Luljeta Lleshanaku, në Hong-Kong me poezinë shqipe
E kanë cilësuar poete të dashurisë. Lexuesit i flet intimisht. U drejtohet të gjithëve... Poetja Luljeta Lleshanaku, e cila sipas Peter Constandine ka zënë një vend të sigurt ndër klasikët bashkëkohorë të letërsisë botërore, ka përfaqësuar Shqipërinë në një aktivitet të rëndësishëm ndërkombëtar kushtuar poezisë në Hong-Kong. "Netët ndërkombëtare të poezisë në Hong-Kong", një celebrim gala i poezisë dhe poetëve që u mbajt në fund të muajit nëntor, sipas shtypit u cilësua si aktiviteti më i madh ndërkombëtar i poezisë në historinë e Hong-Kongut. Poetja shqiptare, Luljeta Lleshanaku, ishte pjesë e kësaj veprimtarie mes shumë poetëve të njohur nga e gjithë bota. Gary Snyder (SHBA), Eliot Weinberger (SHBA), Ahmad Abdul Muti Hijazi (Egjipt), Takahashi Mutsuo (Japoni), Luljeta Lleshanaku (Shqipëri), Kurt Drawert (Gjermani) dhe Coral Bracho (Meksikë) ishin poetët e ftuar në Hong-Kong me rastin e kësaj veprimtarie kushtuar poezisë. Organizator dhe drejtues i këtij aktiviteti ishte poeti Bei Dao, kandidat i njohur për çmimin "Nobel", dhe një nga poetët më të njohur sot në botë, i cili njëkohësisht përzgjodhi shkrimtarët pjesëmarrës. Poetja shqiptare, Luljeta Lleshanaku, u paraqit me shtatë poezi nga libri i saj i ri në anglisht, i cili del nga shtypi në muajin janar. Një pjesë e tyre janë botuar në librin e saj të fundit në shqip, "Fëmijët e natyrës", dhe një pjesë janë poezi të reja. Poezitë u pritën mjaft mirë dhe prezantimi i saj në trajnime u vlerësua si shumë interesant. Le të kujtojmë se vetëm tre muaj më parë, Luljeta Lleshanaku mori çmimin "Kristal Vilenica 2009", në një tjetër aktivitet ndërkombëtar të mbajtur në muajin shtator në Slloveni, si poetja më e mirë pjesëmarrëse në edicion. Në muajin janar, Luljeta Lleshanaku është e ftuar të bëjë një turne leximesh në New York City dhe në disa universitete amerikane, për të promovuar librin e saj të ri në anglisht, të titulluar "Child of nature", i cili është reklamuar prej disa muajsh edhe në agjencitë elektronike të shpërndarjes së librit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. "Netët ndërkombëtare të poezisë në Hong-Kong" synonte të jepte kuptimin e poezisë në jetën e ngarkuar të Hong-Kongut, të zgjeronte spektrin e krijimtarisë dhe imagjinatës në sistemin edukativ konvencional të Hong-Kongut dhe njohjen e tij si një metropol ndërkombëtar. Çdo aktivitet në axhendë u mbajt në disa gjuhë: në gjuhën amtare të poetëve pjesëmarrës, në anglisht, dhe në gjuhën kineze. Secili nga prezantimet ishte i shoqëruar me një performancë të arteve vizive dhe me muzikë. Poetët pjesëmarrës realizuan nga dy lexime secili, si dhe drejtuan si grup dy mbledhje pune: i pari i titulluar "Zëri tjetër" ("The other voice", i konceptuar mbi një ese të njohur të Oravio Paz me të njëjtin titull) ishte një temë diskutimi mbi raportin e shkrimtarit me veprën, vetëdijen dhe nënvetëdijen, letërsinë si kompromis ose si qëndrim kritik ndaj realitetit. Takimi i dytë, "Poezia dhe përkthimi" ("Poetry and translation") kishte të bënte mbi raportet e poetit me përkthyesin, ku poetët pjesëmarrës sollën eksperienca të ndryshme bashkëpunimi në këtë raport. Leximet ishin të hapura për publikun e gjerë, kurse trajnimet u zhvilluan para një audience të ftuarish. Të gjitha poezitë u botuan në një antologji, e cila u shpërnda me autografe gjatë ditëve të festivalit. Në fund të këtij aktiviteti, i cili përbën edhe edicionin e parë të "Netëve ndërkombëtare të poezisë në Hong-Kong", mbi një beze, që ishte edhe sipari i aktivitetit, secili nga poetët la një shënim në gjuhën e tij, që ishte diçka simbolike mbi konceptin që ata kanë lidhur me "zërin tjetër". Aktiviteti u organizua nga Qendra për Studime e Azisë Lindore në Universitetin kinez të Hong-Kongut (CUHK), Trajnimi Ndërkombëtar i Shkrimtarëve në Universitetin Baptist të Hong-Kongut, Shkolla Dioqeziane e Djemve, Fakulteti i Arteve dhe Rrjeti i Bibliotekave Universitare të Hong-Kongut.
Ar.He.
Ar.He.