Luljeta Lleshanaku: Fëmijëria ime, një dëshpërim ekzistencialist
TIRANE-Këtë vajzë me flokët si pendë korbi, me atë kurore ballukesh mbi sytë e kaltra, me vështrimin që përcjell dhjetëra gjendje në një fraksion të sekondës...e sheh sot, e dëgjon, e ndjen tek ecën ditëve moderne e të zhurmshme, në kaos...dhe kupton që është i njëjti thelb, i njëjti trung peme, ku janë shtuar degë e degëza të reja në vite, me të njëjtën shëmbëlltyrë... në po atë drejtim, me po të njëjtin vrull... herë plot jetë, pasion e entuziazëm e herë e kredhur thellë në një melakoli të pashkak.
Në krye të rrugës tonë, nëse kthejmë kokën pas e shkundim me kujdes pluhurin e viteve, shohim fragmente të jetës nga ajo kohë kur vetëdija sa kishte nisur të gdhendte brenda nesh atë që quajmë sot personalitet. Si në një film, zbulohen brenda kutisë misterioze të kujtimeve, e nëse i lidhim së bashku, fragment pas fragmenti, kuptojmë shumë mirë çka jemi sot, pse dhe si mbërritëm këtu...
Luljeta Lleshanaku, është kjo vajza që përshkruam më lart,(Në fotografinë nr.1, majtas, ku ka dalë bashkë me motrën Albanën). Rrëfimi i saj për fëmijërinë na jep sot shumë përgjigje për qindra imazhe poetike, tablo ndjesish e mesazhe filozofike, që hasim në vargjet e librave të saj.
Rrëfimi i poetes, është pak të themi i mrekullueshëm. Ndonjëherë ngjan si një poemë....
Një fëmijë ka këndvështrimin e tij për botën. Të gjithë e dimë se nga ai këndshikim bota është ndryshe... Ju kujtohet si e konceptonit botën kur ishit fëmijë?
Kam qenë një fëmijë hiparktiv, me një gjendje shumë të ndryshueshme humori; kaloja brenda momentit nga një entuziazëm i pashpjegueshëm, në një lloj melankolie të thellë e pa shkak. Këtë të fundit..sot e kësaj dite nuk arrij ta shpjegoj. Ishte diçka që nuk kishte të bënte me rrethanat, sadoqë unë përpiqem ta shpjegoj përmes tyre. Ishte më tepër një lloj dëshpërimi ekzistencialist: unë arrija t’i shihja fundin gjërave. Është diçka e pashëndetshme për një të rritur, e jo me për një fëmijë. E nëse i sheh fundin gjërave..atëherë shtrohet natyrshëm pyetja: atëherë, pse duhet të përpiqem të arrij atje?
Më kujtohet që bëja disa gjëra, të cilat, kur i kujtoj tani, më duken disi të çmendura. Njëherë madje…ngrita një kamp të vogël veror, dhe pastaj qeshë e para që e lashë. Në kopshtin para shtëpisë, më kujtohet që me motrën bëmë një kasolle me barishte...që e përdornim edhe gjatë dimrit...kur i ftohti të këpuste thonjtë. Dhe pastaj prapë e lija… Thjesht mërzitesha shpejt nga të gjitha, dhe prapë filloja diçka të re..që e braktisja po kaq shpejt.
Ku jeni rritur? Si ishte atëkohë qyteti juaj?
Jam rritur në Krujë..dhe është fat për dikë, të përjetojë natyrën që të ofron ky qytet. Vera është e bukur... me një lloj apatie lirike që kanë zakonisht qytezat... dhe dimri ishte shumë impulsiv gjatë reshjeve dhe i mërzitshëm në agoninë e ditëve me diell por të ftohta, midis tyre. Më të mërzitshmet, ishin nga fundi i dhjetorit, me një erë të thatë e të ftohtë nëpër ullishta dhe me këngën e gjelave të detit, që do të sakrifikoheshin për darkën e fundvitit. Një qetësi që të mbyste. Të dielat sidomos, ishin akoma edhe më të mërzitshme: gra që ndenin e mblidhnin rrobat në oborr, ndonjë druvar që shkarkonte drutë nga kuajt dhe zëri monoton i komentatorit të ndeshjeve të futbollit, që nuk merrej vesh se nga cila radio vinte. Është një peizazh i përkryer fatalist, që ndikon shumë në mbylljen në vetvete. Është “a”-ja, e shkrimit.
