E Diel, 1 Nëntor 2026

Rossin: Ska rrezik në kufirin Kosovë-Serbi

Zyrtari i lartë i NATO, Larry Rossin ka deklaruar se situata në Kosovë është e mirë, pavarësisht ngjarjes në Mitrovicë. Në një intervistë Rossin ka folur edhe për mundësinë e reduktimit të trupave të NATO në Kosovë. Vitin e kaluar dhe si parim i përgjithshëm,

e edhe sipas pikëpamjes sime, Aleanca Veriatlantike, pra shtetet anëtare, vendosi që situata e përgjithshme e sigurisë dhe stabiliteti në Kosovë dhe rajon mundësonte reduktimin e madhësisë së KFOR me një fleksibilitet më të lartë, në gjendje për të kryer obligimet edhe me një prani të kufizuar. Ata vendosën një sistem për ta bërë këtë hap pas hapi, por gjithashtu vendosën një mbikëqyrje dhe kontroll politik për të siguruar se, me evoluimin e këtij procesi, hap pas hapi, shtetet anëtare të ishin në gjendje të bënin një vlerësim mbi sigurinë, si edhe lidhur me kontekstin politik për të vendosur për përshtatshmërinë e hapit të ardhshëm, informon ai, për të shtuar se për momentin, ata kanë arritur tek porta e parë. Ai theksoi gjithashtu se në përgjithësi situata e sigurisë vlerësohet e mirë, pavarësisht faktit se në veri të Kosovës ka pasur gjithnjë incidente, por kjo do të merret parasysh në kohën e përshtatshme kur do të bëhet ndonjë propozim, e jo tani. Në lidhje me kompetencat e kontrollit të kufijve nga KFOR, Rossin shprehet se ka pasur një transferim detyrash nga KFOR te Policia e Kosovës për kufirin me Shqipërinë. Marrë parasysh vlerësimin e situatës së sigurisë në këtë drejtim dhe aftësinë e policisë. Nuk ka pasur ndonjë propozim për ti transferuar kufijtë e tjerë dhe këtu mendoj se komandanti i KFOR dhe autoritetet ushtarake do ta vëzhgojnë situatën aktuale dhe mundësitë për të siguruar se këtu, si në çdo zonë, KFOR të vazhdojë të mbajë një ambient të qetë e të sigurt me mandatin që mbulon tërë territorin e Kosovës, nënvizoi ai. Përsa i përket zërave se Serbia mund të paraqesë një kërcënim për Kosovën në aspektin e sigurisë, Rossin thekson se vlerësimi i NATO në lidhje me këtë është se nuk ka kërcënim të sigurisë përreth vijës kufitare në mes të Kosovës e Serbisë. Këtë e ka thënë edhe gjenerali Bentler në vlerësimin e tij. Në të njëjtën kohë, admirali Fitcxherald dhe të tjerë kanë vënë re ekzistimin e strukturave paralele që e mjegullojnë çështjen rreth gjendjes së sigurisë në veri. Por, nuk mund të spekuloj se a përbën kjo një kërcënim të sigurisë, ose se a do të mundej për një shkallë të ndikohej siguria. Mendoj se aktorë të ndryshëm kanë pikëpamje të ndryshme në këtë çështje. E tëra që mund të them unë është se NATO dhe KFOR, në bazë të obligimeve tona, janë në gjendje të merren me çfarëdo lloj eventualiteti lidhur me sigurinë, vijon Rossin. Në përfundim të intervistës së tij, ai shton se problemet politike mes Kosovës dhe Serbisë, nuk është se paraqesin konkretisht probleme për planet e NATO në Kosovë. Rossin përmend në këtë drejtim deklaratën e gjeneralit Bentler, i cili ka theksuar se KFOR vazhdon të zhvillojë një dialog me forcat ushtarake serbe për të siguruar që, në rast të paraqitjes së vështirësive apo çështjeve të vogla, ato të zgjidhen si duhet. Ky ka qenë rasti për tash 11 vjet. Konteksti i gjerë politik që ndërlidhet me Kosovën dhe Serbinë po i komplikon jo vetëm aktivitetet e KFOR, por pothuaj të gjitha gjërat. Mirëpo, këto janë të menaxhuara mirë kur bëhet fjalë për rolin e KFOR në Kosovë, përfundoi ai.

