E Diel, 1 Nëntor 2026

Fasonët në krizë financiare, qeveria u mban peng rimbursimin e TVSH

Ulen me 53 për qind shitjet, kompanitë greke e italiane prishën kontratat

Kriza financiare globale ka zhytur në kolaps kompanitë fasoniste. Efektet janë pasqyruar në uljen me 53 për qind të shitjeve. Shkak ka qenë prishja e kontratave nga kompanitë greke dhe italiane, të cilat janë dhe blerësit e këtyre prodhimeve.

Pozitat e kompanive prodhuese me porosi vështirësohen edhe nga mungesa e kompensimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga ana e qeverisë shqiptare. Rezultat janë bërë prezente nga Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të veshjeve dhe këpucëve, e cila në bashkëpunim me Agjencinë Shqiptare të Konkurrueshmërisë dhe Tregtisë me Jashtë, ka prezantuar me subjektet e fasonit të veshjeve dhe këpucëve në Shkodër. Studimin e kësaj agjencie Dimensioni Social i krizës globale në Shqipëri, pasojat e krizës në biznesin fason, ka dalë në përfundimet se ndikime negative në këtë industri kanë jo vetëm faktorët e jashtëm por edhe politikat fiskale dhe rritja e kostove në vend. Kështu ndryshimi i politikave fiskale në mes të periudhave ushtrimore, rritja e çmimit të energjisë, rritja e akcizave por edhe barrierat që ka sistemi bankar ndaj fasonëve ka vështirësuar ndjeshëm pozitat financiare të prodhuesve me material porositësve.


Studimi
Sipas një studimi të Qendrës Shqiptare për Konkurrueshmërinë dhe Tregtinë me Jashtë, për periudhën janar-mars 2010, shitjet e kompanive të fasonit janë ulur me 58,3 për qind, ndërsa 40 për qind e kompanive të pyetura kanë deklaruar përkeqësim të rezultatit financiar, ulje të normës së fitimit. Ndërsa në vitin 2009, në krahasim me vitin 2008, po sipas të njëjtit studim, shitjet e kompanive kanë rënë me rreth 57 për qind. Sipas autoriteteve, kriza në sektorin e prodhimit me material porositësi, apo siç quhet ndryshe, fason, për vitin 2009 ka sjellë një ulje të eksporteve në rreth 15 për qind krahasuar me një vit më parë. Edhe gjatë muajve të parë të vitit 2010, kjo rënie ka vijuar, por me ritme më të ulta. Rrjedhojë e krizës ka qenë ndërprerja ose pezullimi i kontratave me kompani të huaja, sidomos greke, por edhe italiane, ulja e kostos për njësi të produkteve të përfunduara, mungesa e likuiditetit për kompanitë fasoniste, që është e shprehur edhe në mungesën e rreth 40 milionë eurove që mungojnë në arkën e shtetit nga mospagesa e detyrimeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe pezullimi apo pushimi i një numri të konsiderueshme punëtoresh, në pritje të aktivizimit të kontratave ekzistuese apo lidhjes se kontratave të reja. Kompanitë e fasonit po kërkojnë, në kuadër të përballimit të efekteve të krizës, diversifikimin e kontraktorëve si dhe kërkimin e tregjeve të reja, të ndryshëm nga tregu italian dhe grek, që përgjithësisht janë më të prekurit nga kriza globale. Ky vlerësohet si një nga studimet me realiste të bërë kohët e fundit në këtë sektor, me financim të SOROS. Destinacioni i këtyre prodhimeve ka qenë Greqia dhe Italia, por prishja e kontratave për shkak të gjendjes së vështirë financiare të ekonomive të këtyre vendeve ka ulur me 40 për qind normën e fitimit për fasonët. Shifrat bëhen të ditura nga burime zyrtare pranë Dhomës Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe këpucëve. Studimi i mësipërm i realizuar në rreth 80 kompani fasoniste në rrethet Tiranë, Shkodër dhe Korçë dhe për të cilin janë pyetur drejtpërdrejt rreth 250 punonjës të këtij sektori, ka vërtetuar se shitjet e vitit 2009 rezultojnë 57,1 për qind më të ulta se ato të vitit 2008. Kompanitë e pyetura kanë deklaruar në masën 61,5 për qind se presin rezultat financiar më të mirë në vitin 2010 dhe vetëm 26,2 për qind e tyre kanë deklaruar se presin keqësim të situatës në këtë sektor. Studimi i ACIT është shtrirë edhe në standardet e jetesës së punonjësve të këtij sektori dhe rezulton se 71 për qind e të pyeturve mendojnë se standardi i jetesës ka rënë dhe se në nivelin e jetesës së familjeve të tyre rënia ka ardhur në rënie me 29 për qind nga rënia e të ardhurave, 82 për qind nga rritja e çmimeve të produkteve ushqimore, 82,7 për qind prej rritjes së çmimeve të energjisë, ujit dhe mallrave të konsumit të përditshëm dhe 67 për qind nga rritja e çmimeve të shërbimeve shëndetësore.


Rritja e akcizave dhe çmimit të energjisë
Rritja e akcizës, për ambalazhet që përdoren në sektorin e veshjeve dhe këpucëve, sigurisht që do të ndikojë në treguesit financiarë të këtyre kompanive, por efektet ende nuk janë llogaritur, sepse ndryshimi i akcizës ka pak kohë që është bërë. Ndërkohë rritja e çmimit të energjisë, rritja e herëpashershme e pagave minimale nga ana e qeverisë si dhe ndryshimet e shpeshta fiskale në mes të vitit e dëmtojnë këtë sektor, për shkakun e thjeshte se kompanitë fasoniste punojnë me kontrata të mbyllura që në fillim të vitit, pra me çmime të fiksuara nga kontraktorët e huaj dhe çdo ndryshim ndikon ndjeshëm në normën ne tyre të fitimit. Edhe rritja e çmimit të energjisë, për shkak se ky produkt vjen i dytë në radhën e shpenzimeve të planifikuara, pas atij të pagave dhe sigurimeve shoqërore e shëndetësore, ka dhënë ndikim në uljen e efektivitetit të investimeve në kompanitë fasoniste, në mungesën e likuiditetit dhe të kapitalit për të përmirësuar teknologjinë dhe në përgjithësi në performancën e këtyre kompanive, në kushtet kur konkurrenca në këtë treg rritet dita ditës.

Bankat, barriera për kreditimin e fasonëve
Sektori i fasonit është një sektor pothuajse i padëshirueshëm nga bankat e nivelit të dyte për t'u kredituar. Arsyet janë të shuma, që fillojnë nga rentabiliteti i ulët i këtyre kompanive, mungesa e kolaterialit, kompanitë në shumicën e rasteve nuk kanë prona por punojnë në objekte ish-shtetërore të marra me qira, si dhe pasiguria në vijimësinë e kontratave me partnerët e huaj, gjë që i bën bankat të mos jenë të sigurta në financim. Edhe financimet e parashtruara nga qeveria shqiptare, nëpërmjet fondeve të dhëna, psh nga Qeveria Italiane, kanë qenë joefektive, burokratike dhe efektivisht nuk janë realizuar, sepse është e vështirë që ky biznes të plotësojë kushtet specifike të bankave për marrjen e këtyre kredive. Po kështu edhe fondi për konkurrueshmërinë dhe fondi për nxitjen e eksporteve janë joproduktive dhe pothuajse kanë dështuar, megjithë dëshirën e mirë të qeverisë.

Ornela Manjani

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›