Sa ndikoi ai imazh, ato përjetime, ajo lëndë ndjesore në atë që ju do të bënit më vonë letërsinë..?
Në librin e fundit, kam një poemë të tërë që është një lloj dejavu-je mbi fëmijërinë time, dhe jetën e atjeshme. Zakonisht, në qyteza..janë ritualet elementët dominues. Dasmat, lindjet, vdekjet...ishin ngjarjet rreth të cilave sillej bota. Të dielat dominoheshin prej dasmave... dhe njerëzit kishin për çfarë të flisnin përgjatë javës. Të tilla ishin edhe lindjet, të paraprira nga ëndrrat e të shoqëruara me bestytni. Më kujtohet shprehja: “Mos e merr filanen të të lajë foshnjën, se ka sy të keq!” Ose sa e sa fantazi të tilla, që shoqëronin vdekjet, të treguara deri në detaje. Dhe...në një farë mënyre, ishte një shoqëri e vogël… që krijonte një lloj magjie atje ku nuk kishte pikë magjie.
Nga ana tjetër, Kruja, ishte një vend bektashian. Një nga momentet më të paharruara p.sh, ishte ceremonia e hashures, të cilën në fshehtësi, e bënin të gjitha familjet. E gjitha lagja merrte aromën e kanellës...dhe kuptohet... “xhamia nuk fshihet në thes”. Por askush nuk e spiunonte shokun. Hashurja ishte një lloj ëmbëlsire që donte rreth pesë-gjashtë orë të mira të përgatitej në një zjarr të madh... dhe krutanët e bënin në sasi të madhe dhe e ndanin nëpër kushërinj dhe fqinj. Kështu që ne provonim hashuren e njëri-tjetrit. Dhe sipas ritualit, ne fëmijët, lyenim vetullat me avullin e hashures, pasi kjo të hiqej nga zjarri. Dhe …kushdo që e përziente, duhet të ishte i pastër dhe të bënte një lutje në fillim. Vonë e mora vesh, që hashurja vetë ishte një përkujtim i supës së Noes nga Testamenti i Vjetër, i cili, kur Zoti e nxori në tokë më në fund, mblodhi dhe gatoi një supë me të gjitha farërat që i kishin mbetur në arkë, nga udhëtimi i gjatë. Kurse... në Krujë... rituali vishej me një lloj misteri, i shoqëruar me rregulla strikte, të cilin e bënte disa herë më të shenjtë fakti që po gatuhej fshehurazi, si një praktikë e ndaluar fetare.
A ka lënë gjurmë atmosfera e vendit ku u rritët në brumosjen e personalitetit tuaj?
Pa dyshim. Krutanët janë të ashpër, të drejtë dhe të drejtpërdrejtë. Janë puritanë dhe kjo i ka ndihmuar të konservohen si subkulturë… Në një farë mënyre, temperamenti im është i stampuar si i tillë. Unë jam konservatore në shumë gjëra; akoma besoj në disa vlera të cilat duken se janë krejtësisht jashtë kohe.
Në ç’kuptim?
Unë respektoj autoritetin e të madhit dhe sidomos të mashkullit në familje. Jam patriarkale dhe më pëlqejnë familjet e mëdha. Unë sillem me prindërit e mi, njëlloj si ata janë sjellë me të vetët, gjë që nuk do të ndodhë me fëmijët e mi, jam e sigurt. Edhe mënyra se si vishem, si mbahem, i ngjan më tepër një guvernanteje, se sa një gruaje të kohës. Midis të “respektueshëm” dhe “tërheqës”, zgjedh gjithmonë të parën.
