Lulgjuraj e Sejko në Eurosong 2013

Festivali i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, kurorëzoi sonte Adrian Lulgjuraj dhe Bledar Sejko si fitues të edicionit të 51-të.
Ata do të kenë privilegjin që me këngën e tyre "Identitet", të konkurojnë në Eurosong 2013, duke përfaqësuar Shqipërinë në këtë ngjarje me rëndësi të madhe në kulturën evropiane, që këtë vit mbahet në Suedi.
Gjatë natës finale, në ish Pallatin e Kongreseve në Tiranë, u performuan edhe 16 këngë të tjera finaliste nga: Selami Kolonja, Rosela Gjylbegu, Kejsi Tola, Vesa Luma, Dr.Flori & Fabian Basha, Merland Kademi, Rezarta Smaja, Ardian Bujupi, Xhejn dhe Enxhi Kumrija, Hersi Matmuja, Lynx, Anjeza Shahini, Kelly, Bojken Lako, Valon Shehu dhe Flaka Krelani.
Artistë të ftuar ishin edhe Saimir Pirgu, Shkelzen Doli, Rona Nishliu dhe çifti nga Azerbajxhani, Ell&Nikki (Eldar Gasimov dhe Nigar Jamal), fituesit e Eurosong 2011.
Mbrëmjen finale nuk e shijoi Ani Çuedari, pas heqjes nga gara të këngës "Më ler një ëndërr", me kompozim të Endri Tolës. Kështu kishte vendosur juria e festivalit pasi ka vërejtur ngjashmëri të këtij krijimi artistik me një krijim të këngëtares J-Min nga Korea e Jugut.
Ky festival, që sivjet përkon me 40 vjetorin e Festivalit të 11-të, i cili tentoi të thyente tabutë e një regjimi diktatorial por fatkeqësisht me pasoja të rënda për mjaft artistë, ishte dhe një homazh për të gjithë ata, që në vitin 1972 përmes këngës përcollën atë mesazh që shpirti ua donte.
Prandaj, gjatë netëve të festivalit, krahas këngëve konkuruese, për publikun erdhën edhe këngët nga Festivali i 11-të, të interpretuara nga artistët që i kanë kënduar për herë të parë e disa të tjera nga artistë të rinj.
Ky edicion, ashtu siç ishte premtuar nga organizatorët, erdhi i gjithi “live”, në drejtimin artistik të kompozitorit dhe orkestruesit Shpëtim Saraçi, ndërsa u prezentua nga Enkel Demi dhe Floriana Garo.
Fituesja e edicionit të kaluar të këtij festivali, Rona Nishliu, u pozicionua e pesta në renditjen përfundimtare në "Eurosong 2012”, duke përfaqësuar denjësisht Shqipërinë. /Rozafa Kelmendi/Indeksonline/