pa brirë, më të madhe nga koka e dashit që e shtrëngonte për brirësh më dukej si simboli më autentik i primitivizmit shqiptar.
Kështu i ka përshkruar zonja angleze Edit Durham shqiptarët 100 vjet më parë. Ajo me siguri kish ndjekur edhe ceremoni fillimi ndërtimi të ndonjë shtëpie, ku bërja e dashit kurban gëzonte njerëzit për hedhjen e themeleve të reja.. Kjo është tradita, dashi theret për fillim shtëpie. Këta Bashët sot na sajojnë tradita të reja, spekullojnë me qëllim. Po të ishte kështu tradita atëhere do e kishim parë në kurorëzimin e mbretit Zot, dhe aq më shumë akoma për kurorëzimin e Berishës president. Aida Shehu nuk do kishte hapur shishe shampanje në Kuvend por së bashku me Dritan Shehun do kishin therur lopën përpara Presidencës dhe Kryeministrisë.
Njëqind vjet pas Edit Durhamit po kështu me thikë në dorë e shikojnë ambasadorët perëndimorë shqiptarin që derdh gjak në bulevard, për kurorëzimin e atij që e quajnë Kryebashkiaku modern shqiptar. Konica do e quante Basha modern me poture.
Makabriteti i skenës të therjes së dashit shënon edhe një herë më shumë portretin psikologjik shqiptar, genin e përçudnuar që veç mbrapsht mendon.
Ruajna Zot, po sikur një ditë të lexojmë në shtyp se Këshilli Bashkiak i Tiranës ka vendosur që të gjithë meshkujt e Bashkisë së Tiranës do të bëhen synet dhe mbetjet e tyre pas prerjes do të vendosen si kurban në themelet e Parlamentit të ri nga duart e ish Ministrit Ylli Pango? E imagjinoni dot lumturinë e Kryeshoqes së Parlamentit, Jozefina Topallit!!!
Jozefina Topalli i pranon me kënaqësi këto myslymanizma dhe ajo ndjehet shumë e inamorueme pas këtyre riteve primitive. I jap të drejtë At Zef Pllumit kur thoshte se Jozefina është myslimania më e madhe n’ mes të katolikve.
Sikur të mos mjaftonte gjithë loja ceremoniale e uljes së Bashës në karrigen e Kryetarit, papritur, pak minuta pas kësaj therjeje e spërkatje gjaku para Bashkisë, nëpërmjet telefonit Bashës i vjen urimi prej shkrimtarit Dritëro Agolli.
Çfarë e ka shtyrë Dritëro Agollin me stil babaxhani që të ketë nevojë, që ta ndiejë kaq imperative bërjen publike të kësaj telefonate private?
Socialisti Dritëro Agolli pavarësisht nga veprimtaria e kohës së kaluar, mbas dënimit publik që i bëri kohës së Enver Hoxhës, të paktën në këto njëzet vitet e fundit është mbajtur për burrë i ndershëm dhe realist në gjykimin e historisë dhe personazheve të saj.
Logjika e kërkon që përpara se të uronte Bashën, Dritëroi duhej të uronte Arben Ristanin për punën e mirë në administrimin e proçesit të numërimit të votave, për kontributin që solli në pasurimin e eksperiencës juridike shqiptare, sipas fjalëve të vet Zotit Berisha. Por Ristani është për votat, jo për pasuritë e patundëshme.
Vallë e ka fshirë kaq shpejt nga kujtesa shkrimtari Dritëro Agolli faktin se Lulëzim Basha ishte së bashku me Sali Berishën në zyrën e Kryeministrisë nga ku u dha urdhri për të vrarë bashkëqytetarët!? Nuk i prishet ndopak gjumi Dritëroit, këtij Qytetar Nderi të Tiranës, nga fotot e fëmijve të përlotur, baballarët e të cilëve janë vrarë në demostratë me atë urdhër që e ka përcjellë Lulëzim Basha të dhënë prej Sali Berishës. Lulëzim Basha kishte një mundësi deçisive në dorë në momentet e dhënies së urdhrit për të vrarë. Le të na shpjegojë sesa sakrifikoi nga vetja e tij për të penguar, për të ndaluar zbatimin e urdhërit të vrasjeve. Këto Dritëroi i di mirë, sepse ia gjakosën Basha e të tijët Bulevardin e qytetit ku ai është Qytetar Nderi.
Një nxitim i çuditshëm ky i shkrimtarit Dritëro Agolli edhe për një fakt tjetër tepër të rëndë. Harroi vallë Dritëroi që Ministri Lulëzim Basha përgatiti dosjen e dhurimit konspirativ të një sipërfaqeje deti shtetit grek në kundërshtim me Kushtetutën Shqiptare. Fjala është për atë pjesë deti ku Dritëroi si Kryetar i artistëve shqiptarë bënte shëtitje me varkë gjatë verës dhe shkruante poezi për Nënën Shqipëri.
Shqiptarët përgëzojnë të gjithë ata që ndihmuan që të dështonte kjo ndërmarrje antikombëtare, e cila do mbetej në histori njëlloj si grabitja prej serbëve e Shën Naumit, dhuruar prej mbretit Zog në kompensim të ndereve që serbët i bën atij për të ardhur në pushtet.
Me gjithë respektin, ndoshta mosha ia mjegullon me raste arsyetimin, po e shoqja, ç’bëri Sadija, e cila e ka inteligjencën e mjaftueshme për ta kuptuar rëndësinë e problemit. Këtu qëndron e keqja e Dritëroit në këtë rast.
Veprimi i telefonatës uruese ka një nxitje shumë presuese. Ky është një veprim gruaje. Kjo nxitje me siguri i ka ardhur nga e shoqja, Sadija, e cila e gjendur në panik se çdo u ndodhi fëmijve me bizneset tani që erdhën këta të tjerët, e ka menduar si shumë diplomatike që, më mirë le të përdoret Dritëroi me pak humbje nga integriteti i tij në këtë rast sesa të humbasin perspektivën fëmijët dhe nipërit e mbesat. Prirem shumë që të mendoj se me intuitën e tij Dritëroi fillimisht nuk do e ketë dashur t’a bëj këtë veprim. Mirëpo halli i fëmijve që ia sillte orë e çast para syve e shoqja e vuri në siklet të madh. Tek e fundit, e ka argumentuar Sadija, Dritëroit do ia marrin si gjest fisnik mbi partiak, veprim civilizues, ndërkohë që i rregullojmë urat me këta të rinjtë në pushtet. Me urimin drejtuar Lulëzim Bashës shkrimtari Dritëro Agolli i përcolli mesazhin e kompromisit direkt Sali Berishës. E ka ndjerë shumë të nevojshme që këtë mesazh t’a bëj të njohur për të gjithë shqiptarët.
Lexoja një gazetare, A.Basha e cila e interpretonte këtë urim të Dritëroit si një sinjal për Edi Ramën e të gjithë socialistët, etj, etj.. Më vjen keq por më duhet të them se je shumë larg së vërtetës zonja
