E Diel, 1 Nëntor 2026

Bakalli, i dyshuar si "truri" i grupit

Sulejman Bakalli, një ndër të arrestuarit e grupit të djeshëm, ka qenë personazhi më i njohur i policisë së kryeqytetit. Ai ka qenë i arrestuar edhe më parë për grabitje me armë, ashtu si edhe anëtarët e tjerë të grupit, por vetëm një muaj më parë u plagos gjatë një atentati në Tiranë. Ky person mendohet se ka qenë edhe "truri" i vjedhjeve të realizuara prej tyre. Sipas policisë, ai planifikonte çdo lëvizje të grupit dhe kohën kur duheshin bërë goditjet. Madje, ai dyshohet se i vetëm ka kryer grabitjen e një banke më 20 qershor të vitit të kaluar. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:50 të asaj date në sheshin "Rilindja", ndryshe i njohur si "Zogu i Zi" në kryeqytet, kur autori i maskuar ka kërcënuar me pistoletë punonjësen e arkës në bankë, duke e detyruar këtë të fundit që t‘i jepte lekët. Më pas, autori është larguar me shpejtësi në mes pallateve të zonës, ndërkohë që policia ka mbërritur në vendngjarje vetëm pas 5 minutash nga momenti që është lajmëruar nga sinjali i bankës. Pas një pune të shpejtë hetimore, punonjësit e Komisariatit Nr.3 në Tiranë, në bashkëpunim edhe me Seksionin Kundër Vjedhjeve, kanë bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit të grabitjes, por ai u lirua pak kohë më vonë. Ndërsa më 5 nëntor të këtij viti, pikërisht te Rruga e Barrikadave në Tiranë, ai u qëllua me armë zjarri gjatë një atentati, që ende nuk është zbardhur, ndërkohë që policia e kishte të dyshuar për vjedhje të ndryshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›