Luli Bitri, 10 ditë para Sarajevës, fiton një çmim në Francë

Luli Bitri në filmin Amnistia
Lajmi për çmimin e gjeti në shesh-xhirim.Madje regjisori bëri të pamundurën ta gjente, por Luli Bitri kishte nisur tashmë një sfidë të re. Roli i Elsës, ndonëse tepër i trishtë e me një fund tragjik, qëlloi me shumë fat për aktoren Luli Bitri. Pas vlerësimeve që ka marrë në Berlinale dhe në Festivalin e Leçes, filmi me metrazh të gjatë i regjisorit Bujar Alimani, Amnistia, u nderua me një tjetër çmim, në një tjetër festival. Bëhet fjalë për Festival International de Cinema de Vernon, në Francë, ku Luli Bitri fitoi çmimin si Aktorja më e mirë. Juria e festivalit për filmat me metrazh të gjatë, përbërë nga Evelyne Dress, shkrimtare, aktore dhe producente filmash, në pozicionin e presidentes së jurisë, Margot Abascal, Caroline Pochon, Louise Premonville dhe Fabrice Simon ia dhanë shqiptares këtë çmim, edhe pse ky edicion kishte edhe të tjerë konkurrentë që vinin nga Kanadaja, Franca, Belgjika, Argjentina, Gjeorgjia etj. Ndonëse një çmim në Perëndim është gjithnjë i mirëpritur, sfida e radhës vjen pas pak ditësh. Filmi Amnistia do të konkurrojë në një tjetër festival të rëndësishëm kinematografik. Bëhet fjalë për Festivalin e Filmit në Sarajevë, ku Amnistia kandidon për çmimin Zemra e Sarajevës dhe Luli Bitri me rolin e Elsës në kategorinë e Aktores më të mirë. Sarajevo Film festival do të mbahet nga data 22 deri më 30 korrik. Ndonëse ky festival e fokusohet më së shumti në prodhimtarinë kinematografike të vendeve të Europës Lindore, ai është një nga aktivitetet më të rëndësishme të këtij lloji në botën e filmit. Në të garojnë filma me metrazh të gjatë, të shkurtër dhe dokumentarë.
Konkurrenca do të jetë e fortë për Amnistinë e Alimanit, i cili është i pari film i gjatë artistik për autorin. I refuzuar fillimisht nga Qendra Kombëtare Kinematografike, filmi gjeti më pas mbështetjen financiare të Eurimazhit, çka e detyroi QKK-në që të fuste dorën në xhep e të financonte një pjesë të filmit. Amnistia u realizua në një kohë rekord si një bashkëpunim shqiptaro-greko-francez. Xhirimet janë kryer mes Tiranës dhe Pogradecit. Peshën më të madhe në film e mbajnë katër aktorë: Luli Bitri, Karafil Shene, Todi Llupi dhe Mirela Naska. Filmi tregon një histori të pafat dashurie, që lind në kushte të jashtëzakonshme dhe është e destinuar të vdesë, si dy protagonistët e saj, Shpëtimi dhe Elsa.
Çmimet
Filmi më i mirë me metrazh të gjatë:
La Fee nga Bruno Romy
Çmimi i jurisë: LAutre Rive nga Giorgo Ovashvili
Aktori më i mirë: Rachid Youcef për Fleurs du Mal
Aktorja më e mirë: Luli Bitri për Amnistia