E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Piramida”, Berisha ironizon mbrojtësit: Janë vullnetarët e Enverit

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka ironizuar dje peticionin e firmosur nga qytetarë të Tiranës kundër shembjes se Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, apo siç njihet ndryshe Piramida. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, në fund të fjalës së tij, kreu i ekzekutivit i është drejtuar medias me një batutë të lëshuar, jo pa qëllim. “U regjistruat ju në atë shoqatën ‘Vullnetaret e Enverit’, apo jo? Kini kujdes, se e bëmë një betejë para 20 vitesh, tani do me na fut prapë në këto probleme... Bëj shaka... Se unë për Piramidën e kisha”, - u tha Berisha dje gazetarëve, teksa po largoheshin nga salla. Reagimi i kryeministrit Sali Berisha erdhi në fakt një ditë pasi në zyrën e tij u depozitua një peticion i firmosur nga 6100 qytetarë të Tiranës dhe i dorëzuar nga përfaqësues të lëvizjes “Aksioni Qytetar për Shpëtimin e Piramidës”. Thuajse një javë më parë në sheshin para Piramidës qytetarë të Tiranës iu bashkuan thirrjes për të protestuar kundër vendimit të Kuvendit për prishjen e Piramidës. Nismëtarët e Aksionit Qytetar i depozituan një kopje të peticionit presidentit të Republikës, Bamir Topi, kryeministrit Sali Berisha, kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha. "Presidenti, sipas Kushtetutës, ka të drejtë ta kthejë një ligj për rishikim. Kemi të bëjmë me një aksion qytetar, i cili vjen pas kalimit të një ligji të kaluar me shumicë të thjeshtë, pa asnjë shpjegim në kundërshtim me disa nene të Kushtetutës. Ky është një aksion civil që nuk mund të ketë hapa ligjorë nëpër gjykata... E rëndësishme është se për këtë çështje janë sensibilizuar qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë", - tha dy ditë më parë Ardian Klosi, një nga nismëtarët e kësaj lëvizjeje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›