Rexhepi: Dikush prej protestuesve ka shkaktuar incidentin
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, thotë se nuk përjashtohet mundësia që dikush nga të pranishmit në protestë, e ka shkaktuar eksplodimin e së premtes në veri të Mitrovicës, ku u vra një person dhe 11 të tjerë u plagosën. Kjo ka qenë një informatë fillestare. Tashti janë duke u bërë hetimet, është duke u bërë intervistimi. Alternativa se dikush prej tyre e ka gjuajtur atë, nuk hiqet si mundësi, mirëpo i presim rezultatet e hetimeve e tash janë duke u bërë ato, pra janë duke u bërë intervistimet, thotë Rexhepi. Në këtë kuadër, ministri shton se Policia e Kosovës është duke i bërë hetimet dhe pritet që së shpejti të ketë rezultate konkrete. Rexhepi thekson se politikisht nuk është interes i shqiptarëve që të mos funksionojë zyra, por dihet se, kush ka interes politik, prandaj edhe si mundësi ekziston që dikush prej protestuesve mund të ketë gjuajtur. Ajo nuk hiqet si opsion, për arsye se edhe politikisht interesi ynë nuk ka qenë incidenti. Për ne është me rëndësi të funksionojë zyra në kuadër të strategjisë së Qeverisë, ku është interesi, e jo të bëhen incidente, përkundrazi. Për incidente dihet kush ka interes politikisht, prandaj ekziston si opsion që dikush prej tyre ka gjuajtur, thekson ministri Rexhepi. Nga ana tjetër, pas incidentit të së premtes në veri të Mitrovicës, situata në Lagjen e Boshnjakëve, tashmë është e qetë. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, thotë se hetimet për rastin e së premtes janë duke vazhduar, ndërsa konfirmon se janë shtuar patrullimet e policisë në lagjet e banuara me popullatë të përzier.  Nuk është shënuar asnjë incident gjatë natës së mbrëmshme, mendoj në incidente të karakterit madhor ose incidente, të cilat rrezikojnë sigurinë në çfarëdo forme. Ka pasur një nivel të ngritjes së masave të sigurisë - një koordinim i mirë i veprimeve të policisë së Kosovës dhe komponentës së policisë së EULEX dhe KFOR. Është me rëndësi që nuk ka pasur me incidente, deklaron Hoti. Ndërkaq, ditën e djeshme në katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovicë, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok dje ka qenë ditë zie për shkak të vdekjes së pediatrit Mesud Xhekoviq, i cili ka vdekur pas plagëve të marra në shpërthimin e djeshëm në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë. Ministri për Kosovën në qeverinë serbe, Goran Bogdanoviç ka vizituar mbrëmë familjen e mjekut të vdekur dhe i ka përcjellë ngushëllimet e presidentit serb. Për shkak të situatës në Mitrovicë, Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka ftuar një mbledhje të jashtëzakonshme më 6 korrik.

BE: Hetoni incidentin në Mitrovicë
Zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuy dhe Catherine Ashton, e kanë dënuar sulmin e së premtes në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë dhe kanë shprehur shqetësim për incidentin tragjik dhe krejtësisht të panevojshëm në pjesën veriore të Mitrovicës. Presidenti i Bashkimit Evropian, Van Rompuy, ka kërkuar kthimin e menjëhershme të paqes dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të sillen me përgjegjësi maksimale. Ndërsa shefja e BE për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, përmes një deklarate i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës, që me mbështetjen e EULEX, ta hetojë këtë incident dhe të sigurojë që autoret të nxirren para drejtësisë. Ky mesazh i shefes së diplomacisë së Bashkimit Evropian iu është dërguar edhe autoriteteve më të larta të Republikës së Kosovës

Nënshkruhet pakti SHBA-Poloni për mburojën anti-raketë
Shtetet e Bashkuara dhe Polonia kanë nënshkruar një marrëveshje mbi sistemin e mburojës anti-raketë që do të zëvendësojë projektin e nisur nga Bush. Plani i vjetër parashikonte ndërtimin e një radari anti-raketë në territorin e Republikës Ceke dhe një bazë me 10 interceptorë në Poloni.  Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton ka firmosur marrëveshjen me homologun polak Radoslaw Sikorski, duke kujtuar se projekti në fjalë nuk është kundër Rusisë. Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, thotë se mbrojtja e planifikuar raketore e Shteteve të Bashkuara në Evropë, është thjeshtë sistem mbrojtës dhe nuk është i drejtuar kundër Rusisë. Këto komente ajo i bëri në Krakov të Polonisë, derisa u nënshkrua një amendament për marrëveshjen ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Polonisë për mburojën raketore. Në ceremoninë e nënshkrimit ishte edhe ministri i jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski. Kjo marrëveshje i merr në konsideratë ndryshimet e bëra nga presidenti amerikan, Barak Obama, i cili në shtator të vitit të kaluar, pat shpallur se Uashingtoni do të tërhiqet nga planet e ish presidentit Xhorxh Bush, për sistem me reze të gjata veprimi. Plani Obama parasheh sistem me rreze të shkurtra dhe të mesme veprim

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›