E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha hap dyert e Bashkisë, pret qytetarët e Tiranës

TIRANË Ashtu siç kishte premtuar, kryetari i bashkisë, Lulzim Basha, ka hapur dje pasdite dyert e institucionit që ai drejton për të pritur qytetarët e Tiranës. Kanë qenë të shumtë ata që i janë drejtuar Bashkisë për të uruar qytetarin e parë të Tiranës. Nga ana e tij, kryetari i bashkisë, Basha, ka përsëritur premtimin se do të jetë i gatshëm që t’i presë ata për çdo problem dhe shqetësim që kanë. Kryebashkiaku Lulëzim Basha do të presë çdo të premte qytetarë të Tiranës për probleme që do të kenë lidhje me kontributin që Bashkia mund të japë në zgjidhjen e tyre. Në takimet djeshme, që nuk kane qenë të pakta, Basha ka konfirmuar se Bashkia e Tiranës do të jetë në funksion të qytetarëve, pavarësisht kahut politik dhe votës që ata kanë dhënë më 8 maj.

Emërimi i Panaritit

Takimi me qytetarët e Tiranës është zhvilluar dje pasdite në zyrën e tij, ndërkohë që në fillim të ditës së punës kryetari i bashkisë ka firmosur për propozimin e LSI-së lidhur postin e nënkryetarit të bashkisë. Emërimi i Edmond Panaritit, sipas Bashës, do t’i shërbejë iniciativës për mbrojtjen e konsumatorit kryeqytetas. “Mbrojtja e konsumatorit merr sot një shtytje të fuqishme me emërimin e profesor, doktor, Edmond Panariti, si nënkryetar bashkie, i cili do të jetë i fokusuar në mbrojtjen e konsumatorit si nga ana e sigurisë ushqimore, ashtu edhe për konkurrueshmërinë në treg, pa spekulime”,- tha kryetari i bashkisë para mediave. Gjatë prezantimit, Basha bëri të ditur se Panariti është një nga kapacitetet më të njohur në vend dhe në rajon në çështjet e mbrojtjes së konsumatorit.

Sfida

Nga ana e tij, Panariti tha se mbrojtja e konsumatorit është një prioritet absolut dhe emergjent. Ai shtoi se portofoli që ai merr është i rëndësishëm dhe ka të bëjë me ambicie dhe objektiva të mëdha. “Ky prioritet i programit tuaj, që e keni theksuar edhe gjatë fushatës, shkon në sinktron të plotë edhe me angazhimin tim qytetar”,- iu drejtua Panariti, Bashës. Edmond Panariti ka qenë i angazhuar së fundmi në një projekt rajonal 3-vjeçar të Bankës Botërore, në mbrojtje të konsumatorëve. Një ditë më parë, kryebashkiaku Lulëzim Basha prezantoi zv.kryetaren Jorida Tabaku, e cila për të kaluar në këtë post ambicioz dha dorëheqjen nga posti i zv.ministres së Integrimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›