Po doktrina, ç’peshë ka? Një fëmijë i brumosur në realizmit socialist që më vonë bëhet shkrimtar...
Unë bëja zgjedhje disi të çuditshme edhe në atë kohë: lexoja në masë letërsinë e huaj. Më mirë lexoja për të disatën herë një vepër të Carls Dikensit, sesa një libër skematik soc-realist. Apo qoftë edhe romane policeskë apo fantastiko-shkencorë. Megjithatë…edhe nga ajo letërsi, kishe se ç’merrje. Më kujtohet, p.sh, me sa kënaqësi e kam lexuar “Ara në mal” të Petro Markos, megjithëse fundin e prisja disi ndryshe. Këtu... futet skema pastaj. Them se... edhe nga një libër i keq ke se ç’mëson: e rëndësishme është të jesh i vetëdijshëm e të analizosh se çfarë nuk shkon me të. Leximi është mënyrë të menduari.
A ka ndikuar dikush, si një udhëheqës në rrugën tuaj drejt letërsisë?
Është e çuditshme... sepse, në familje, përveç njërit nga dajat, Fadilit, askush nuk ma ka ushqyer ambicien për letërsi. Ata ishin familje politike... nuk u hynte në sy letërsia. Por… më vonë, filluan të më pranojnë. Në shkollë të mesme... ka qenë një mësuesi im, një burrë shumë i ditur e i mirë, Hysen Hoxha, i cili vinte me dënim nga Tirana në Krujë, ai që më ka mbështetur më shumë.
Megjithatë... vendimi qe marrë shumë më herët. E dija se do të merresha me letërsi. Nga se? As unë nuk e di. Është ai që quhet “zë i brendshëm”, e që askush nuk e shpjegon. Këtë e kam ditur që 13 vjeç. Sa më i papjekur dhe i paditur të jesh, aq më të prera janë vendimet. Sot, nuk e gjykoj nëse mora rrugën e duhur, por nuk di të bëj gjë tjetër më mirë se sa të shkruaj.
A kishit ëndrra të mëdha aso kohe? Si ishin këto ëndrra? Guximtare, të rrezikshme, apo të fshehta e të heshtura...?
Unë jam ëndërrimtare, por jo aq. Kam marrë shumë prej karakterit të sime mëje, që ishte njeri me këmbë në tokë. Kjo ka bërë që realiteti, në të shumtën e rasteve, ka shkuar përtej asaj që unë kam ëndërruar. Jam njeri që më pëlqejnë sfidat; ndryshe nuk gjej kuptim. Nuk është se kam qëllime të qarta në vetvete, por më pëlqen të provoj, më pëlqen të mas forcat e mia. Nuk do ta përballoja dot një jetë të qetë e të programuar, pavarësisht se teorikisht, edhe unë ankohem se më mungon qetësia dhe stabiliteti. Në thelb, nuk e dua garancinë; më plogështon. Por, studentëve dhe të rinjve me të cilët kam punuar, u kam këshilluar këtë gjë: “Kërkoni të pamundurën në jetë, që të kapni të mundshmen! Nuk është turp të kërkosh shumë; turp është të kërkosh pak, dhe t’mos marrësh aspak”. Fundja sedra, ambicia... dhe ato ëndrrat “qesharake”, e kanë çuar përpara njerëzimin. Askush nuk duhet ta ketë marrë seriozisht Njutonin, kur pretendonte se po bënte shkencë të madhe, por ja ku jemi.
Si do ta përshkruanit sot varfërinë e asaj epoke? Cili ishte ushqimi juaj shpirtëror?
Nuk ishte problemi vetëm dollapët e ushqimit që ishin të pastër si dollape spitali ngaqë ishin bosh..., por e keqja më e madhe ishte izolimi kulturor: pak libra... dhe një radio ku maksimumi mund të ndiqje hit-parejdin italian të të shtunave.
Por..një nga periudhat më të bukura të fëmijërisë, ka qenë kur u lidha ngushtë me një kushëririn e afërt të familjes, Hamitin. Ai atëkohë ishte tek të shtatëdhjetat dhe unë jo më shumë se 11 vjeç. Ai ishte një burrë i ditur... dhe sidomos me një temperament shumë poetik. Ai mbante ditarë, të cilët m’i tregonte vetëm mua...(sepse ditarët nuk konsideroheshin punë burrash) dhe unë vjershat e para ia tregoja atij. Prej tij mësova anglishten, dhe ai vetë anglishten e kishte mësuar në burg ku kishte kaluar rreth njëzet vjet. Nuk e di se si mund t’i besohej kaq shumë një fëmije siç isha unë… dhe madje kam shkruar edhe një poezi mbi këtë gjë. Argumenti: një fëmije mund t’i besohet më shumë se gjithkujt, se fëmijët janë si bari i njomë, nuk të gjykojnë, nuk pyesin kurrë “pse” dhe “si”.
Edhe ambienti ku ai jetonte, kishte diçka shumë poetike në sytë e mi: një kullë e vjetër, e rrethuar nga gërmadhat e një tjetër shtëpie (të nipit të tij, Abaz Kupit) të bombarduar nga gjermanët. Ai mbante dele (me këtë më kujton irlandezët që mbajnë dele edhe në qytet) dhe në bahçen pas shtëpisë, kishte varret e prindërve. Njëri prej tyre, ishte varri i Hatixhesë, njerkës së tij, të cilën e kishte dashur pa masë, i një gruaje që kur forcat e Zogut rrethuan shtëpinë, ajo luftoi si një burrë, duke mbrojtur krahët e tij gjatë kohës që Abazi po çante rrethimin. Ka edhe një këngë madje për të. Thjesht... çdo gjë ishte magji rreth tij. Kur vdiq, e dija që humba shokun më të mirë.
Kur shkruanit?
Nuk kam shkruar shumë kur kam qenë fëmijë. Por... në përgjithësi, në dhomën e madhe të gjumit, ku çdo dhjetë minuta, do të vinte dikush e t’më shkëpuste. Ju thashë që në fillim... nuk më kanë marrë shumë seriozisht. Herë pas here, as unë nuk e marr fort seriozisht veten. Fjala vjen, më dukej qesharake të bëja një rrugë deri në Amerikë, për një rezidencë artistësh. A ka sens, thosha me vete, me marrë gjithë këtë rrugë për të shkruar “vjersha” (kur dua të tallem me veten, përdor fjalën “vresha”)?!!! Por në të vërtetë... çdo rezidencë ia ka vlejtur sepse atje kam pasur të gjitha kushtet e punës. Socializimi është e vetmja gjë, që nuk më pëlqente gjatë rezidencave.
A besonit në ato çka shkruanit?
Unë as edhe një palë enë nuk i laj dot, nëse nuk i besoj asaj që bëj. Ky është deficiti im më i madh në jetë: nuk jam në gjendje të ndaj pasionin nga detyrimet. Para njëfarë kohe... punoja në një institucion shtetëror, dhe ndjehesha shumë në siklet, sadoqë nuk qëndrova gjatë. Thjesht... ishte një punë që nuk i besoja. Nuk ndjehesha e përfshirë në të. Dhe po këtu fillon edhe e keqja ime: unë i jap shpirtin gjërave që duhen marrë disi më lehtë. Është një shpërndarje e keqe e energjisë, besoj.
A ju frikësonte ndonjë gjë kur ishit e vogël...?
Po. E para: gjërat që nuk shihja, që nuk njihja. Fantazmat… hijet…vdekja…
Dhe e dyta, ajo që më frikëson edhe sot, është injoranca. Nuk ka gjë më të frikshme se injoranca, sepse është si epidemi që zmadhohet rrugës e të merr me vete. Nëse nuk të bën pjesë të veten, injoranca bëhet shumë agresive ndaj teje. Është më intolerantja në botë dhe kaq e fuqishme në të keqen e vet. Kam frikë të merrem me njerëz të tillë... sepse herët e vonë, do të bëjnë të dyshosh edhe tek vetja.
A jeni penduar për diçka që keni shkruar?
Nuk jam penduar për ato që kam shkruar, por për disa gjëra të cilat kam botuar, por që po të përpunoheshin e po t’i kisha dhënë vetes më shumë kohë, mund të kishin qenë më të mira. Fundja të shkruarit është proces... që reflekton edhe procesin e pjekurisë. Nuk mundet ta kuptosh një artist, ma ha mendja, jashtë këtyre fazave.
A i kujtoni sot miqtë e fëmijërisë? Janë të njohur, sot, si ju? Çfarë konfidonit me ta?
Kam dy shoqe fëmijërie në Krujë, dhe një tjetër që është në Hollandë. Për mua, kanë mbetur njëlloj të mira si në atë kohë, ose së paku, unë i kam ruajtur brenda meje ashtu siç kanë qenë në atë kohë. Janë gra të respektuara, sadoqë unë nuk jam e zonja të mbaj lidhje miqësie për një kohë të gjatë.
Pse?
Nuk e di. Përgjithësisht jam tip i tërhequr. Dhe në gjimnaz, e gjeja veten vetëm të shumtën e kohës të ulur në bankë. Të ndenjurit vetëm, ka qenë një nga kënaqësitë e pakta që ta fal kjo botë. Fundja...kjo lidhet me të shkruarin, dhe të shkruarit është meditim.
Ç’koncept kishit atëherë për miqësinë dhe ç’koncept keni sot?
Miqësinë unë e kam parë gjithmonë më shumë si një nevojë për komunikim intelektual se sa si një mbështetje morale dhe psikologjike. Ndaj edhe miqtë e mi më të mirë e më të qëndrueshmit janë shumë herë më të mëdhenj se unë në moshë dhe në përvojë: ke gjithmonë se çfarë të mësosh prej tyre.
A e lidhni lumturinë me fëmijërinë tuaj? Nëse jo me ç’ndjenja e lidhni atë periudhë të jetës?
Sa herë që ime më, më blinte një fustan të ri, ndjehesha e lumtur. Sa herë që ajo më përcillte në stacion të autobusit me një valixhe në dorë, për në kampin e pushimeve të pionierëve, ndjehesha e lumtur. Kur dëgjoja ndonjë pjesë të bukur muzikore, ndjehesha e lumtur. Kur merrja ndonjë lavdërim në shkollë, ndjehesha e lumtur. Këto janë..të tjera nuk më kujtohen.
Dhe momentet më të dhimbshme: kur ime më, vinte me duar gjithë plagë nga puna e rëndë, kur më duhej të shtypja me radhë në kurriz në darkë pas pune dajat, kur im atë ikte me kokën këputur, sa herë që vinte të na takonte... kur sipër komosë mblidheshin ushqimet, që i çoheshin në burg në Spaç dajës së madh çdo tre muaj, dajës që vuante dënimin e të pafajshmit në një shoqëri të indoktrinuar dhe inkriminuar… E të tjera si këto…
A humbet lumturia gjatë rrugës së jetës?
Jo, por tani di të fshehtën: duhet të luftosh për të vjedhur disa momente lumturie. Asgjë nuk vjen vetiu.
Çfarë ka mbetur sot, brenda jush, nga fëmija i dikurshëm? Ju mungon?
Ka mbetur kokëfortësia, sensi i aventurës dhe frika për të nesërmen. E duke dashur t’i paraprij gjithmonë të nesërmes, po humbas të sotmen. Jam njeriu që nuk kënaqet kurrë me asgjë... dhe për fat të keq, vazhdoj t’u shoh fundin gjërave. Është si të lexosh një libër duke u nisur nga faqja e fundit, një varg të cilin, rastësisht ose jo rastësisht, e kam përdorur disa herë në poezitë mia.
(d.b/Milosao/GazetaShqiptare/BalkanWeb)